Sfidat e grupit/ Fillon Europa Liga, të voglat në garë për prestigj

0

napoliNapoli, Fejnordi apo Dinamoja e Moskës janë disa nga skuadrat, të cilat do të konkurrojnë për t’u shpallur kampion në “kupën e vogël” të Evropës

Loading...

Kupa e dytë më e rëndësishme e Evropës çel siparin e saj për të na dhënë një shije tjetër të përballjeve të skuadrave prestigjioze evropiane përveç atyre që luan në Ligën e Kampioneve. Një kompeticion i cili nuk duhet nënvlerësuar, pasi ka në përbërje ekipe që me të vërtetë prodhojnë futboll të bukur. Nëse do të llogarisim që në fazën e dytë do të futen edhe skuadrat që dalin nga vendet e treta në grupet e Championsit, e bën edhe më kompetitiv këtë turne. Sot luhen edhe sfidat e para ku disa sjellin përballë ekipe interesante. Borusia e Mynshengldabahut do të sfidojë spanjollët e Vilarealit në kërkim të tri pikëve të para. Gjermanët njihen për futbollin e tyre të bukur, ndërsa mbrapa nuk mbeten edhe spanjollët që janë rikthyer në kohët e vjetra dhe do të kërkojnë ta vërtetojnë këtë në sfidën e sotshme. Interi i Maxarrit luan jashtë ndaj ukrainasve të Dnipros. Zikaltrit kanë bërë performanca mjaft të mira në ndeshjet e para të Serisë A dhe ndeshja e fundit ndaj Sasuolos e tregoi më së miri këtë. Ndërsa Dnipro, edhe pse në letër duket inferiore, mund të përfitojë nga faktori fushë për të bërë surprizën. Sfidë interesantë është edhe ajo midis grekëve të Panathinaikosit dhe Dinamos së Moskës. Të dyja janë ekipe që kanë përvojë në këtë turne dhe premtojnë një përballje të bukur dhe më shumë emocion. Favoritë duken grekët, pasi luajnë në fushën e tyre, por nuk përjashtohet edhe një reagim i rusëve. Sfidë e fortë parashikohet edhe ajo midis Evertonit edhe Voslburgut. Të dyja skuadrat janë tepër të forta në kampionatet e tyre dhe e kanë vërtetuar që janë kockë e fortë. Anglezët duken favoritë, por gjermanët bëjnë një futboll mjaft sulmues dhe janë shumë të rrezikshëm. Napolitanët e Benitezit presin në Itali çekët e Spartës së Pragës. Italianët nuk po kalojnë një periudhë të mirë në kampionat dhe kjo nisi që me humbjen ndaj Atletik Bilbaos në eliminatoret e Championsit. Fitorja ndaj Spartës mund të ndizte pak shpresat për Rafa Benitezin, i cili duket larg skuadrës pas dështimeve të fundit. Përballje me interes pritet të jetë edhe ajo Fejnordit që shkon te spanjollët e Seviljes. Ndeshje që do të japë shumë, për faktin se ekipet vijnë nga një formë e mirë dhe janë pretendentë për të shkuar në tej. Kampionët në fuqi, Sevilja, duket se është edhe më e uritura. Një ekip që bëri një turne fantastik sezonin e kaluar, duke arritur të mposhtte Benfikën në finale. Këtë vit vijnë ndryshe, edhe pse duhet thënë se nuk kanë humbur formën e tyre si një skuadër e rrezikshme. Ikja e kapitenit Rakitiç, që shkoi te Barcelona, është një humbje e madhe, por që bardhekuqët kanë arritur të zgjidhin boshllëqet me anë të blerjeve të reja. Synimi është që të dalin të parët e grupit, në mënyrë që të kenë mundësi më të mëdha për të shkuar më tej në të ardhmen. Sfida të tjera interesante pritet të jenë edhe sfidat midis Klub Bruzhit dhe Torinos apo dhe Paoku që sfidon Dinamon e Minskut.

 

 Iker Kasijas drejt Arsenalit?

Kapiteni i galaktikëve, Iker Kasijas, duket se është ngopur nga kritikat e shumta të mediave spanjolle dhe tifozëve të “Los Blancos”, duke menduar largimin nga “Santiago Bernabeu”. Portieri 33-vjeçar është kritikuar shumë në sezonet e fundit, ndërsa nuk kanë munguar edhe fishkëllimet nga madrilenët. Edhe pse gjithmonë ka reaguar me qetësi në media, e vërteta duket të jetë ndryshe. Sipas medieve, 33-vjeçari ka vendosur të largohet nga Reali, ndërsa Arsenali pritet të jetë destinacioni i tij i ardhshëm. Arsen Venger vazhdon të kërkojë shërbimet e spanjollit, mirëpo nuk dihet nëse transferimi do të ndodhë në janar, apo në verën e ardhshme.

 

Roben: Bajerni synon finalen

Holandezi Arjen Roben deklaroi se objektivi i klubit të tij duhet të jetë arritja në finale të Ligës së Kampioneve. Bavarezët e fituan turneun dy sezone më parë, ndërsa në edicionin e kaluar u eliminuan në gjysmëfinale nga Reali i Madridit. “Bajerni i Mynihut duhet ta ketë për qëllim arritjen e sërishme në finale të Ligës së Kampioneve. Gjithmonë duhet pasur kujdes që të mos bëhemi arrogantë, por njëherësh duhet pasur ambicie me skuadrën e Bajernit që kemi. Thjesht nuk fillohet një turne evropian me ambicien për të arritur në çerekfinale ose pak më larg. Pa dyshim është akoma më speciale, sepse finalja është në Berlin. Ai stadium na përshtatet shumë mirë. Kam fituar tri nga katër finale të DFB-Pokal atje”, – ka thënë bavarezi.

 

 Napoli drejt shitjes?

Napoli endet mes paqartësive dhe presidenti De Laurentis projekton një të ardhme të re për shoqërinë me ndryshime të mëdha në aspektin e ekuilibrave. Eliminimi nga Liga e Kampioneve dhe kontestimi i tifozëve e kanë bindur presidentin Aurelio de Laurentis të kërkojë kapitale të reja jashtë Italisë. Objektivi kryesor është ndërtimi i një stadiumi të ri por jo vetëm. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prodhuesi i famshëm i filmave ka hedhur vështrimin nga Lindja e Mesme dhe më saktësisht nga Katari. Modeli i referimit është Roma dhe De Laurentis ka filluar të lëvizë në këtë drejtim, por pa e braktisur totalisht klubin. Por për të bërë hapin cilësor duhen burime të reja për të gjeneruar përfitime dhe në këtë aspekt, hapi i parë është stadiumi i ri. Në rastin e Romës, partneri i ri “Starwood” hyri si aksioner gradualisht, prandaj partnerët amerikanë janë më të pëlqyer sepse ata nuk dëshirojnë menjëherë të gjithë aksionet e shoqërisë së kaltër. Për sa i përket pistës nga Katari, shoqëria ende e panjohur ofron 200 milionë euro për shitjen e të gjithë paketës së aksioneve. Një shifër e rëndësishme që mund të ndryshojë në mënyrë radikale ekuilibrat dhe projektet e presidentit.

 

 

Loading...