Standard.al

Rriten kreditë me probleme, arrijnë rekordin prej 24.9%

kredite me problemeHuatë e humbura arrijnë në një nivel rekord të dekadës së fundit, duke arritur në gati 490 milionë euro apo gjysmën e totalit të huave që nuk po kthehen në afat. Muaji korrik ka sjellë një rritje të mëtejshme të raportit të huave joperformuese (NPL), të cilat kanë arritur në 24.9% të totalit nga 24.06% që ishin në fund të tremujorit të dytë 2014. Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat mujore të Shoqatës së Bankave. Rritja e papritur vjen në një kohë që dukej se niveli i NPL-ve ishte stabilizuar dhe po shkonte drejt frenimit, teksa politikat e ndërmarra prej më se dy vitesh nga Banka e Shqipërisë kishin filluar të jepnin efektin e tyre. Nga ana tjetër, që nga muaji maj, kredia për ekonominë kishte shënuar një rritje të lehtë, duke sinjalizuar një përmirësim të situatës së sistemit bankar.

 

Niveli

Niveli i NPL-së në korrik prej gati 25% është më i larti që nga qershori 2001, kur rezultonte 40%. Pas asaj periudhe, sistemi bankar u pastrua nga huatë me probleme të bankave të atëhershme shtetërore. Privatizimi i tyre dhe hyrja e kapitalit të huaj përmirësoi ndjeshëm cilësinë dhe performancën e sistemit bankar në Shqipëri deri në vitin 2008. Pas 2008-ës, kriza ekonomike financiare çoi në një rritje të shpejtë të huave me probleme, nga 4.11% në tremujorin e tretë 2008 në rreth një të katërtën e totalit të kredive që janë dhënë për ekonominë, aktualisht. Në korrik, rritja e huave e probleme ka ardhur nga zgjerimi i huave nënstandarde (kategoria e parë kur një kredi fillon e konsiderohet problematike), që u rrit me 8% në vlerë absolute, në 45 miliardë lekë, apo rreth 33% të NPL-ve gjithsej. Kjo prirje tregon se portofoli i mirë i kredisë (huatë standarde dhe ato në ndjekje, deri në tre muaj vonesë) po vazhdon të përkeqësohet. Stoku i huave standarde (deri në një muaj vonesë) u ul me 1.2% në vlerë absolute. Ndërkohë, huatë e humbura (që bankat nuk kanë shpresë se do t’i marrin ndonjëherë) frenuan rritjen në korrik, megjithatë ato përbëjnë gati gjysmën e portofolit të kredive me probleme (pa llogaritur interesat), duke rezultuar në 68 miliardë lekë apo gati 490 milionë euro në korrik. Në raport me stokun total të kredive, huatë e humbura zënë rreth 12% në korrik, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave.

 

Sigurimet, primi për frymë ulet ndjeshëm, arrin në rreth 3,000 lekë

Shqipëria llogarit primin e sigurimeve më të ulët për frymë krahasuar me vendet e rajonit. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për gjeografinë e shpërndarjes së sigurimeve 2013 primi për frymë u llogarit në rreth 3,000 lekë me ulje prej rreth 271 lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shifra tregon densitetin shumë të ulët të sigurimeve në raport me popullsinë në Shqipëri, në një kohë kur në vendet e rajonit ajo u llogarit mesatarisht në 100 euro/frymë për vitin 2013. Në vendet e Evropës primi i sigurimeve për banorë shkon nga 1,000 dollarë deri në 40,000 dollarë, siç është rasti i Luksemburgut. AMF në publikimin e saj bën të ditur se për sa i përket primit për frymë sipas prefekturave, Prefektura Tiranë me 7,232.83 lekë për frymë zë vendin e parë, e pasuar nga prefektura Gjirokastër me 2,704.91 lekë për frymë dhe më tej Durrësi dhe Vlora përkatësisht me 2,264.66 lekë për frymë dhe 1,524.80 lekë për frymë. Ndërsa në lidhje me dëmet e paguara gjatë vitit 2013, sipas prefekturave, përsëri, pjesën më të madhe të dëmeve të paguara e ka prefektura e Tiranës me 60.57%, e pasuar nga prefektura Vlorë me 6.86%.

 

Comments are closed.