Standard.al

Jenkins: Britania e Madhe mbështet integrimin e Shqipërisë, ekspertizë për reformat kyçe  

Gëzim Saliu

Presidenti Nishani me Jenkins“Ne vlerësojmë hapat përpara që ka bërë Shqipëria, me rëndësi të ruhet vazhdimësia e procesit të integrimit”

 Britania e Madhe mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe është e gatshme të japë ekspertizën e saj në fusha me rëndësi kyçe për këtë proces. Ky ishte qëndrimi i shprehur dje nga drejtori i Departamentit të Ballkanit Perëndimor dhe Zgjerimit të BE-së në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Owen Jenkins, pas takimeve që zhvilloi me krerët e shtetit në vend, ku theksoi se tashmë është koha që të ecet përpara në procesin e integrimit, duke shënuar rezultatet në prioritetet kryesore.

 

Takimi me Nishanin

Në takimin me zyrtarin e lartë të Britanisë së Madhe, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, theksoi se disa nga sfidat e ardhshme për Shqipërinë janë konsolidimi i shtetit ligjor dhe i demokracisë. Fillimisht, kreu i shtetit bëri një paraqitje të arritjeve të Shqipërisë në procesin e reformave, duke u fokusuar, në mënyrë të veçantë te reformimi i drejtësisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe ndërtimi i një administrate profesionale. Nga ana tjetër, Presidenti u ndal te roli i vendit tonë në mbështetje të stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon, te kontributi i dhënë në kuadër të NATO-s dhe në sfidat e sigurisë në botë “dhe e siguroi bashkëbiseduesin se Shqipëria mbetet e vendosur të vazhdojë në të njëjtat linja të vazhdimit të reformave dhe në planin rajonal e më gjerë, ndërsa përfitoi nga rasti të falënderojë Britaninë e Madhe për mbështetjen edhe ndihmën e saj të vazhdueshme, si një partner me rëndësi të veçantë”. Ndërkaq, Jenkins, pasi u dakordësua me pikëpamjet e Presidentit, vlerësoi vendosmërinë e institucioneve shqiptare për vazhdimin e reformave, si edhe rolin e vendit tonë në rajon dhe në përballjen me sfidat e sigurisë në shkallë globale.

 

Takimi me Metën

Ndërsa në takimin e zhvilluar me Kryeparlamentarin Ilir Meta, Jenkins deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë asistencë dhe mbështetje në reformat kyçe që do të ndërmarrë Shqipëria. Ai shprehu vullnetin e Britanisë së Madhe për ta forcuar asistencën ndaj reformave, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe forcimit të sundimit të ligjit në Shqipëri, në kuadër të sfidave të ardhshme të procesit të integrimit evropian të vendit. Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit vlerësoi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen britanike në forcimin e institucioneve demokratike dhe mbarëvajtjen e reformave të rëndësishme që kërkon vendi. “Kuvendi mbetet i përkushtuar në zgjerimin e hapësirave për gjithëpërfshirje, bashkëpunim konstruktiv politik dhe në rritjen e cilësisë së hartimit dhe implementimit të legjislacionit në funksion të axhendës evropiane dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë”, – tha Meta. Po ashtu bashkëbiseduesit folën edhe mbi zhvillimet ndërkombëtare e rajonale, ku u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar si dhe roli konstruktiv i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit.

 

Takimi/ Gjosha me Jenkinsin: Përqendrim tek 5 prioritetet për hapjen e negociatave

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti dje në një takim Owen Jenkins, drejtorin për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, ku në qendër të bisedës ishin zhvillimet më të fundit dhe ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ministrja e Integrimit, informoi Jenkins mbi reformat dhe masat që po ndërmerren nga qeveria, duke theksuar: “Puna aktualisht është e përqendruar në përmbushjen e 5 prioriteteve që i janë lënë Shqipërisë për hapjen e negociatave. Kemi bërë progres në këtë drejtim, por sigurisht kemi ende shumë sfida përpara. Marrja e statusit të vendit kandidat ka qenë për ne shtysa më e mirë, për të vijuar në këtë rrugë duke iu afruar BE-së, me standarde të plotësuara”. Ndërkaq, Jenkins u shpreh se Mbretëria e Bashkuar mbështet integrimin e Shqipërisë dhe është e gatshme të ofrojë ekspertizë konkrete në fusha ku është e nevojshme. “Ne vlerësojmë hapat përpara që ka bërë Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit Evropian, rezultatet e së cilave u morën me vendimin e muajit qershor. Është me rëndësi të ruhet vazhdimësia e procesit të integrimit të Shqipërisë, në mënyrë që ky proces të jetë sa më i shëndetshëm”, – tha ai.

 

 Në Lisbonë/ Bogdani zgjidhet President i Organizatës Botërore të Forumeve Rinore të së Djathtës

Deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht, kryetar i Forumit Rinor të kësaj force, Gerti Bogdani, u zgjodh dje si President i Organizatës Botërore të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë. Kjo organizatë, e cila është themeluar nga Margaret Thatcher, u mblodh në Lisbonë të Portugalisë për të zgjedhur drejtuesit e rinj për periudhën 2014-2015, ku mësohet se zgjedhja e deputetit Bogdani si President ka ardhur pas një angazhimi intensiv personal dhe të FRPD-së në aktivitete ndërkombëtare, duke marrë një rol aktiv në takimet e organizuara nga IYDU dhe duke ngritur lart imazhin e të rinjve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Bogdani tha se lajmin për zgjedhjen si President i IYDU-së, e priti me gëzim të veçantë, pasi këto zgjedhje konfirmojnë sipas tij edhe një herë njohjen e arritjeve të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, roli i rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, avancimin e proceseve integruese në Bashkimin Evropian dhe finalizimin e liberalizimit e vizave, si edhe marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian. “Votëbesimi i dhënë nga kongresi i IYDU-së në zgjedhjet e zhvilluara pasqyron forcimin e partneritetit të FRPD-se me forumet simotra të spektrit të djathtë politik në rrafshin evropian dhe atë ndërkombëtar. Për më tepër, në këto zgjedhje, vendimtar ka qenë edhe forcimi i profilit të marrëdhënieve ndërkombëtare të FRPD-së për përfaqësimin dhe angazhimin aktiv të Forumit Rinor në aktivitete dhe nisma evropiane dhe ndërkombëtare të partive të djathta. Ky përfaqësim përbën një moment historik, sepse është hera e parë që Shqipëria zgjidhet në një nivel kaq të lartë drejtues në një organizatë globale. Me krenari mund të them se FRPD është tashmë plotësisht e integruar në të gjitha organizmat e partive simotra evropiane dhe botërore”, – veçoi Bogdani. IYDU përbën një strukturë të rëndësishme në skenën e politikës ndërkombëtare. Kryesimi i kësaj organizate ofron mundësi për promovimin e rolit të Shqipërisë në axhendën e angazhimeve dhe nismave të partive të djathta në Evropë dhe më gjerë në botë.

 

 

 

 

Comments are closed.