Hetimet për vjedhjen / Prokuroria merr në pyetje audituesit e huaj të Emisionit. Elivar Golemi flet sot

0
136

Vazhdon protesta për lirimin e kryeinspektores, familjarët kërkojnë drejtësi

elivar Shtyhet për nesër marrja në pyetje e inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi. Prokuroria e Tiranës do të pyesë sot kryeinspektoren e akuzuar për shpërdorim detyre në hetimin që organi akuzës ka ngritur për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë.

Kjo është hera e parë që Elivar Golemi merret në pyetje nga Prokuroria në kuadër të hetimeve për vjedhjen e 713 milionë lekëve.

Marrja në pyetje e Elivar Golemit ishte planifikuar të bëhej dje. Shkak për shtyrjen e marrjes në pyetje të Elivar Golemit ka qenë mungesa e avokatit mbrojtës. Është hera e dytë që marrja në pyetje e ish-inspektores shtyhet, pas asaj të javës së kaluar ku organi i akuzës, nisur nga dëshmitë e dhëna nga Këshilli Mbikëqyrës, vendosi të shtynte marrjen në pyetje të Golemit, duke u shprehur se dëshmitë e bordit drejtues kanë dhënë prova të reja.

Burime pranë hetuesisë së kryeqytetit bëjnë të ditur se Golemi do të merret në pyetje në qelinë e saj, nga burgu ku ajo vuan dënimin.

Elivar Golemi e arrestuar mbrëmjen e 5 shtatorit për shpërdorim detyre, ashtu si dhe guvernatori i BSH-së, Adrian Fullani, ka bërë të ditur se do të çojë rekurs në gjykatën e lartë. Golemi ndodhet në qelinë e 313-ës, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi në seancën e të hënës 15 shtator, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës për arrest me burg. Ndërsa po për të njëjtën akuzë Gjykata ndryshoi masën e sigurisë për ish-guvernatorin Ardian Fullani, nga arrest me burg në arrest shtëpie.

“Unë i kam kryer të gjitha detyrimet e mia ligjore dhe qëndrimi im në burg është jo në përputhje me ligjin. Unë nuk cenoj hetimin, nuk kam dhënë asnjëherë motiv për t’u besuar kjo tezë”, – tha Golemi para trupit gjyqësor të Gjykatës së Apelit ditën e hënë, teksa kërkojë ndryshimin e masë së sigurisë, por në seancën e 15-shtatorit Gjykata nuk pranoi kërkesën e saj, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, “Arrest me burg”.

Ndërkohë për të dytën ditë radhazi, në Shkodër, qytetarë, të afërm e familjarë të Elivar Golemit, protestojnë për lirimin e saj. Sytë e familjarëve dhe mbështetësve të Elivar Golemit janë kthyer nga Gjykata e Lartë.

Valjeta Golemi është e bindur se e motra e saj, Elivari Golemi, kryeinspektorja e Bankës së Shqipërisë, nuk ka bërë asnjë krim në skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve. Në një deklarim për mediat, ajo nuk kërkon të bëjë presion dhe të ndërhyjë te drejtësia, por kërkon që drejtësia të funksionojë për të gjithë njëlloj. Për Valjeta Golemin faji i vetëm i Elivarit është se “nuk ka mbështetje shumë të fortë e nuk ka para”.

E gjendur mes protestuesve, motra e Elivar Golemit, Valjeta Golemi, kërkon që motra e saj të gjykohet me arrest shtëpie, jo si një kriminele, por si një person me dinjitet.

“Kërkojmë që drejtësia të funksionojë për të gjithë njëlloj. Gjërat nuk janë të drejta. Isha atë ditë në sallën e Apelit ishte hera e parë që iu dha e drejta për të folur. Kur gjykatësi e pyeti për auditet ajo dha sqarime se auditet ishin zhvilluar dhe protokolluar pranë Këshillit Mbikëqyrës, dhe një kopje ranë Komisionit të Ekonomisë. Ndërsa prokurori deklaronte se nuk ishte në dijeni të tyre”, – thotë ajo.

“Si mund të bëhet një akuzë kur prokuroria nuk është në dijeni të dokumenteve që ekzistojnë? A mund të zhvillohet akuza kur Prokuroria nuk ka marrë të gjithë informacionin e nevojshëm. Të zbatohen të drejtat e njeriut për motrën time. Nëse ligjet shqiptare parashikojnë që shkallet e ndalimit janë të ndryshme, ajo mund të hetohet në një masë më të lehtë. Mund të ndalohej për mosprishje të dokumenteve. Por ato janë depozituar pranë organeve përkatëse dhe nuk kishte si t’i dëmtonte. Faji i saj i vetëm është se nuk ka mbështetje shumë të fortë e nuk ka para. Nuk jam kundër lirimit të Fullanit, sepse është e drejtë e tij, por siç u bë për të drejtësia të veprojë për motrën time. Për motrën time jam shumë e bindur që është e pafajshme. Por megjithatë t’i lihet hetimit, drejtësia të jetë e njëllojtë”, – thotë Golemi.

 

Anëtarët e Këshillit, sërish në pyetje

Prokurorët që po hetojnë vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, do të thërrasin përsëri në pyetje anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se vendimi për ripyetjen e anëtareve të Këshillit lidhet me të dhënat e reja të reja që kanë dalë në procesin hetimor për vjedhjen e Bankës. Të njëjtat burime saktësojnë se sot do të jenë në Prokurori edhe tre punonjës të tjerë të departamentit të Sigurisë në Linzë, të cilët duhet t’u përgjigjen prokurorëve jo vetëm për sigurinë e departamentit, por edhe për rregulloren e hyrje-daljeve në këtë objekt të makinave të blinduara.

 

 Fillon pyetja e audituesve të huaj të “Grant Thornton”/  Në vitin 2012 audituesi me cilësinë e vëzhguesit, në 2013 s’kishte të tillë

Për gati tri orë, Prokuroria e Tiranës mori në pyetje audituesin e parë të kompanisë ndërkombëtare “Grant Thornton”, i cili në vitin 2012 ka marrë pjesë në procesin e inventarizimit fizik të arkës për veprim në departamentin e Emisionit në Linzë. Ky veprim i grupit hetimor vjen fill pas sekuestrimit të dokumenteve nga zyrat e kësaj firmë dhe përfaqësuesi i saj në Shqipëri ka dhënë detaje për mënyrën e auditimit dhe përse nuk është pikasur vjedhja për tre vitet e fundit, në një kohë kur Ardian Bitraj deklaronte se ka vjedhur para nga Thesari.

Burime të prokurorisë, bënë të ditur se audituesi i “Grant Thornton”, 30-vjeçari Behar Bajramaj, ka dëshmuar para prokurorëve se kompania “Grant Thornton” e kishte caktuar që të vëzhgonte se si bëhej inventarizimi fizik i arkës në veprim dhe se në datën 24 dhjetor 2012 ai ka deklaruar se inventarizuesit shqiptare nuk kishin konstatuar mangësi fizike të lekëve në Linzë.

“Në datën 24 dhjetor 2012 takova në Linzë Mehdi Mollën, Gentjan Jahjen dhe Petrit Ramohitajn. Unë ndiqja në se inventarizimi fizik bëhej konform rregullores dhe duke qenë se unë isha auditues i jashtëm përzgjodha disa kuti në mënyrë rastësore. Këto veprime i bëra për sigurinë tonë, pasi duke qenë se jam autidues i jashtëm nuk mund ta orientoja grupin pasi isha në cilësinë e vëzhguesit. Ata nuk gjetën mangësi fizike, sepse në se do konstatoheshin të tilla, unë duhet të njoftoja eprorët e mi. Në inventarizimin e vitit 2013 në këtë proces, me sa di unë, nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i kompanisë ‘Grant Thornton’”, – mësohet të ketë deklaruar Behar Bajramaj para grupit të prokurorëve. Pas dëshmisë së Bajramajt mësohet së prokurorët pritet të thërrasin së shpejti edhe menaxherin e auditimit dhe partnerin e vlerësimit të kësaj kompanie.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency