Intervista/ Berisha: Fullanin e burgosi Rama, Fatos Nano u fut brenda me dosje të hartuar nga socialistët

0
136

Gëzim Saliu

intervista berisha Deputeti i PD-së: Kjo është qeveri e skandaleve. Izet Haxhia një vrasës, dyshimet e mia për vrasjen e Azem Hajdarit

 Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi dje në një intervistë për në emisionin “Studio e hapur” e drejtuar nga gazetarja Eni Vasili në “News 24” arrestimin e guvernatorit Fullani si edhe çështjen e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë. Po ashtu, deputeti i PD-së foli edhe lidhur me paralelizmin e burgosjes së ish-kreut të qeverisë, Fatos Nano, për të cilin tha se dosja iu përgatit nga ish-ministrat socialistë. Nga ana tjetër, Berisha komentoi edhe bilancin e qeverisë në një vit qeverisje si edhe vendimin e opozitës për bojkot të parlamentit.

 

Doja t’ju pyesja për skandalin që ka përfshirë Bankën e Shqipërisë. Jeni nga të vetmit zëra të politikës që e konsideroni stalinist arrestimin. Mos jeni vetëm?

Mund të jem vetëm, por në këto kushte e bëj për të drejtat dhe liritë njerëzore. Kam mbetur dhe do mbes pro i atyre parimeve. Ndodhi një krim i shëmtuar. U vu dorë, u prek, u vodh në kasafortën e shtetit. Jashtë populizmit, dhe e them këtu për arsye strikte për arsye politike, kërkova publikisht një hetim të rreptë dhe vendosjen para ligjit të përgjegjësve të këtij akti. Nisi një proces që në pamje të parë ishte proces në përputhje me shtetin ligjor. U arrestua hajduti dhe bashkëpunëtorë. Publikisht qëndrova, pasi nisi analogjia. Kisha denoncuar publikisht vjedhjen e Thesarit në Kërrabë, por në rastin e tij, ku u vodhën mbi 40 milionë dollarë. Meta deklaroi se në Kërrabë, theksoi, se aty ka qymyr dhe jo flori. Në atë rast, i vetmi që u arrestua ishte oficeri që më informoi. Madje, për këtë rast u arrestuan dhe dy fshatarë dhe oficeri dhe asnjë tjetër.

 

Për çfarë na shërben ky paralelizëm?

Hajduti në këtë rast u arrestua.

 

Hajduti u vetëdorëzua…

Kjo nuk ka rëndësi, pasi ai është arrestuar. Prokuroria nuk interesohej për hetimin, por për të arrestuar guvernatorin. Prokurori nuk e mori në pyetje. Në këto kushte u vërtetua se nuk kishte për qëllim hetimin. Po të shkojmë tek kasaforta, ajo ka një sërë procedurash dhe sigurisht, pra i administron një përgjegjës sigurie. Për të faktuar se Prokuroria nuk do hetimet, përgjegjësi i departamentit nuk ka dëshmuar në Prokurori, i cili është babai i Brisilda Shehajt. Po të ishte përgjegjësi në Prokurori, nuk do kishte arrestim të Guvernatorit. Kemi një arrestim të paracaktuar për arrestimin e Fullanit. Është inskenim i Ramës.

 

Cili është interesi i Ramës?

Interesi i Ramës është se caktohet nga një qëllim: udhëhiqet nga urrejtja. Ka një faqe për zonjën Fullani, ku e ka detyruar Ramën për të mbajtur atësinë e të birit. Një padi që u bë ndaj meje, i ra fatkeqësisht zonjës Fullani të merrej. Edi Rama çdo tre muaj deklaronte se nuk do ketë para për të paguar pensione dhe rrogat dhe se deklaroi se Fullani do presë paratë. Fullani mund të ketë pasur 100 të meta, por ka mbajtur qëndrim stabiliteti monetar për kohën e krizës rajonale.

 

Ju flisni për pavarësi të Bankës. A mund të flasim për një të tillë?

Po, mund të flasim. Banka me ligj, duhet t’i japë qeverisë 5% të deficitit buxhetor. Nga viti 2012 nuk i është kërkuar asnjë qindarkë BSH-së.

 

Më kujtohet se Fatos Nano u burgos për shpërdorim detyre?

Ai u fundos për një dosje të hartuar nga PS. Dosja e Fatos Nanos u përgatit nga ish-ministra të qeverisë së tij, në kohën kur ai ishte ministër i Jashtëm, dhe nuk është lëvizur asnjë presje nga qeveria ime.

 

Këto ditë po riciklohen nga njerëz që punon afër jush disa akuza se ju keni mbajtur anë në konfliktin e tmerrshëm në Tropojë, e kam fjalën për një intervistë të Izet Haxhiajt…

Të fusësh në emision një vrasës… Ky zotëri së bashku me vëllezërit e tij, të cilët janë në burg, ka qenë pjesëmarrës aktiv në një vrasje. Ky është një vrasës. Ka pasur vëllain oficer policie në ditën e vrasjes. Kjo intervistë është marrë nga djemtë e Arta Dades dhe të merrem me një vrasës s’ia vlen. Se kush i ka dalë në pritë Azem Hajdarit atë e di drejtësia. Ka një dosje dhe hetimet e kanë dënuar.

 

Pse këto akuza qarkullojnë herë pas here dhe pse ndodhi gjithë ai konflikt? A do zbardhet ndonjëherë se çka ndodhi në Tropojë?

Së pari çfarë ndodhi në Tiranë? Së pari, kam pas të gjitha dyshimet për Fatos Nanon, por mbrapa të gjitha dyshimet e mia janë për Skënder Gjinushin dhe Fatos Klosin. Por, vrasësit kanë shkuar nga Tirana në Tropojë tek Nehat Kulla. Nuk besoj se socialistët të kishin kaq interes për procesin, por ua imponoi BE. Ka pasur dënime, por nuk them plotësisht. Tropoja ka qenë vendi më me pak vrasja në të gjithë Shqipërinë, nga viti 1900 deri në 1997 vrasjet numërohen me gishtërinjtë e dorës. Vrasjet mbrapa i nxiti tërësisht qeveria, për një urrejtje dhe hakmarrja ndaj krahinës sime.

 

Qeverisja e zotit Rama ka mbushur njëvjeçarin e vet. Çfarë ka qenë ky vit për ju?

Ky vit ka qenë viti i skandaleve qeveritare. Nëse do bëjmë vështrim mbi këtë vit, do ngjajë me një shprehje, qeveri të bazuar në skandale. E filloi zotëria e tij pa dhënë betimin, me një vizitë në Kosovë ku për herë të parë përzuri nga Parlamenti opozitën e Kosovës. Pasi shkoi e lexoi një fjalim kryekëput të përgatitur nga Rexhep Qosja. Qosja dhe PDK kanë qenë kundërshtarë së bashku, por asnjëra prej tyre nuk mohoi kurrë punën e Rugovës. Qosja ka qenë kundër Rugovës. Shkon në Nju Jork dhe instalohet në një hotel me 4 mijë dollarë nata, për dy javë rresht. Një tjetër skandal ishte dhe ai i Tatimeve. Mandej dhe avionët e drogave në Divjakë. Ku i ra rrota në Divjakë dhe vraponin si Sanço Panço për të marrë meritën për kapjen e drogës. Një tjetër skandal ishte dhe pedofili i të punësuarit të Koço Kokëdhimës. Pedofilin e arrestoi “News 24” dhe jo Edi Rama. U ekzekutua para Policisë së Shtetit, në vendin më të filmuar në vend, një nga tre bankierët e vendit. Kush e pësoi? Asnjë. Para tri javëve u shkarkua një polic. Dhe Edi Rama theksoi se: më vranë mizorisht një mik të mirë, një çun Tirone. Por dhe të vrarët e tjerë janë bij nënash. Doli një skandal në bankë. Filloi procesin stalinist, me Meksin, me të gjitha mjetet, gjersa shkoi në arrestim pa e marrë në pyetje guvernatorin. Merr armët kimike. I premtoi qeverisë amerikane për armët.

 

A ka bërë diçka të mirë qeveria “Rama”?

Ata po marrin një aspekt tjetër. Qeveria e tij nuk ka mbajtur asnjë premtim të dhënë. Sado u përpoqën që ta relativizojnë avokatin e fshehur dhe ky u rrëmbeu shumë premtime dhe s’bëri asgjë. Çdo premtim ishte një mashtrim, por çdo gjë shkojë në drejtimin të kundërt. Me marrëveshjen që bën me CEZ penalizuan ekonominë shqiptare dhe po i çojnë shqiptarët me çmime të larta.

 

S’mund të themi se s’ka bërë reforma….

Po, ka bërë pseudoreforma. Premtoi 300 mijë vend pune.

 

Brenda një mandati….

Po brenda një mandati. Por thonë se janë 43 mijë vende pune, por harron se i ka dyfishuar sigurimet shoqërore dhe ka rritur taksat. Ekonomia sot është në një situatë kritike. A e dini ju se kreditë e këqija janë më të larta se kurrë dhe kanë arritur në 25%? Ka kontraktuar një borxh të ri me 300 milionë euro.

 

 Denoncimi/ PD: Falsifikoi zgjedhjet dhe u përjashtua nga policia, bëhet shef i Antikontrabandës

 Ristani: Doda është përjashtuar nga policia, se ka dekonspiruar aksionin e policisë, që solli si pasojë vrasjen e një oficeri

 Partia Demokratike vazhdoi dje denoncimet ndaj emërimeve të mazhorancës qeverisëse në postet më të larta drejtuese të administratës, ku deklaroi se shefi i Antidrogës në Lezhë ka qenë komisioner në zgjedhjet e 23 qershorit dhe akuzohet nga Prokuroria për falsifikim të rezultatit. Deputeti i PD-së, Arben Ristani, pohoi nga selia blu se denoncimi i demokratëve është lehtësisht i verifikueshëm, pasi akuza ndaj shefit të Antidrogës është pasqyruar në të gjitha mediat. “Dy zhvillime ka sot me rendin në vend. Pasiguri, shpërthime të njëpasnjëshme të tritolit dhe vrasje thuajse çdo ditë. Paralelisht, kemi rritje të paligjshmërisë dhe inkriminim të Policisë së Shtetit. Gjergj Doda është nën procedim penal dhe dosja e tij ka shkuar në Gjykatë, pasi si komisioner i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 23 qershorit, ai akuzohet nga Prokuroria për falsifikim të materialit zgjedhor dhe të rezultatit të zgjedhjeve. Ky është një lajm që e kanë pasqyruar të gjitha mediat dhe lehtësisht i verifikueshëm. Por me Edi Ramën, komisioneri i partisë, që akuzohet për manipulim të zgjedhjeve që sollën oligarkinë në pushtet, jo vetëm duhet shpërblyer, por duhet mbrojtur edhe nga drejtësia. Ndaj, Partia e ka caktuar shef të antidrogës në Lezhë. Emërimi është bërë në kohën, që Doda ishte në procedim penal”, – u shpreh ligjvënësi i PD-së.

 

Akuza

Ndërkaq, Partia Demokratike e vazhdoi edhe më tej denoncimin e saj, duke theksuar se nëse falsifikimi dhe manipulimi i rezultatit të zgjedhjeve është për qeverinë një dekoratë që ua njeh komisionerëve të tij në Policinë e Shtetit, ka një tjetër çështje që e bën emërimin të kundërligjshëm. Me anë të një pyetjeje drejtuar Kryeministrit Rama, deputeti Ristani tha se shefi i Antidrogës në Lezhë është përjashtuar më parë nga policia për dekonspirim aksioni. “A ka caktuar ai komisioner në Lezhë, një person të përjashtuar nga Policia e Shtetit, për shkak se ka dekonspiruar një aksion të policisë, që si pasojë solli vrasjen e një oficeri? Dhe më pas, a e shpërbleu ai këtë komisioner, që akuzohet për falsifikim dhe manipulim të zgjedhjeve në favor të tij, si shef të Antidrogës në Lezhë?”, – pohoi deputeti demokrat. Përgjatë muajve të fundit, Partia Demokratike ka bërë publike një sërë denoncimesh për emërime të ndryshme nga mazhoranca qeverisëse në poste të larta të administratës. Sipas opozitës, një ndër problemet më shqetësuese në vend është inkriminimi i shërbimit civil dhe zëvendësimi i administratës profesioniste më militant partiakë. Lidhur me këtë çështje, opozita ka kundërshtuar edhe ndryshimet e që pritet të ndërmerren në Ligjin e Nëpunësit Civil, të cilat i cilëson si fshesën e radhës në administratë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency