Përgjimi i celularëve/ Gjykata Kushtetuese pezullon vendimin e qeverisë për kodin e IMEI-t: I papajtueshëm

0
106

PD: Qeveria të zbatojë vendimin e Kushtetueses, u ndalua ndërhyrja e qeverisë në privatësinë e qytetarëve

Kushtetuesja Gjykata Kushtetuese pezullon vendimin e qeverisë, mbi bazën e të cilit kërkohej nga të gjithë qytetarët dorëzimi i kodit të IMEI-të të aparateve celularë. Në njoftimin e Kushtetueses theksohet se vendimi i qeverisë i datës 4 qershor është i papajtueshëm me ligjin themeltar të vendit. Kërkesa për pezullimin e vendimit të ekzekutivit u dorëzua nga Partia Demokratike pranë Gjykatës Kushtetuese, ku sipas forcës më të madhe opozitare, dorëzimi i kodit IMEI është antiligjor dhe kundër parimeve themelore të të drejtave të njeriut. “Pasi mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga kërkuesi për pezullimin e vendimit nr. 354, datë 04.06.2014, të Këshillit të Ministrave, në bazë të nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, me vendimin e datës 17.09.2014, njëzëri, vendosi: Të urdhërojë pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 354, datë 04.06.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme” derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.

 

Reagimi i PD-së

Ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese reagoi dje Partia Demokratike, duke e cilësuar atë si një shenjë të mirë që tregon se drejtësia në vend po ndryshon. Përmes deputetit Eduard Halimi, PD theksoi se vendimi i Kushtetueses ndaloi kreun e qeverisë të ndërhyje brutalisht në jetën dhe komunikimet private të qytetarëve shqiptarë. “Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ndaloi Edi Ramen që të kontrollonte Faceboouk-un e secilit, Whatsapp-in, Viberi-in, Bbm-in aplikacione dhe programe që kryhen nga pjesa më e madhe e komunikimit mes shqiptarëve. Vendimi për të pergjuar komunikimet elektronike dhe korrespodencën personale të gjithkujt ishte antikushtetues dhe antievropian pasi cenon hapur të drejtën kushtetuese për mbrojtjen e jetës private dhe të dhënave personale. Shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës, Konventën e EDNJ-së, si dhe jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Evropiane të Drejtësisë së datës 8 prill 2014”, tha ai. Më tej, deputeti demokrat nënvizoi se marrja e të dhënave personale të abonentëve të celularëve është një dhunë qeveritare që nuk duhej të zbatohej për asnjë ditë. “Ndaj dhe vendimi i sotëm (djeshëm) është një vendim drejtësie, i cili padyshim duhet përshëndetur si një shenje e mire se zëri i qytetareve kundër dhunës qeveritare mund të dëgjohet, dhuna qeveritare mund të zmbrapset në rast se institucionet funksionojnë, arrijnë t’i qëndrojnë në themelet e pavarësisë duke bërë të mundur të ndalin veprimet arbitrare dhe autoritariste të Kryeministrit që kërkonte të bëhej Vëllai i madh duke përgjuar çdo qytetar të vendit”, – u shpreh ligjvënësi demokrat. Në këtë kontekst, Halimi pohoi se Partia demokratike përshëndet mediat, shoqërinë civile dhe gjithë njerëzit të cilët reaguan kundër këtij aktit antidemokratik dhe që mbështetën sipas tij kauzën e opozitës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve shqiptare. “Partia Demokratike i kërkon Kryeministrit të zbatojë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe vendimet e tjera të kësaj gjykate, të cilat janë të detyrueshme, janë të panegociueshme. Zbatimi i vendimit të gjykatave ka të bëjë me themelin e demokracisë, dhe kjo është një betejë që Partia Demokratike do ta bëjë çdo ditë, pa u lodhur, në emër të interesave të vendit”, – përfundoi deputeti i PD-së Eduard Halimi.

 

 Takimi BE-Shqipëri/ Fyle vjen në Tiranë më 29 shtator, në tryezë do të marrë pjesë edhe opozita

Tryeza e dialogut të Nivelit të lartë BE-Shqipëri do të zhvillohet më datë 29 shtator në Tiranë, ku do të marrë pjesë edhe eurokomisioneri Stefan Fyle. Por kjo tryezë do të shërbejë edhe për thyerjen simbolik të bojkotit nga ana e demokratëve, të cilët kanë bërë të ditur pjesëmarrjen e tyre në takim. Ndërkaq mësohet se tryeza do të ketë të njëjtin format, si ajo e muajit qershor, nga njëra anë komisoneri për Zgjerim Stefan Fyle dhe zyrtarë të tjerë të Brukselit, përballë tyre, qeveria dhe opozita shqiptare. Në këtë takim, palët do të paraqesin para përfaqësuesit të lartë të KE-së, ecurinë sa i përket reformave që janë bërë deri tani dhe çfarë duhet bërë me vonë, duke u fokusuar në prioritetet kyçe, administrata, lufta ndaj krimit, korrupsionit si dhe bashkëpunimi në Parlament mes palëve politike. Në këtë kontekst, bojkoti i opozitës pritet të jetë një tjetër diskutim i kësaj tryeze, ku në përfundim të saj eurokomisioneri Stefan Fyle pritet të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp, me Kryeministrin Edi Rama, nga ku për herë të fundit, me këtë post, do ti përcjellë mesazhet e tij, si opozitës, edhe qeverisë shqiptare.

 

 1 vit qeverisje, Berisha: Ja 24 skandalet e ekzekutivit

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha komentoi dje bilancin e qeverisë në një vit, ku renditi 24 skandale që kanë ndodhur sipas tij në këtë kohë. Të parin, deputeti demokrat, renditi injorimin sipas tij që i bëri kryeministri Rama në fjalimin e mbajtur në Parlamentin e Kosovës, të Presidentit Rugova dhe heroit Adem Jashari. “2) Kërcënimi i opozitës në Parlament nga Rama në fjalimin e tij të parë me “Prisni prisni nuk keni parë asgjë akoma, ky është vetëm fillimi” 3) Qëndrimi ne Nju Jork në hotelin four seasons për dy jave rresht me 4 mijë dollarë nata të paguar nga bamirës anonim. 4) Premtimi dhe mashtrimi për dy muaj me radhë i Shtëpisë së Bardhë, OKB dhe komunitetit ndërkombëtar për çmontimin e të gjitha armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. 5) Vjedhja e serverit të tatimeve dhe 20 milionë deklaratave tatimore të qytetarëve nga grupi i kriminelëve, trafikantëve të Parlamentit, pas arrestimit policesk të drejtorit të IT të tatimeve. 6) Nisja për vizitë, sipas njoftimit të Ilir Metës në Parlament, me datë 14 nëntor për në Beograd dhe refuzimi nga pala serbe për ta pritur dhe kthimi i tij në rrugë për në Tiranë. 7) Festimet e ditës së Pavarësisë dhe të Çlirimit me foto te Enver Hoxhës me protokoll shteti dhe shpërndarja e fotove te “Hitlerit të shqiptarëve” nga Edi Rama me rrjetin e tij te Facebook”, – shkruante ai. Më tej, ai renditi arrestimin nga Policia të drejtorit të antikorrupsionit të kryeministrisë si edhe refuzimin për një javë rresht nga policia e marrjes së dëshmisë për vendosjen e tritolit të radhës dëshmitarit të penduar. “10) Përpjekja e ulët dhe e dështuar e Ramës për të kompromentuar Presidentin e Republikës duke i dërguar atij Sekretarin e Përgjithshëm të mafias shtetërore, Agaçi, me një dosje pronësie fallso, të përgatitur nga vetë Rama, por që mori përgjigjen e merituar nga Presidenti. 11) Përdorimi i aeroporteve dhe bazave të tjera të Ushtrisë për trafik droge. Mohimi kategorik i disa informacioneve zyrtare që ekzistonin për këtë çështje dhe mbyllja pas kësaj me blloqe betoni i pistave te tyre. 12) Përdorimi i avionëve të drogës për trafik droge dhe deklarata e Ramës se ato janë mushkonja dhe jo avion droge. 13) Kalimi i Riformatos nga konfidentja e Ramës pa u regjistruar në sistemin TIMS dhe nisja e tij nga Rinasi për trafik droge. 14) Kurorëzimi i Ilir Metes si sheik dhe ditëlindja me 600 të ftuar me shpenzime të pa llogaritshme. 15) Agresioni gjatë një darke ditëlindjeje i Adi Krastës dhe dy-tre zonjave të pranishme me fjalët më të ndyra nga Edi Rama. 16) Futja në Parlament e vrasësve, trafikantëve, pengmarrësve dhe emërimi i tyre në poste të larta kyçe të administratës shtetërore. Po ashtu në këtë listë Berisha rënditi vrasjen e Artan Santos, goditjen e opozitës në Parlament, skandalin e pedofilisë në Sarandë, tenderat e ndryshëm, arrestimin e guvernatorit Fullani, dasmën e ministri Veliaj si edhe marrëveshjen e qeverisë me CEZ.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency