Standard.al

Zëvendësimet në diplomaci/ Ruçi, kritika Bushatit për kandidaturat:  Rëndësi ka të dinë shqip e të bëjnë punë

Florenc Drizari

 kom i jashtem“Do të kërkoja nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë që ne nuk duhet të zgjedhim  ambasadorë që dinë gjuhën përkatëse të vendit ku do të shkojnë, rëndësi ka të dinë shqip”

 Ministria e Jashtme prezantoi dje në Kuvend dy kandidaturat për ambasador në Shtetin e Katarit dhe në Mbretërinë e Spanjës. Propozimet e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati u pritën me kritika nga kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të Jashtëm, i cili tha se Shqipëria është për të ardhur keq me inekzistencën e saj në projekte me vendet ku ambasadorët shkojnë për shërbime diplomatike. Ruçi kërkoi nga sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së: “Ne nuk duhet të zgjedhim ambasadorë që dinë gjuhën përkatëse të vendit ku do të shkojnë, rëndësi ka të dinë shqip. Kush janë interesat e Shqipërisë dhe çfarë duhet të realizojë Shqipëria, ky është misioni juaj”. Duke u ndalur tek prezantimi i dy kandidatëve, Edmond Caca, kandidat për ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Katarit dhe Ridi Kurtezi, kandidat për ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, në Mbretërinë e Marokut dhe në Republikën Islamike të Mauritanisë, Ruçi tha se edhe në prezantimet e tyre s’ka projekte konkrete, ndërsa mori si shembull Bosnjën, që, sipas tij, merr miliona euro investime nga Kuvajti.

 

Ruçi

“Ku janë projektet? Projekte s’ka. Është për të ardhur keq që Fondi i Zhvillimit Kuvajtian kishte miliarda e miliarda investime në dhjetëra e qindra vende në të gjithë botën. Në Shqipëri jo sepse nuk ekzistonin këto projekte. Është për të ardhur keq që një vend si Bosnja thith miliona euro nga Kuvajti investime. Është për të ardhur keq që një vend si Bosnja brenda vitit thith 100 mijë turist nga ky vend. Shqipëria zero”, – deklaroi Ruçi gjatë seancave dëgjimore në Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi me dy kandidaturat.

Duke iu referuar edhe vizitës së fundit që kreu i grupit socialist pati në Katar bashkë me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, Ruçi u shpreh i prerë ndaj kandidaturave, duke kërkuar që të bëjnë punë dhe të mbrojnë interesat e vendit.

“Mos vini këtu të na prezantoni as Kuvajtin e as Katarin, por të vini këtu për ta çuar Shqipërinë dhe për të na sjellë Kuvajtin dhe Katarin apo së paku në Shqipëri për ato nevoja që ka vendi. Aq më tepër që prezantoheni këtu që jeni me formim ekonomik. Nëse do të ndryshojmë në marrëdhëniet tona me jashtë nuk do të bëjmë politikën e madhe ne. Ne jemi një vend që do të kërkojmë se si të implementojnë atë që ju e quani diplomacinë ekonomike. Ku jemi? Thjesht që shënojmë në CV që kemi qenë 10 vjet në Arabinë Saudite dhe kemi bërë shkollën e mesme, të lartën, kemi mësuar arabishten, anglishten e ku e di unë, kjo është e pamjaftueshme. Hajde të krijojmë një universitet këtu dhe të japim mësim në arabisht, në rregull. Kurse kur të marrim detyrën e përfaqësuesit diplomatik në shtete të tilla dhe kudo, atëherë ne jemi përfaqësues të këtij vendi atje dhe për të bërë punë”, – deklaroi Ruçi. Nga ana e tij, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qirjako Qirko, u shpreh se dy kandidaturat janë diplomatë karriere. Gjatë prezantimit të platformës së tij, Edmond Caca, kandidat për ambasadorë në Shtetin e Katarit, foli për nxitje të marrëdhënieve midis dy parlamenteve, grupeve të miqësisë Shqipëri-Katar. Ndërsa kandidati për ambasador në Mbretërinë e Spanjës Ridi Kurtezi, u shpreh se do të punojë për rivitalizimin e marrëdhënieve politike, intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, zgjerimin dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare, si dhe tërheqjen e investimeve spanjollë. Në tërësi, anëtarët e Komisionit të Jashtëm shprehën mbështetjen e tyre për dy kandidaturat në fjalë, ndërsa në sallë mungonin deputetët e opozitës në kuadër të bojkotit parlamentar që e djathta ka vendosur nda mazhorancës dhe institucionit të Kuvendit.

 

Hapet konsullata në Milano edhe për shqiptarët nga Kosova

 Të martën pritet të hapet në Milano të Italisë konsullata shqiptare, e cila do të jetë në shërbim edhe të shtetasve kosovarë. Këtë lajm e bëri të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë një konference për shtyp me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj. “Është kënaqësi që sot së bashku me kolegun Hoxhaj do udhëtojmë në Milano, dhe do vizitojmë Konsullatën e re në këtë qytet, e cila do u shërbejë shqiptarëve. Kjo do ti jap mundësi shumë shqiptarëve që të kenë një konsullatë të vërtetë shqiptare në Milano”, – u shpreh Bushati. Ndërsa, ministri kososvar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, theksoi se Kosova dhe Shqipëria kanë bërë një progres me mbledhjen e Prizrenit, duke firmosur partneritetin strategjik. “Rreth 90 për qind e këtyre marrëveshjeve janë realizuar. Ministri Bushati përmendi Kosovën e cila është anëtarësuar në disa organizata. Ne në janar të 2014 kemi nisur partneritetin strategjik. Për ne si shtet i ri, Shqipëria është partneri më i madh strategjik, ndaj do bëjmë një axhendë të përbashkët sa i takon dy shteteve”, – tha Hoxhaj.

 

E drejta për informim, 1 deri në 6 paga gjobë për zyrtarët që nuk japin informacion

Komisioni i Ligjeve miratoi dje nen për nen projektligjin për “Për të drejtën e informimit”. Sipas këtij projektligji, 1 deri në 6 paga do të jetë masa ndëshkuese për zyrtarin, i cili nuk jep informacion e kërkuar nga qytetarët në bazë të ligjit. Kompetencën për caktimin e masës së gjobës do ta ketë Komisioneri për të Dhënat Personale, ndërkohë ekzekutimi i vendimit do të bëhet brenda 30 ditësh. Projektligji, i cili u miratua nen për nen në Komisionin e Ligjeve, parashikon që personi i cili kërkon informacion nuk është i detyruar që të japë motivet e kërkimit të informacionit në fjalë. Drafti i qeverisë përcakton të drejtën e çdo qytetari për të kërkuar informacion si dhe detyrimin e institucioneve për të informuar publikun brenda 10 ditësh.

Anëtarët vendosën që të rishohin përmbajtjen e neneve 18, 20 dhe 21. Projektligji për të drejtën e informimit është një sistem i ri mbikëqyrjeje i së drejtës për informim nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili, bazuar në modelet ndërkombëtare vlerësohet si mekanizmi më efektiv për të siguruar zbatimin në praktikë të kësaj të drejte. Për këtë është siguruar bashkëpunimi dhe vullneti pozitiv i institucionit të Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Sipas qeverisë, projektligji ka si qëllim të përmirësojë rregullat për mbrojtjen e së drejtës për informim, që çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë i garantohet me Kushtetutë. Më pas anëtarët miratuan nen për nen dhe projektligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale” të ndryshuar.

Comments are closed.