Arratisja e të dënuarit/ Policia kërkon me fotografi në dorë të arratisurin e dënuar me 18 vjet burg

0
125

Fugoni prej të cilit u arratis 22-vjeçari, nuk plotësonte asnjë kusht për transport të dënuarish

furgon policie Policia kërkon me fotografi në dorë të arratisurin e dënuar me 18 vjet burg. Dy ditë pas arratisjes nga fugoni që po e transportonte 22-vjeçarin Nirgen Ymeri, nga Tirana në drejtim të burgut të Fushë Krujës, nuk ka vënë në dispozicion të medias foton e tij, por ka zgjedhur të trokasë derë më derë nëpër banesat e zonës së Yzberishtit duke treguar foton e të arratisurit.

Nirgen Ymeri, 22-vjeçar, i cili u arratis nga policia teksa shoqërohej për në burgun e Fushë-Krujës nuk ishte i prangosur ndërsa ruhej në sediljet e pasme të fugonit vetëm nga një efektiv i policisë. Arratisja spektakolare e të dënuarit me 18 vite burg për tentativë vrasjeje, bëri që shërbimi I kontrollit të brendshëm të arrestojë dy policët e togës së shoqërimit ndërsa të verë nën hetim shoferin e fugonit të policisë i cili nuk plotëson kushtet për transportin e të dënuarve.

Burime pranë policisë së Tiranës bënë me dije se fugoni transportues i të dënuarit nuk ka qenë i pajisur me kafaz mbrojtës por për shoqërimin e 22-vjeçarit të dënuar për vrasje me dashje të mbetur në tentativë është përdorur një mjet normal i cili përdoret për transportin e efektivëve.

Ngjarja ndodhi mesditën e së martës në Tiranë, kur Nirgen Ymeri, banues në kryeqytet po transportohej drejt Burgut të Fushë-Krujës për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata. Ai u arrestua më 5 shtator afër banesës si person në kërkim ndërsa pas dhjetë ditësh është vendosur izolimi në qeli. Por gjatë udhëtimit afër Kamzës 22-vjeçari ka arritur të dalë nga makina duke u larguar me vrap.

Disa metra më tej Ymerin e kanë pritur tre persona të tjerë mes tyre i vëllai që e ndihmuan të arratisej. Prej dy ditësh policia vazhdon kërkimet në një kompleks pallatesh në zonën e Yzberishtit ku mendohet se fshihet Nirgen Ymeri.

 

 Luftë padish/ Bashkia e Tiranës padit Tahirin, Didën dhe Dajtin

Bashkia e Tiranës ka bërë dje kallëzim penal për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtorin e Policisë së Shtetit, Artan Didi, dhe për ish-kreun e INUK-ut, Zyhdi Dajtin. Sipas Bashkisë së Tiranës, këta zyrtarë kanë “shpërdoruar detyrën” sa u takon ndërtimeve pa leje në kryeqytet. Kallëzimet penale ndaj ministrit Tahiri, drejtorit të Policisë Didi dhe ish-kreut të INUK Dajti, vijnë pas një serie prishjesh ndërtimesh të konsideruara si të ndërtuara pa leje.

Ndërkohë dje, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar paditi dy zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, kjo e fundit është përgjigjur me tri të tilla. INUK ka dorëzuar në Prokuroritë e Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzim penal ndaj dy funksionarëve të Bashkisë Tiranë, ndaj Florenc Hoxhës dhe Vullnet Topallit. INUK e ka paditur drejtorin e Policisë Bashkiake Tiranë, Vullnet Topalli, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Për të njëjtën shkelje INUK ka dorëzuar ka kallëzuar penalisht edhe Florenc Hoxhën, i cili aktualisht mban detyrën e kryeinspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, Bashkia Tiranë.

 

Morinë/ Kontrabandë në linjën Prishtinë – Tiranë, tre të proceduar për 34 mijë euro mall

Zbulimi i një rasti kontrabandë mallrash në autobusin e linjës Prishtinë – Tiranë ka bërë që policia e Tiranës të arrestojë në kushtet e flagrancës 43-vjeçarin Shkëlqim Hoxha, banues në Tiranë. Në lidhje me këtë ngjarje, mësohet se ka nisur procedimin në hetim të lirë për Dritan. G., 44 vjeç, banues në Lushnjë, Barije S., 54 vjeç, banuese në Tiranë dhe Marieza H., 27 vjeç, lindur dhe banuese në Durrës. Operacioni i koduar “Porosia III” u finalizua nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik Financiar rreth orës 02:00 të ditës së djeshme. Policia e Tiranës, saktësoi se procedimi ndaj tyre ka filluar pasi në datë 16.9.2014, rreth orës 18:00, nga kontrolli i ushtruar në mjetin “Autobus Setra” me targa AA 107 AZ, në pronësi të kompanisë “Osumi Trevell”, i cili kryente linjën Prishtinë-Tiranë, është konstatuar një sasi e konsiderueshme me mallra konfeksione të fshehura, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore në pikën e kalimit kufitar Morinë. Sa sipër, është bërë sekuestrimi i mallit, ku vlera e përllogaritur arrin në shumën 34 000 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme, lidhur me veprat penale “Tregtimi, transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

 

 Angli/ Arrestohen 4 shqiptarë për emigracion të paligjshëm

Katër shtetas shqiptarë janë arrestuar, pasi akuzohen për emigracion të paligjshëm. Ata u arrestuan, pasi u gjetën të fshehur në pjesën e prapme të një kamioni në Bury St Edmunds. Mediat angleze shkruajnë se katër personat, identiteti i të cilëve nuk bëhet ishin meshkuj dhe i përkisnin moshës 21, 26, 37 dhe 40 vjeç. Pas arrestimit ata u dërguan menjëherë në Qendrën e Hetimit të Policisë. Ngjarja ndodhi ditën e hënë kur 4 burrat ishin parë duke u hedhur nga një kamion që ishte i parkuar në rrugën Mildenhall. Gjatë operacionit për arrestimin e shqiptarëve u përfshi edhe një helikopter.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency