1950/ Letra e fratit, zbulohet libri i 250 vjetëve më parë, e dëshmon Ahmet Zogun të krishterë

0
138

zogu 1950Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

 Një gjurmim i at Paulin Margjokajt e çon në një konkluzion mbi trashëgiminë religjioze të Mbretit Zog, që lidhet me një libër të zbuluar, ku flitet se 250 vjet më parë, kishin qenë të krishterë. Për këtë frati i kërkon Mustafa Krujës dhe i jep njëkohësisht të dhënën, pasi siç duket është një moment ku përflitet shumë prejardhja e Mbretëreshës si e krishterë në lidhjen e saj me Mbretin mysliman. Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.

“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vende e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

BOLZANO, 29. XII. 1950

Shum i dashtuni Mik,

Pardje e mora letren tande e të falem nderës për urime të perzemerta qi më dergon per Kshndella e Motmot të rí. Edhe vetë prej anës s’eme po T’ uroj nji vjetë të ré 1951 të lume e të gzueshme.

Tash të vijmë te pvetjet e mija:

1) S’ka shumë kohë qi lexova në nji leter të shkrueme prej hinglizit Toynbee, se si popujt qi kjén shtrue prej Osmanllive, tue u kenë mbyllë atyne rruga per zyre të nalta e tue kenë ndalue me pasë prone, paten dá, tacitamente, nder veti punët e zanatet. Në ket mndyrë Valakët u merrshin me allishverishin e sendeve t’ ushqimit, Grekët u bânë tuxharë all’ingrosso , Shqyptarët muratarë, Malazezt dertarë e shegerta, Bulgarët kopshtarë zarzavatesh e mbathtarë kualsh. A âsht e vertetë se Shqyptarët po na paskan kenë të speçjalizuem në zanatin e murtarit? Me të vertetë në Shkodër fjala dibranë âsht sinonim me murtár. A thue lidhet disi kjo njana me tjetren?

2) Në nji tjeter liber shkrue prej nji tedeshkut mbi historín e Shqipnís prej 1912- 1939 lexova kto fjalë, të cilat po T’i kopjoj në gjuhë tedeshke krejt njashtu si i ka libri në fjalë:

“Die familie der Zogolli ( Zog gleich albanisch “Vogel” und – olli gleich türkisch oghlu, das heißt Sohn) bildete seit Generationen dei Dynastie der erblichen Feudalherren des mohammedanischen Stammes Matija. Schon 1648 wurde nach türkischen Quellen ein Zef Zogoghlu hingerichetet, der als Anführer der damals noch christlichen (katholischen) Matija die Zadrima durch Ruabzüge beunruhigt hatte. Im anschluß an diese Demütigung islamisierte sich die Familie und mit ihr der ganze Stamm seher rasch, und beide, die familie sowohl als auch der Stamm, gelangten dann auch bei den Türken zu Ansehen”.

A thue janë të verteta kto fjalë e a do t’a dijë Zogu se para 250 vjetve të parët e tij paskan pasë kenë, si mbas ktij libri, të krishtenë?

3) Kush i pat vrá aso kohe ata dy amerikajt e pse paten kenë vrá? Më bjen nder mend se pat kenë folë shum mbi ket punë, por nuk e dij mirë historinë e tyne.

4) A âsht e vertetë se Zogu pat dashtë, para se të vijshin italjajt në Shqipní, me zaptue Kosoven e se per ket punë i pat lypë nji ushtrí italjajve të Mussolinit?

Më shkruen në fund të letres kto fjalë: “A je i zoti me i gjetun shteg vetit kund në botën e ré, kudo qi të jetë, mbasi s’janë kohna me u hudhun kah Lindja, por sa mâ larg kah Perëndimi. Me lanë Europen e me tretë sa mâ larg kah prendimi è la cosa più semplice di questo mondo. Dý rrugë mund të më çojnë kah prendimi. E para âsht nepermjet t’IRO-s. Por kjo ndoshta nuk âsht krejt e shpejtë, tue mos kenë vetë i shkruem në IRO: por nji rrugë tjetër fort mâ e shpejtë âsht per mue çilë. Me u vû e me i shkrue nji Superjorit të ndoj provinçe amerikane t’urdhnit t’em nji leter, me të cilen vetë i lutem me më pranue në ndoj kuvend fretensh nen juridiksionin e tij. Tue kenë se në Amerikë gati gjithkund âsht mungesë meshtarësh, mejherë kishe me marrë pergjegje pozitive, e âsht e dijtun, kishin me më pague edhe rrugen. Porsè dardha ka bishtin. Ky pranim e pagesa e rrugës âsht e lidhun me kto kondita : vetë do t’i agregohem asaj provinçe, nemose per 10 vjet ase ndoshta edhe mâ teper. E kta don me thânë qi vetë do të vehem krejt në dispozicjon të tyne, në mndyrë që ata të munden me më përdorë si të duen vetë e simbas nevojet qi ka kuvendi ku do të kishem me banue. Vetëm me ket konditë do të kishem me kenë i pranuem prej tyne e do të m’u paguente krejt rruga. Si e shef edhe ti vetë, me ket mndyrë vetë do t’i bijshem mohit ndoshta per gjithmonë idealit, qi âsht me punue per popullin t’em. E kta nuk e due kurrsesi. Me gjithse gjendja e pshtjellueme n’Europë më bân me pasë frigë, me gjithkta deri tash nuk m’âsht mbushë mendja me i rá mohit ktij ideali. Un prap se prap rropatem me gjetë mndyren se si me shkue n’Austrí. Si të kém kalue aty ndoj vjetë (nemose dý vjet) at herë ndoshta do të kishte me m’u mbushë mendja me lanë Europen, por possibilmente pá u lidhë ashtu krejt kambë e duer me amerikaj. Pengimi mâ i madhi âsht se nuk po mund të gjindet nji Mecenat. Âsht e dijtun se per ket veprimin t’em qi vetë dishroj me zhvillue n’Austrí vetem nji Mecenat shqiptar mund t’diftojë interesë. E Mecenat shqiptar nuk po gjindet, mbasi na Shqiptarët e shkretë jemi tanë të vorfen. Po të kishim nemose nji qeverí t’onen me nji Ministrí Arsimit, do të mund t’u shpresonte me u gjetë ndoj dorë bujare. Prej të huejve âsht krejtë e pamundun me gjetë ndoj ndihmë per ket veprimin t’em.

Letra maroi e prandej po më duhet me e këputë muhabetin me shndet e daulet e urime të perzemerta per vjeten e ré 1951.

Mikut yt

  1. P. MargjokajO.F.M.

Ramleh (Aleksandrí), 18 – I -1951

 

I dashuni Atë,

Po e filloj pergjegjen t’eme letrës s’Ate mâ së mbrames tue T’u falë nderës për përkthimet qi më ke bâmë. E mbandej po dal mejherë ke pyetjet e Tua:

  1. Mue s’më resulton qi Shqiptarët të kenë pasun as në të kaluemen as sod ndoj prjerrje të posaçme në muratorí. E dij qi në Shkodër përdoret fjala dibran si sinonim me muratuer. E dij edhe qi nji klasë njerzish prej krahinës së Dibrës kanë pasë ardhun për vjetë me atë mjeshtrí me zânë punë nëpër qytetet e ndryshme të vilajetit të Shkodrës ( në kohë të Tyrqís), pra edhe në Krujën t’eme. Ata qi vijshin te na ishin mâ e shumta gogë, orthodoks e flitshin ndër veti maqedonisht. Mâ të hollë për ndërtime banesash kanë qênë – e ndoshta vazhdojnë me qênë gjithnji – Korçarët, orthodoks edhe këta. Por me kaqë s’më duket qi mund të mbërrîmë në pohimin e atij Toynbee-ut.
  2. Ai gjermani (Të lutem me më dhânë emnin e tij e titullin e librit) qi paska shkrue ashtu për Zogollin e Maten kujtoj se âsht në të vërtetën. Qi Matja ka ndërrue fé vonë, na e deshmojnë edhe emnat Budi e Bogdani dhe trojet e, më duket, vllaznít e tyne ende gjallë në Mat, natyrisht myslimanë. Mbandej âsht nji fakt i dokumentuem se shumica e myslimanvet shqiptarë kanë ndërrue fé në qindvjetën 1650-1750, mâ drejtë me thânë në gjysqindvjetën qi ndoq kryengritjen e madhe t’organizueme prej kryepeshkop Gjergjit të Tivarit në 1645 e motmot mbas tij, prej Zef Bonaldit në favor të Venedikut, qi ishte në luftë me Tyrqín. Salvimet e fillueme si pasojë e ksaj kryengritjeje të shueme i shtynë Shqiptarët me kthye tufë-tufë në myslimanizëm ase në orthodoksizëm; se orthodoksit i patën ndihmue Tyrqís n’atë luftë me Venedikun e prandej ata e kish’ e tyne kishte fitue besimin e përkrahjen e Stambollit.
  3. Vrasa e dy Amerikanvet në Mamurras un kujtoj se ka qênë bâmë mjerisht për plaçkë. Kundrështarët e Zogut patën bâmë mjaft propagandë për me i a ngarkue atij atë krim e në regjimin e Fan Nolit patën ngrehun edhe nji farë gjyqi, qi, si e mbaj mênd, pat mbetun në fazën e hetimeve se s’kishte prova. Zogu aso kohet ishte jashta qeverijet e kundrështarët e tij thojshin qi shtiu e vrau Amerikanët për me e bâmë botën të besojë se pa tê në qeverí s’mund të kishte paqë e qetsí Shqipnija. Propagandë e marrë në fund të fundit, mbasi s’ishte bota e jashtme qi i hiqte e i vênte qeverít e Tiranës, por Shqiptarët vetë.
  4. Bre! Jo, i dashuni mik, Zogu Mbret i Shqipnís, s’ka qênë i çëmêndun për me besue se Italija do të hynte në luftë me Jugoslavín për Kosovën t’onë e as për me besue qi Shqipnija mund t’a bânte e t’a fitonte vetëm atë luftë, qoftë edhe me nja 100. 000 “vullnetarë” italjanë. Komedij e Korés me “vullnetarët” qinez s’ishte në modë aso kohe, as qi mund të përsritej ajo e Spanjës në Shqipní. Në Ditarin e Cianos kam lexue se në ‘37 a ‘38 Zogu i kishte qênë sjellë Romës qi të ndërhynte në Beligrad për sigurimin e së drejtave të pakicës kosovare në bazë të traktateve ndërkombëtare qi Jugoslavija s’ishte tue i respektue. Paska qênë në 38 më duket, kur Roma po e kishte punën pupa me Stajodinoviqin; se më kujtohet qi Ciano e përsiell në Ditarin e vet këtë kërkesë të Mbretit me këto fjalë: “Tash i a kallzoj vetë Kosovën Zogut!” Ça donte me thânë qi tash porsa t’ishte marrë vesht premas me Sërbin do t’a pushtonte krejt Shqipnín, veç nji cope qi do të shkonte me u bashkue me Kosovën. Duket se Mbreti i paska do partizanë tepër zelltarë, qi paskan vûmë në qarkullim një përrallë aqë të marrë.

Tash të vijmë ke ajo fraz’e ime qi pata hjedhun ashtu si kot për Tý, e qi prej përgjegjes s’ate po shoh se më paska frymzue Zoti me e hjedhun. E dijmë e e besojmë qi Krishti kur vot në Jeruzalem e u shpalli luftë haptas Farizejvet me të tânë beslidhunit e tyne n’atë botë të kalbun, e dinte mirëfilli se ç’ishte tue e pritun. Por ai ishte misjon’ i tij i shênjtë, me gjak të tij do të shugurohej ai ideal sublim qi kishte në mênd e në zêmër. Dijmë edhe se nji françeskan si Ti ka prujtun me armë në dorë kalán e Sfetigradit kundra Tyrqvet. Porse arsyetim’ i Yt për mos me i u largue rrezikut të konopit bolshevik, sepse në këtë mënyrë do t’i u shmângte edhe idealit t’Atdheut s’më duket aspak i drejtë. Ase Ti atë rrezik qi shoh un nuk e sheh. E kjo âsht nji punë tjetër qi mund të diskutohet. Por në qoftë se jemi përpara nji lufte, sa mâ shpejt qi të plasë kjo aqë mâ shumë gjasë ka qi krejt kontinent’i Evropës tash bie në dorë të bolshevikvet. E atbotë kushdo qi e ka mizën në ksulët e qi ka mundsí mos me banue në këtë kontinent edhe i dhimbet ndopak vetja ase kush ka nevojë për jetën e tij, pa fjalë duhet të largohet. E pra tash qi po e dij se për tý qênka nji pun’ e lehtë me shkue atje ku ka sigurí e bashkë me këtê madje edhe qetsí të plotë për me punue për idealin t’Ând në mâ të mirën rrugë qi Ti mund të punojsh, po t’a them shqip se kishe me bâmë nji krim kundra vetvetes dhe idealit t’Atdheut tue mos shkue. Ky ka nevojë për Tý, por mund t’i shërbejsh vetëm kur ta keshë kryet shëndoshë. Me pushkë nuk besoj qi të mendojsh me i shërbye. E sa për me trû e me zêmër e me fjalë, këtê mund t’a bâjsh edhe tue qênë tej Atlantikut. Mbandej 10 vjet ça qênkan për moshën t’ânde? Për mue qi normalisht s’i kam edhe aqë vjet jetë, po, por Tý të teprojnë edhe nja 20 të tjera mbas meje. E këtu edhe mue m’u mbarue karta, pra tu mirë bisedofshim me letra tjera.

M.Kruja

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency