Si u shpëtuan infermieret amerikane në Shqipëri

0
140

Ilir Ikonomi

Timothy M. Gay Më 8 nëntor 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, një ekip mjekësor amerikan që udhëtonte me avion nga Sicilia për në Bari të Italisë, bëri ulje të detyruar në Shqipërinë e Mesme, për shkak të motit të keq. Në këtë grup ishin 13 infermiere amerikane. Për dy muaj me radhë, infermieret dhe amerikanët e tjerë të ndihmuar nga forcat partizane dhe pastaj ato nacionaliste përshkuan një rrugë të gjatë derisa dolën në bregdetin e Karaburunit, duke arritur t’u shpëtojnë nazistëve që kishin pushtuar Shqipërinë. Në fillim të janarit 1944, ato u shpëtuan nga shërbimet e fshehta angleze. Kolegu ynë Ilir Ikonomi bisedoi me zotin Timothy Gay, autor i një libri që flet për sagën e amerikanëve nëpër Shqipëri. Libri titullohet “Savage Will” – “Vullneti i ashpër” dhe është botuar në vitin 2013 në Shtetet e Bashkuara.

 

Zëri i Amerikës: Si ishte gjendja në Shqipëri në kohën për të cilën po flasim?

 Timothy M. Gay: Ishte e ndërlikuar si shumë gjëra të tjera në Ballkan gjatë luftës. Kishte elementë të rezistencës që ishin rreshtuar qartë me aleatët, kishte elementë të tjerë që ishin skeptikë për t’u lidhur me aleatët; kishte anëtarë të tjerë të Ballit Kombëtar që ishin ose asnjanës, ose në disa raste të lidhur me gjermanët dhe italianët. Një njeri i quajtur Hasan Gina, njëri ndër udhëheqësit e rezistencës, ishte i pari që arriti bashkë me grupin e tij, në vendin ku avioni bëri ulje të detyruar. Ai u tha amerikanëve: “Unë jam një nga të paktët njerëz në Shqipëri, tek të cilët ju mund të keni besim. Gjërat janë të ndërlikuara këtu dhe ju nuk do ta kuptoni dot kurrë se çfarë mund t’ju ndodhë”. Por, pasi grupi filloi udhëtimin, amerikanët e kuptuan se mund të tradhtoheshin në çdo çast nga njerëzit që ata mendonin se ishin miqtë e tyre.

 

Zëri i Amerikës: Pra, askush nuk e dinte se ç’mund të ndodhte. Dhe ky njeri u përkiste partizanëve?

 Timothy M. Gay: Është e qartë se Hasani ishte partizan dhe komunist, që i merrte urdhrat nga Hoxha dhe nga udhëheqës të tjerë komunistë të komandës ushtarake. Pasi ai u raportoi se një avion amerikan transporti me një personel mjekësor prej 30 vetash kishte bërë ulje të detyruar, Hoxha dhe ndihmësit e tij i thanë Hasan Ginës të vazhdonte t’i çonte amerikanët sa andej-këtej, sepse kjo i duhej për propagandë. Ata donin t’i bindnin shqiptarët se këta amerikanë ishin pararoja e një force çlirimtare imagjinare, ndërkohë që grupi i amerikanëve thjesht kishte humbur rrugën mbi detin Jon dhe Adriatik dhe ishte ulur aksidentalisht në Shqipëri. Për më tepër, këta amerikanë ishin të paarmatosur dhe mbanin shenja që i identifikonin si infermiere dhe ndihmësmjekë. Megjithatë, kjo propagandë funksionoi. Ju jeni vetë nga Berati dhe ndoshta e dini se çfarë ndodhi kur pas disa ditësh grupi i amerikanëve hyri në qytet dhe u pritën si heronj çlirimtarë. Ata ndenjën atje tri ditë dhe ikën përpara se gjermanët ta sulmonin qytetin më 15 nëntor.

 

Zëri i Amerikës: Kur e kuptuan gjermanët që këta amerikanë ndodheshin në Shqipëri?

 Timothy M. Gay: Nuk e dimë me saktësi, por dimë se në ditën e dytë pas uljes së detyruar, më 9 nëntor, pra përpara se grupi të nisej për në Berat, një avion gjerman zbulimi fluturoi pikërisht mbi vendin e rrëzimit. Dimë gjithashtu se kur grupi arriti në Berat, në qytet kishte agjentë të gjermanëve, të cilët duhet të kishin raportuar se amerikanët ishin vënë të parakalonin nëpër rrugë, se ishin pritur me madhështi dhe se kishin qëndruar aty tre ditë duke shëtitur nëpër qytet. Jam i sigurt se gjermanët duhet ta kenë ditur, sepse siç përmenda, ata e sulmuan ashpër Beratin, me tanke dhe mjete të blinduara si dhe me avionë bombardues “Stuka” dhe “Messerschmidt”, duke e shkatërruar qytetin.

 

Zëri i Amerikës: Njëri nga personazhet interesante në gjithë këtë histori ishte Kostaq Stefa, njeriu që shërbeu si shoqërues dhe përkthyes i amerikanëve, i cili pas luftës u burgos dhe u ekzekutua nga komunistët. Çfarë roli luajti ai në shpëtimin e amerikanëve?

Timothy M. Gay: Pa Kostaq Stefën, ata nuk do të kishin shpëtuar kurrë. Ai kishte qenë kryeinspektor arsimi në Berat, një nga njerëzit më të shquar të qytetit dhe një pjesëtar shumë aktiv i rezistencës. Nuk është e qartë as sot nëse ai ishte një partizan me bindje aq të forta sa ç’mendohej nga grupi i amerikanëve. Ai mund të ketë pasur lidhje me nacionalistët, të cilët në fakt ishin rreshtuar me gjermanët. Pas luftës, fakti që Kostaq Stefa ndihmoi aq shumë për të shpëtuar amerikanët, ngjalli dyshime tek regjimi dhe ai u ekzekutua tragjikisht nga njerëzit e Hoxhës në vitin 1948. Gruaja e tij, Eleni Stefa, ndërroi jetë pak javë më parë në moshën 102-vjeçare. Ajo dhe bashkëshorti i saj janë heronj të heshtur për Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore, sepse pa ata, amerikanët nuk do të ishin shpëtuar dot.

 

Zëri i Amerikës: Cili ishte perceptimi i shqiptarëve për amerikanët gjatë asaj periudhe?

 Timothy M. Gay: Amerika ishte e dashur për shumë njerëz në Shqipëri, për shkak se Presidenti Woodrow Wilson në Konferencën e Versajës ishte i pari udhëheqës perëndimor që njohu nevojën e Shqipërisë për pavarësi dhe gjatë Lidhjes së Kombeve, e cila ishte një krijesë e Wilsonit, në fillim të viteve 1920, Shqipëria eksperimentoi me demokracinë për një periudhë të shkurtër. Si mirënjohje për Presidentin amerikan, ata propozuan që porti i Shëngjinit të quhej Porti Wilson. Mijëra shqiptarë mundën të kontaktonin me grupin e amerikanëve gjatë udhëtimit të tyre nga një fshat në tjetrin nëpër Shqipëri.

 

Zëri i Amerikës: Si ndodhi që, siç e tregoni edhe ju në këtë libër, shpëtimi i amerikanëve u mor përsipër më pas nga nacionalistët?

 Timothy M. Gay: Është e ndërlikuar dhe nuk e di nëse do ta mësojmë ndonjëherë historinë e saktë, por është e qartë se aleatët kishin biseduar për këtë çështje jo vetëm me Hoxhën, por edhe me disa elementë të lëvizjes nacionaliste dhe me Ballin, disa prej të cilëve bashkëpunonin me gjermanët. Agjenti britanik Gary Duffy i mori ata nga Shqipëria Lindore dhe i çoi nëpër male, deri në Dukat. Aty ata u pritën nga njerëz të Ballit dhe bashkë me një oficer amerikan të zbulimit, kapitenin Smith, u zbritën në një pikë të bregdetit, ku kishte disa shpella dhe kështu gjermanët nuk arritën t’i kapin. Dua të tregoj diçka interesante. Dy nga njerëzit e ekuipazhit të anijes që i mori fshehurazi amerikanët për t’i kthyer në Itali, njëri anglez dhe tjetri amerikan, më vonë u bënë aktorë të njohur, njëri prej tyre ka luajtur rolin e një polici në filmin “Godfather” (“Kumbari”).

 

Zëri i Amerikës: Si u prit lajmi i shpëtimit këtu në Shtetet e Bashkuara?

 Timothy M. Gay: Për arsye sigurie, që gjermanët të mos e kuptonin se sa i gjerë ishte rrjeti i rezistencës në Shqipëri, lajmi i shpëtimit nuk u lejua të përhapej. Ai u bë i ditur vetëm pas gjashtë javësh që kështu të mbroheshin edhe njerëzit në Shqipëri, të cilët ndihmuan në këtë operacion. Madje, gjatë kësaj kohe, nga amerikanët u përhapën qëllimisht informacione të rreme për të çorientuar gjermanët. Unë nuk e dija këtë dhe e kuptova vetëm, pasi u hyra seriozisht kërkimeve për të shkruar librin. Dua të përmend edhe diçka tjetër: kur gjermanët hynë në Berat, tri infermiere nuk arritën dot të largoheshin. Ato u strehuan nga familja beratase Karaja, Nani dhe Goni Karaja, që treguan një guxim mjaft të madh. U deshën të kalonin edhe tre muaj të tjerë që, me ndihmën e disa njerëzve të Ballit Kombëtar, ato të mund të largoheshin nga Shqipëria në mars të vitit 1944.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency