Champions League/ Guardiola i frikësohet Sitit, Luis Enrike synon gjithçka

0
112

bep guardiolaTekniku i Bajernit ka deklaruar se i frikësohet skuadrës së Pelegrinit, pasi ka lojtarë që e zgjidhin menjëherë situatën

 Luis Enrike deklaroi se Barça këtë sezon synon të fitojë gjithçka dhe kjo përfshin edhe suksesin në Ligën e Kampioneve

 Ndeshjet e tjera emocionuese të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve vazhdojnë edhe sot. Ndeshja më emocionuese duket sfida midis Bajernit dhe Mançester Sitit. Një sfidë e cila është luajtur edhe sezonin e kaluar në Champions dhe që gjithmonë ka dhuruar spektakël. Mançester Siti do të jetë përsëri pengesa e madhe e Bajernit të Mynihut në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Përballë “citiziens”, bavarezët do të vuajnë mungesën e Frank Riberisë, ndërkohë që mund të mbështeten tek Arjen Robeni, edhe pse prania e holandezit në fushë që nga minuta e parë është ende në dyshim. Trajneri i kampionëve të Gjermanisë paralajmëroi ekipin e tij në prag të kësaj sfide, ndërsa dha edhe mendimin e tij se si duhet të luajë Bajerni përballë skuadrës së drejtuar nga Manuel Pelegrini që një vit më parë i mposhti bavarezët. “Duhet të jemi të aftë ta kontrollojmë ndeshjen dhe në momentet që do të humbasim topin, duhet të vrapojmë për ta rikuperuar menjëherë atë. Nëse nuk mbrohemi mirë të gjithë si skuadër, është e sigurt që do të hasim probleme. Nuk duhet të harrojmë faktin që Siti ka në ekip lojtarë shumë cilësorë si David Silva apo Martin Demikelis. Ne duhet të përqendrohemi tek loja jonë, te stili ynë i të luajturit futboll, pasi vetëm në këtë mënyrë mund ta fitojmë ndeshjen. Tri pikët janë shumë të rëndësishme në një takim si ky, për vetë faktin se bëjmë pjesë në një grup shumë të vështirë dhe një humbje mund të hapë shume probleme më pas në lidhje me kualifikimin”. Në vijim Guardiola foli edhe një herë tjetër për merkaton e verës dhe për rëndësinë e madhe që pati mbërritja në skuadër e një lojtari plot klas si Ksavi Alonso. “Fillimisht humbëm Toni Krosin dhe situata në skuadër, sidomos edhe me dëmtimet e Shvajnshtajgerit, Havi Martinezit dhe Tiago Alkantarës u përkeqësua disi. Gjithsesi, unë jam shumë i kënaqur me mënyrën se si shoqëria veproi në merkato, pasi në ditët e fundit në ekip mbërritën dy lojtarë cilësorë si Benatia dhe Alonso. Ksavi është një afrim shumë i rëndësishëm për ne. Ai është një futbollist me përvojë të madhe, di të vendoset mirë në fushë dhe i ndihmon shumë shokët e skuadrës. Me pak fjalë, Alonso dominon lojën”. Kështu, pritet që sfida të sjellë shumë futboll cilësor midis dy ekipeve që bëjnë lojë emocionuese.

 

Enrike: Barcelona këtë sezon synon gjithçka

Para sfidës që Barcelona ka me Apoelin ka folur edhe Luis Enrike. Tekniku katalanas është shprehur se ekipi i tij tenton që të marrë gjithçka nga sfida, me synimin që në fund të këtij turneu të shpallen kampion. “Nuk e di nëse do të arrijmë gjysmëfinalen, por publiku duhet të jetë i duruar dhe unë besoj se puna jonë do të vlerësohet në fund të sezonit. Nga ana tjetër, dua të theksoj se objektivi ynë është që të fitojmë gjithçka këtë sezon. Duhet të ecim me këmbë në tokë, madje duhet të jemi të përqendruar edhe kur gabojmë”. Në vijim, tekniku përqendrohet te kundërshtari i radhës dhe dha dhe një koment për Luis Suarezin. “Apoel është një skuadër që të lejon të luash. Unë nuk mendoj se është një kundërshtar i lehtë. Suarez? E shikoj në formë shumë të mirë dhe me shumë dëshirë për t’u rikthyer në fushë. Është një lojtar që më bën të ndihem krenar”. Lionel Mesi është kthyer në njeriun asist te Barcelona, por tekniku nuk e lidh këtë me pozicionin e tij në fushën e lojës. “Nuk besoj se Mesi ka ndryshuar pozicion në skuadër për të dhënë sa më shumë pasime. Ai na surprizon çdo ditë, sepse një prej objektivave të tij është që të japë sa më shumë pasime”. Tekniku foli edhe për kampionatin, duke theksuar se edhe pse është larg Reali i Madridit, nuk ndihet komod, pasi akoma ka kohë deri në përfundim të sezonit. “Preferoj të mos e vendos nën presion skuadrën dhe jam shumë i kënaqur me progresin që kemi bërë në kompleks, por edhe në fazën mbrojtëse. Nuk duhet të tregohemi të nxituar, mjafton që të japim maksimumin në çdo javë. Kemi bërë një fillim pozitiv në kampionat, por nuk duhet të vendosim objektiva fiksë”. Ndeshje tjetër emocionuese është edhe sfida e Çeslit ndaj gjermanëve të Shalkes. Kurse Ajaksi do të provojë të tregojë forcën ndaj favoritëve të PSG-së me Zllatan Ibrahimoviçin në krye. Roma pret në fushën e saj CSKA-në e Moskës në provimin e saj të parë pas disa kohësh mungesë në Ligën e Kampioneve. Sfidë tjetër interesante është edhe ajo e Atletiko Bilbaos dhe Shakhtarin, që do ta ketë të vështirë ndaj spanjollëve, pas largimit të disa lojtarëve kryesorë, për shkak të gjendjes që ka zënë shtetin ukrainas.

 

Murinjo: Bëj pjesë në historinë e Ligës së Kampioneve

Tekniku i Çelsit, para ndeshjes me Shalken, është shprehur se beson që dy titujt e fituar në Ligën e Kampioneve e lënë atë në historinë e kësaj kupe prestigjioze. Portugezi dëshiron të bëhet trajneri i parë, i cili e fiton turneun me tri klube të ndryshme, pas suksesit me Porton dhe Interin. “Në këtë vend keni trajnerin më të mirë nga të gjithë, i cili e ka fituar dy herë, prandaj nga ky moment, nëse nuk e fitoj një ndeshje më shumë në Ligën e Kampioneve, historia ime është aty, e kam fituar dy herë dhe kjo është diçka për t’u krenuar. Pa dyshim që dua ta fitoj përsëri. Kam edhe shumë vite para meje… Turneu është pjesë e historisë sime dhe po ashtu, edhe pse nganjëherë nuk e thonë, edhe unë jam pjesë e historisë së saj”, – ka deklaruar “Special One”.

 

Hasi: Nuk mbrohemi kundër Gallatasarajit

Ish-lojtari i kuqezinjve, Besnik Hasi, në cilësinë e teknikut të Anderlehtit, foli për sfidën që do të ketë kundër Gallatasarajit. Turqit janë favoritë në sfidë, pasi kanë lojtarë shumë cilësorë, si Shnajder, ndërkohë që në stol drejtohen nga ish-tekniku i Italisë, Çezare Prandeli. Gjithsesi, kjo nuk duket se e frikëson Hasin, i cili u shpreh se nuk u frikësohet turqve dhe se do të kërkojë shanset e tij për të fituar takimin. Megjithatë, trajneri i belgëve nuk i ka bërë asnjë premtim drejtuesit të klubit për të kaluar grupin ku gjenden Arsenali dhe Borusia e Dortmundit. “Kemi një ekip të ri, ambicioz dhe të talentuar. Kundërshtari ynë është shumë i fuqishëm në mbrojtje dhe sulm, prandaj nuk i kam premtuar asgjë bordit. Ambiciet dhe përkushtimi për fitore janë shumë të rëndësishme, kjo kërkohet në Ligën e Kampioneve dhe lojtarët e mi këtë e dinë”, – deklaroi ish-lojtari i kombëtares. “Nuk kemi ardhur këtu të mbrohemi. Do të mundohemi të luajmë lojën tonë aq sa mundemi. Do të mundohemi të luajmë sikur në kampionat”, – shtoi ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency