Arratiset nga fugoni i policisë i dënuari me 18 vjet burg

0
153

Artur Bego

 furgon policieArrestohen dy policët që e shoqëronin, ndiqet në gjendje të lirë një i tretë. I dënuari për vrasje po transportohej drejt burgut të Fushë-Krujës, i shpëtoi togës së shoqërimit

 Mirgen Ymeri, 22-vjeçar, ka mundur t’i shpëtojë një toge shoqërimi, ndërsa transferohej nga qelitë e paraburgimit drejt burgut të Fushë-Krujës. Pas ngjarjes e gjithë zona nga “21 Dhjetori” në drejtim të Zogut të Zi dhe Kamzës u rrethua nga forca të shumta policie. Në rrugët hyrëse dhe dalëse u ngritën postblloqe në kërkim të të arratisurit.

Mirgen Ymeri, i burgosur, u arratis dje nga fugoni i policisë, ndërsa po transportohej nga paraburgimi i policisë së Tiranës drejt burgut të Fushë-Krujës. Mirgen Ymeri, 22 vjeç, i dënuar me 18 vite heqje lire për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, nuk ka qenë i prangosur në momentet e shoqërimit, kur ka mundur të dalë nga fugoni dhe të largohej në zonën e Kamzës. Ende nuk dihet mekanizmi i arratisjes spektakolare të 22-vjeçarit, i cili dyshohet se u ndihmua edhe nga persona të tjerë, ndërkohë që policia ka ndaluar efektivët e togës së shoqërimit.
Arrestimet e policëve

Kjo ngjarje ka vënë në lëvizje Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, që po heton për përgjegjësinë e togës së shoqërimit në arratisjen e 22-vjeçarit. Një hetim ka nisur dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, për të kuptuar mekanizmin që ka përdorur i riu për t’u arratisur dhe për të konfirmuar nëse policët që e shoqëronin, ka zbatuar rregulloren e shoqërimit.

Nga hetimet paraprake, mësohet se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar dy punonjës të policisë dhe ka vendosur ndjekje në gjendje të lirë për një tjetër, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Të arrestuarit janë Luan Mulgeci, 47 vjeç, me gradën kryeinspektor, me detyrë ndihmësspecialist i shoqërimit në seksionin e Sigurimit të Shoqërimit të Forcave të Posaçme dhe Gëzim Dervishi, 50 vjeç, me gradën nënkomisar, me detyrë specialist informacioni, ndërsa në gjendje të lirë do të ndiqet Gjoni Kerri, 50 vjeç, me detyrë shofer i togës së shoqërimit.

Burime nga policia bëjnë me dije se arrestimi i punonjësve është kryer, pasi dyshohet se nuk kanë respektuar procedurat standarde të shoqërimit, duke mos zbatuar rregullat e sigurimit të personave të kërkuar. Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 17:30. Të proceduarit janë policët të cilët shoqëronin 22-vjeçarin Ymeri, i cili u arratis ditën e djeshme, kur ishte duke u transportuar nga mjediset e Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë për në Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në Fushë-Krujë. Ndërkaq, materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 

Dënimi i të arratisurit

Mirgen Ymeri u arrestua me 5 shtator të këtij viti nga njësia operacionale e policisë së Tiranës. Gjatë momentit të arrestimit, Ymerit iu gjet një patentë e falsifikuar, ndërkohë që policia arrestoi dhe të vëllain, Olsi Ymeri, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjet një armë “Kallashnikov”. Arrestimi i Mirgenit u bë, pasi ishte dënuar me 18 vjet burg nga Gjykata, sepse në datë 8 qershor të 2013-ës ka tentuar të vrasë në rrugën “Hamdi Pepa” në kryeqytet, shtetasin Dorian Xhelili, ku, sipas policisë, gjithçka ka nisur për motive të dobëta.
Sipas vendimit të datës 18.6.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, mësohet se nga aktet e ndodhura në fashikullin e gjykimit, rezulton e provuar se në datën 8.6.2013, rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë ishin vënë në dijeni se në rrugën“Hamdi Pepa”, në afërsi të tregut ushqimor, pas një konflikti për motive të dobëta, i pandehuri Nirgen Ymeri ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Dorian Xhelili. Pas shqyrtimit gjyqësor të kësaj ngjarjeje, Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Nirgen Ymeri për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë dhe në bazë të nenit 76 dhe 22 të Kodit Penal dënimin e tij me 10 vjet burgim. Po ashtu, Gjykata vendosi edhe deklarimin fajtor të të pandehurit Nirgen Ymeri për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe në bazë të nenit 278/4 të Kodit Penal, dënimin e tij me 8 vjet burgim. Në bashkim të dënimeve, në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, Gjykata vendosi dënimin e të pandehurit Nirgen Ymeri me 18 vjet burgim.

Tiranë/ Grabitet nën kërcënimin e armës, autorët ende të paidentifikuar

I kishin ngritur pritë dhe nën kërcënimin e armës i zënë pritë dhe i grabisin një shumë të konsiderueshme të hollash.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para pas mesnate, në rrugën “Azem Hajdari” në Bathore, ndërsa E. B., duke ecur me mjetin e tij tip “Mercedes-Benz”, me targë AA 541 IA, i kanë vjedhur me armë zjarri shumën prej 800 mijë lekësh. Menjëherë pas ngjarjes, drejtuesi i mjetit bëri denoncimin në polici, duke dhënë gjithë informacionet e mundshme. Nga ana e uniformave blu, nisën hetimet dhe po punohet me synim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

 

Lezhë/ Shkëmbim zjarri mes dy makinave, plagoset në këmbë kalimtarja

Një shkëmbim zjarri mes dy makinave ka ndodhur dje rreth mesditës, në qendër të qytetit të Lezhës, ku si pasojë, një kalimtare e rastit ka ngelur e plagosur. Nga hetimet paraprake, mësohet se gruaja ka marrë plagë të lehta në pjesën e gjurit, në këmbë. Ajo është transportuar në spitalin e qytetit. Mësohet se kalimtarja Lindita Gjoka, 38 vjeçe, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihen ende detaje në lidhje me personat që kanë hapur zjarr si dhe mbi identitetin e kalimtares. Policia e Lezhës është duke punuar ende mbi këtë ngjarje të ndodhur në afërsi të kompleksit të shkollave.

 

 Tiranë/ Operacion antidrogë te Unaza e Re, në pranga dy persona me 4.5 kg heroinë

Sekuestrohen 4.5 kilogramë drogë e llojit heroinë në kryeqytet, ndërsa janë vënë në pranga dy persona. Policia ka arrestuar përkatësisht England Hyseni, 32 vjeç, dhe Tahir Avdia, 33 vjeç. Mësohet se operacioni i seksionit Antidrogë është zhvilluar në zonën e Unazës së Re. Operacioni mësohet se është realizuar në zonën e Unazës së Re, në momentin që po shkëmbehej lënda narkotike. Operacioni i policisë vazhdon ende për të zbuluar persona të tjerë të implikuar në këtë rrjet të trafikut të drogave të forta, siç është heroina. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency