Për herë të parë/ Zbardhen dokumentet. Konferenca e Pezës, hidhet poshtë Enveri, cilët ishin nismëtarët e krijimit të Frontit Antifashist?!

0
427

kancPër herë të parë dokumentacioni i plotë për Konferencën e Pezës, që u mbajt në 16 shtator 1942. Me kontekstin e krijimit të frontit të përbashkët në luftë kundër nazifashizmit, ku vendeve evropiane po u bashkohej edhe Shqipëria, u iniciua në Pezë takimi për rezistencën, por e vërteta e organizimit dhe e drejtuesve të saj në 45 vite sa është censuruar aq edhe tjetërsuar. Në botimin “Enver Hoxha, në optikë të re”, Vasfi Baruti publikon dosje të Arkivit Qendror të Shtetit për këtë ngjarje historike

 

Konferenca e Pezës në refleksionet e Enver Hoxhës, në vitet e luftës (nëntor 1944) ishte me “skena qesharake” dhe mësoi se do të bëhej Konferenca një ditë më parë, raportin që do të mbante e gjeti të përgatitur, por nuk ishte në “gjendje të mbronte tezat e raportit të tij”. Në konferencë Enveri me porosi të Miladin Popoviçit kundërshtoi fort vendimin me të rëndësishëm – krijimin e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar. Është e pabesueshme, por e vërtetë e pamëshirë: Konferenca e Pezës dominohej nga nacionalistët, veçanërisht nga kryetari i Konferencës: përfaqësuesi i katolikëve, Ndoc Çoba.

Konferenca e Pezës është ngjarja më madhore e Luftës dhe Shqipëria është i dyti vend në Evropë që mori më herët vendimin historik në Kuvendin e Pezës për të krijuar Frontin Antifashist dhe bashkimin e popullit në këtë Front. Por s’do të kalonte shumë kohë dhe Fronti identifikohej vetëm me PK dhe vendimet e Pezës mbeten një letër e vdekur, sepse Fronti Antifashist nuk u krijua, siç theksonte Enver Hoxha në nëntor `44.

Edhe Konferencës së Pezës i shkon maksima se ndodh që më lehtë besohet një gënjeshtër e vjetër sesa një e vërtetë e re për rrenën e vjetër. Për dekada, të indoktrinuar së keqi, madje edhe ende se Konferenca e Pezës ishte vepër e PK dhe e Enver Hoxhës dhe ishte shtylla qendrore e fitores së Luftës.

Ftesa për thirrjen e delegatëve në Konferencë shkruhet nga mendje e kthjellët nacionaliste. Në presidiumin e Konferencës zënë vend katër nacionalistë dhe një komunist, kryetar i Këshillit Antifashist NacionalÇlirimtar zgjidhet kryekuestori i Kuesturës fashiste Tiranë. Dhe diskutimet në Konferencë dominohen nga nacionalistët, edhe vendimet kryesore të Konferencës së Pezës merren me deklarim force të hapur nacionaliste. Dhe kryefjala e diskutimeve të forta në Konferencë është nacionalisti Ndoc Çoba: pesë herë me diskutime ndërhyrje, kurse komunistët me një ose dy herë. Në mbledhjen e dytë të Beratit, Enver Hoxha vjen me një përfundim të përvuajtshëm se në Konferencën e Pezës “dual skena qesharake”. E pabesueshme, por e vërtetë! Tek e fundit të këqyrim me kujdes faktet, si kanë qenë dhe jo si duam të jenë apo siç janë shkruar në historiografinë komuniste, madje edhe sot.

Për gati 50 vjet përvjetori i Konferencës së Pezës festohej me madhështi dhe nga viti 2002 në çdo 15-16 shtator nga Bashkia e Tiranës kremtohej me shumë bujë “Nata e Bardhë” e Pezës nga mijëra të rinj e veteranë. Nga shtatori 2011, forca kryesore politike e majtë e harroi fare Konferencën e Pezës si të mos kishte ndodhur kurrë. Konferenca e Pezës, si ngjarje, meriton kujtesë historike, por vendimet e saj u tjetërsuan pas pak muajsh dhe mbetën kartë e bardhë.

 

Të bashkuar, në frontin antifashist për luftë

Sulmi i Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik lëshoi alarm në të gjitha vendet e Evropës e të botës për rrezikun e madh që i kërcënonte, ndaj në rend të parë shtrohej detyra imediate e bashkimit të çdo vendi në fronte popullore në luftë kundër nazifashizmit. E para ishte Franca që krijoi frontin popullor antifasisht kundër rrezikut të pushtimit nazist dhe më pas është Shqipëria, ku bëhet organizimi i parë politik për të krijuar bazat e frontit popullor për bashkimin e popullit në luftë kundër pushtuesit fashist italian dhe këtij qëllimi i shërbeu mbajtja e Konferencës së Pezës më 16 shtator 1942.

Nga mesi i qershorit të `42-shit, ishin nacionalistët shqiptarë ata që më shumë po ndienin peshën e rëndë të regjimit fashist dhe qenë të parët ata që mëtuan të organizonin një mbledhje nacionaliste, duke ftuar edhe delegatë nga Partia Komuniste, Koço Tashko:

“Më 17 qershor do të mbahej në Tiranë një mbledhje e nacionalistëve, të cilët kishin kërkuar delegatë të Partisë Komuniste. Ajo mbledhje nuk u mbajt se nacionalistët parashikuan rënien e Sebastopolit dhe fillimin e ofensivës gjermane” (AQSH, Fondi 14, dosja 5, 1942).

Koço T., i xhelozuar nga ndjeshmëria politike e nacionalistëve për bashkim e për luftë apo vërtet i motivuar nga bindja intelektuale e tij bën një studim të shtresës së nacionalistëve shqiptarë, se sa ata janë pro bashkimit për luftë kundër pushtuesve fashistë, Koço T., në raportin për Kominternin: “Unë i bëra Partisë një analizë të nacionalistëve, të cilët i ndava në katër grupe:

1-Grupi i kompromisaxhinjve, me të cilët kishim humbur kohë. 2. Grupi i atyre që janë atakuar drejtpërdrejt prej fashizmit: Muharrem Bajraktari, Bazi i Canes, Myslim Peza, Myftar Kaloshi, ata që KQ s’ka dashur t’u përmendet lufta e armatosur me fashizmin. Haxhi Lleshi, ndofta Shefqet Vërlaci a ndonjë përfaqësues i tij dhe disa nacionalistë të dorës së dytë, që janë fare afër popullit e që kanë treguar simpati për Partinë. 3. Grupi i françeskanëve të Shkodrës, të cilët janë treguar antifashistë dhe janë ndeshur me jezuitët si dhe disa fetarë ortodoksë që janë të ndeshur me unitet. 4. Grupi i Mehdi Frashërit, i cili nuk është kundër aksionit, por është shumë plak dhe, pas internimit të tij, grupi i tij ka rënë në duar te grupeve të tjera”. (AQSH, fondi 14, dosja 5,1942)

Enver H. në mbledhjen e Beratit deklaronte, veç të tjerash, se nuk kishte dijeni për mbajtjen e Konferencës së Pezës dhe mbërriti në Pezë në mbrëmje kur të nesërmen do të bëhej Konferenca dhe e gjeti gati raportin që do të mbante dhe nuk ishte i aftë të mbronte pikëpamjet e raportit. Gjinishi dhe Dishnica punuan mjaft për përgatitjen e Konferencës së Pezës, për sa dorë të lirë u la Miladini dhe Mugosha. Miladini merr meritat për Konferencën, për të cilën vlerëson shumë ndihmën e Buletinit Proletar, organ i KQ të PKJ-së:

“I jam përmbajtur shumë “Proletar-it” nr. 14-15. Ky është një material shumë i çmuar dhe më ka ndihmuar jashtëzakonisht”. (Vladimir Dedijer, Marrëdhëniet jugosllave- shqiptare 1939-1944, f. 88)

Miladini shkruante se për Konferencën e Pezës e ndihmuan shumë dhe emisionet e radio “Slobodnia Jugosllavija”, veçanërisht në pikëpamje të zgjerimit të Luftës».

Skenat qesharake të Konferencës

Konferenca e Pezës është ngjarje vërtet historike, lapidare, por e manipuluar dhe e censuruar skajshëm. Dhe për ta kuptuar të vërtetën vjen vlerësimi i Enver H. në nëntor `44: “…Do të flas si u paraqit para meje Konferenca e Pezës. Edhe kjo është karakteristikë e punës së Aliut [M. Popoviçi]. Unë isha në Tiranë. Ai ishte në Pezë. Nuk kishim folur më parë.

Mora një letër, një pusullë ku më thoshte që të lajmëroja filanin e filanin se do të bënim konferencë. Kur shkova në Pezë qenë përgatitur referatet dhe i gjeta këta shokë që po grindeshin, po haheshin për një çështje me rëndësi që s’e mbaj mend, ta vëmë këtë apo të mos e vëmë. Pas një dite dolëm në konferencë për të mbrojtur platformën tonë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Ne kishim turp, s’ishim njerës të turmave. Unë s’isha në gjendje të mbroja tezën me nacionalistët. Unë dola të lexoja atë referatin, por që ta mbroj tezën jo. Me një përgatitje të tillë do të dilnin ato skena që dolën, do të dilnin gjëra qesharake. Kështu Konferenca e Pezës ka qenë sa për me lexue një referat dhe një trakt dhe’ pastaj ikëm…” (AQSH, fondi 14, dosja 2-2/1, 1944)

Enveri e thotë të shumtën në të paktën dhe shumë qartë se cilat ishin skenat qesharake të Pezës: “Nuk kishim folur më parë” për mbajtjen e Konferencës së Pezës dhe vjen habia: Enveri, anëtar i Qendrorit Komunist dhe sekretar politik i Tiranës, numri një pas Miladin P., dhe nuk di asgjë për organizimin e Konferencës! E pabesueshme, por e vërtetë.

“Kur shkova në Pezë qenë përgatitur referatet”, kuptohet se ishte bërë gati raporti që do mbante Enver H. E pabesueshme, por e vërtetë!

Enveri i sinqertë: “Unë dola të lexoja atë referatin, por që të mbroj tezën jo” – E pabesueshme, por e vërtetë!

Enveri i çiltër: “…Me një përgatitje të tillë do të dilnin ato skena qesharake”. E pabesueshme, por e vërtetë!

Enveri kritik: “Konferenca e Pezës ka qenë sa për me lexue një referat dhe një trakt dhe pastaj ikëm”. E pabesueshme, por e vërtetë!

Kryetari nacionalist Ndoc Çoba me vendosmëri kundërshtoi kërkesën e Partisë dhe të Miladin P. që ky të marrë pjesë në Konferencë dhe ishte sfidë e madhe: Miladini ishte kryetari i PKSH-së, drejtonte konsulta, konferenca dhe mbledhje të rëndësishme dhe të parëndësishme të Partisë, por Çoba guxoi dhe u tha “ndal!” epsheve politike të Popoviçit. Do të kalonin pak vite dhe Enver Hoxha do të shkruante për Konferencën e Pezës me theksa panegjirikë e patriotikë, siç shihet në vijim.

 

 

Ftesa e Konferencës mban “vulë” nacionaliste

Ftesa për delegatët dërgohej në emër të Këshillit iniciator për organizimin e Konferencës së Pezës.

5 shtator 1942

I ndershmi Zotni,

Në këtë çast të rëndësishëm për vendin t‘onë, kur historia e popullit shqiptar të shkruhet me gjak dhe kur gjithë bota ësht’ në luftë, ne kemi vendosë të mbledhim një konferencë të shqiptarëve të ndershëm që duan të luftojnë për lirinë e vendit. Populli shqiptar që ka për traditë luftën për liri, duhet sot kur ka për aleat gjithë popujt e shtypun dhe aleancën e madhe të tre popujve ma të mëdhenj e ma të organizuem të botës,- Amerikën, Ingliterën dhe Bashkimin Sovjetik- të mos qëndrojë mbrapa, por t’i përvishet me hov dhe pa humbur kohë luftës për lirinë e vet. Në këtë luftë duhet të marrë pjesë i gjithë populli shqiptar i bashkuem si nëj bllok, pa dallim klase, feje e tendence politike. Kemi një armik të përbashkët, të gjithë duhet të bashkohemi e nën hijen e flamurit të Kuq e zi të Skëndërbeut t’a çojmë popullin shqiptar në liri. Duke patur besim në ndershmërinë dhe në patriotizmin t’uaj, jemi të sigurt se nuk do të mungoni me marrë pjesë në këtë mbledhje me rëndësi historike për popullin shqiptar.

 

 

Konferenca do të bëhet në Pezë të Madhe më 14 shtator 1942

Me përshëndetje shqiptare Këshilli inisiator për mbledhjen e Konferencës për Çlirimin kombëtar

Për nga përmbajtja, ftesa është e shkruar nga mendje e dorë nacionalisti dhe kjo shihet që në fillim – me mënyrën e të drejtuarit: I ndershëm Zotni! Është e dallueshme vetëm për nacionalistë, veçanërisht ithtarë të Mit’hat Frashërit shprehja: “Të bashkohemi nën hijen e flamurit Kuq e zi të Skëndërbeut”. Në debatin për flamurin komunistët zgjodhën yllin komunist, kurse nacionalistët rrëmbyen flamurin e Skëndërbeut me zhgabën dykrenore. Dhe kur ndërmendim gjithë ato skena qesharake, që kishin mbushur Konferencën e Pezës, për të cilat fliste Enveri Hoxha e që trajtohen këtu, atëherë është e besueshme se ftesa e shkruar nga nacionalistët duhet të jetë ftesa zyrtare e Konferencës dhe nacionalistët ishin një forcë politike me peshë atje.

 

Drejtimi i Konferencës

Ndoc Çoba, ish delegat në Kongresin e Lushnjës, ministër i qeverisë dalë nga Kongresi dhe me veprimtari intensive drejtpërdrejt në kancelari të vendeve evropiane për të shpëtuar vendin nga epshet e rrezikshme të fqinjëve për copëtimin e vendit. Nacionalisti Çoba mban fort skeptrin e drejtimit të Konferencës së Pezës, kur pas Lufte në gati 50 vjet, por edhe sot në botime politike, historike e akademike Enver H. vlerësohet drejtues i punimeve të Konferencës së Pezës dhe me rol vendimtar në zhvillimin e Konferencës. Në burime arkivore s’mbeti gjurmë e presidiumit të Konferencës dhe Nexhmije H. pati disa herë rast ta bënte të njohur, por heshti për të vërtetën e dhimbshme për të; e për herë të parë e të vetme presidiumi i Konferencës bëhet i njohur nga anëtari i atij presidiumi, Ramadan Çitaku, tre vjet pas Konferencës së Pezës: “Presidiumi: Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla, Baba Faja Martaneshi, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi. (Ramadan Çitaku, Kujtime në Pezë, gazeta Luftëtari 1945, 16 shtator)

Halim Begeja, pjesëmarrës në Konferencë, nga Reggio Emilia, në intervistë sjell emrat e presidiumit: Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla e Abaz Kupi dhe që s’është e tëra e vërteta.

Nexhmija kujton vetëm Ndoc Çobën që të fshehë të vërtetën e hidhur se në presidium ishte dhe Abaz Kupi, por meraku më i madh është të fshehë Kamber Q. Kush ishte Qafmolla?

Zëvendëskomisar e kryekomisar në Tiranë (1933), kryekomisar në Tiranë (1937), zëvendësprefekt e qarkomandant në Vlorë (’36-›37), zëvendëskomisar i Gjindarmërisë së Tiranës (1939) e kuestor e komandant i Kuesturës fashiste të Tiranës (‘39-‘41). I njohur për ndjekje me egërsi të komunistëve, rini antifashiste, intelektualë e patriotë, një vendim i veçantë i firmosur prej tij për ndjekje pasionante të Ramize Gjebresë; dhe me cilësinë e kryekuestorit të Tiranës, bashkë me 32 antifashistë të tjerë firmos për arrestimin edhe të Enver Hoxhës si pjesëmarrës në demonstratën e 28 tetorit 1941 në Tiranë.

S’vihet aspak në dyshim se Qafmolla ishte në Konferencën e Pezës, por pyetja është se cilën forcë politike përfaqësonte ai, me gradën major i Kuesturës fashiste të Tiranës, deri pak muaj më parë? Qafmolla assesi s’mund të ishte në krah të Abaz Kupit, i cili ishte adhurues i Mbretit dhe luftëtar i orës së parë kundër fashizmit më 7 prill ‘39 në Durrës; as në krah të Ndoc Çobës, nacionalist i formuar e antifashist i internuar nga fashizmi në Itali; as në krah të nacionalistëve të Mit’hat Frashërit. Qafmolla ishte përfaqësues i komunistëve në Konferencë dhe logjikë tjetër s’mund të ketë, sepse Nexhmije H. këtë fakt do të fshehë kur mohon qenien e Qafmollës delegat në Pezë.

Disa muaj para mbajtjes së Konferencës, Kamber Q. “tradhton” fashizmin dhe aderon me komunistët nga edhe merr mandatin e delegatit për në Konferencën e Pezës.

Ç’i bashkon kaq shumë komunistët me kryekuestorin fashist Qafmolla?

Siç rrjedhin ngjarjet më pas, Qafmolla ftohej nga komunistët dhe në këtë ftesë ka vetëm një argument: Enver dhe Miladin P. kishin rënë në dorë të Qafmollës dhe ftohet delegat e merr detyrën më të lartë për Luftën dhe që më pas të likuidohet fizikisht me dredhi komuniste. Por është edhe mundësia që Qafmolla të jetë futur nga shërbimi i fshehtë fashist për t’u infiltruar në radhët e komunistëve dhe të dy arsyet me shumë gjasa bëhen bashkë.

(vijon nesër)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency