Standard.al

Guvernatori i ri/ Rama hap garën, Fullani shkarkohet të enjten në Kuvend

Florenc Drizari

Keshilli Mbikeqyres“Shqiptaret që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar të postojnë letrën  e tyre të interesit në adresën e çelur enkas keshillimbikqyresBSH@kryeministria.al

 Kryeministri Edi Rama çeli dje procesin e konkurrimeve për anëtar në Këshillin e Bankës së Shqipërisë. Në emër të qeverisë së dalë nga Aleanca për Shqipërinë Evropiane, Rama ftoi të gjithë shqiptarët që punojnë në sistemin financiar ndërkombëtar dhe që janë të disponueshëm të shqyrtohen si kandidatura të mundshme për t’u bërë pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të postojnë letrën e tyre të interesit në adresën e çelur enkas keshillimbikqyresBSH@kryeministria.al

Ky proces, sipas Kryeministrit, është i bazuar në vullnetin e mirë të qeverisë për të dhënë kontributin e saj, që Banka e Shqipërisë të dalë më e pavarur dhe më e sigurtë nga situata e krijuar. Edhe pse ligji nuk përcakton apo rregullon ndonjë proces a procedurë shprehjeje interesi për mënyrën se si përzgjidhen kandidatët e Këshillit Mbikëqyrës nga propozuesit e tyre përpara se të votohen në Kuvend, tha Rama, qeveria çel këtë proces për të pasur një mundësi sa më të gjerë përzgjedhjeje. Deklarata e Kryeministrit vjen në një ditë kur guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, u lirua nga paraburgimi që mbahej prej më se një jave, nga Gjykata e Apelit në Tiranë, e cila i dha atij masën arrest shtëpie, si dhe pak ditë para se sa Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtojë propozimin e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës për shkarkimin e kreut të BSH-së.

Me anë të një komenti në rrjetin social “Facebook”, Rama ka publikuar edhe arsyet se përse qeveria ndërmerr nismën për të shpallur aplikimet e reja për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. “Për të pasur një mundësi sa më të gjerë përzgjedhjeje. Për t’i dhënë hapësirë të merret në konsideratë kujtdo që ka mundësi të japë një kontribut si edhe dëshirë që ta bëjë këtë. Për ta ngritur Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në një stad të ri përgjegjësie e përgjegjshmërie profesionale. Për të vendosur meritën si parakusht të përzgjedhjes dhe thelluar depolitizimin e Këshillit Mbikëqyrës”, – ka shkruar Rama. Sipas tij, çdo i interesuar mund ta përcaktojë vetë nëse dëshiron ose jo që shprehja e tij e interesit të bëhet publike. Ndërsa shton se mbledhja e letrave e “CV”-ve në adresën keshillimbikqyresBSH@kryeministria.al do të vijojë deri në datën 30 shtator.

Më herët, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i rekomandoi Kuvendit shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani. Një tjetër vendim i Këshillit ishte edhe komandimi i guvernatores në detyrë Elisabeta Gjoni. Ndërkaq, të enjten e kaluar Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi në unanimitet propozimin e Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e Fullanit, ndërsa propozoi që kjo çështje të votohet në seancën plenare të datës 18.9.2014.

Një ditë më parë, Gjykata e Apelit komunikoi masën “Arrest shtëpie”, ndërsa rreth orës 18:20 Fullani i dha fund qëndrimit pas hekurave të paraburgimit. Edhe pse Gjykata e Apelit ka dhënë masën me “Arrest shtëpie” për ish-guvernatorin Ardian Fullani, avokati i tij mbrojtës u shpreh për mediat se do të bëhet rekurs në Gjykatë.

 

Rama: Ja pse nisim aplikimet në internet për Këshillin e Bankës

 

  1. a) Për të pasur një mundësi sa më të gjerë përzgjedhjeje
  2. b) Për t’i dhënë hapësirë të merret në konsideratë kujtdo që ka mundësi të japë një kontribut si edhe dëshirë që ta bëjë këtë
  3. c) Për ta ngritur Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në një stad të ri përgjegjësie e përgjegjshmërie profesionale
  4. d) Për të vendosur meritën si parakusht të përzgjedhjes dhe thelluar depolitizimin e Këshillit Mbikqyrës

Çdo i interesuar mund ta përcaktojë vetë nëse dëshiron ose jo që shprehja e tij e interesit të bëhet publike. Mbledhja e letrave të shprehjes së interesit në adresën keshillimbikqyresBSH@kryeministria.al do të vijojë deri në datën 30 shtator.

 

 Erjon Braçe pas lirimit të Fullanit: Hetimi i duhej për të dalë i pafaj!

 Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, deklaroi dje se lirimi i Fullanit është një mesazh për të gjithë se hetimi i duhej vetëm Fullanit për të dalë i pafajshëm. Braçe shkruan në rrjetin social në “Facebook” se pabarazia e vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit është e qëllimshme dhe se ai vendim shkatërroi hetimet. “Më e keqja është se: Hetimi u shkatërrua përfundimisht! Jo për shkak të prokurorit! Pabarazia e vendimit të sotëm është e qëllimshme po e po, por mbi të gjitha synon: të shkatërrojë hetimin, të dekurajojë të gjithë ata që dinë dhe bashkëpunonin për të zbardhur mekanizmin e vjedhjes dhe përmasën e saj, të bëj të heshtin të gjithë ata që dinë e mund të dëshmonin se si mbi 7 milion dollarë kanë hyrë në qarkullim. Vendimi i sotëm është mesazh për të gjithë: Heshtni! Ai u lirua, si duhet më kujt hetimi! Ose më saktë, i duhet hetimi vetëm atij, për të dalë i pafaj!”, – ka shkruar Erjon Braçe.

 

Takimi me Metën/ Vjedhja në Bankën e Shqipërisë, Arvizu: Jam i shqetësuar për politizimin e çështjes

Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexandër Arvizu, zhvilloi dje një takim 60-minutësh me kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Tema kryesore e takimit mësohet të ishte shqetësimi i diplomatit amerikan për politizimin e çështjes lidhur me vjedhjen e ndodhur në Bankën e Shqipërisë. Arvizu tha se Parlamenti ka një rol të rëndësishëm në mirëfunksionimin e shtetit dhe takimi i tij me Metën ishte një mundësi për shkëmbimin e ideve për zhvillimet më të fundit në vend. “Rreth asaj që është duke ndodhur me Bankën e Shqipërisë, dëshiroj të theksoj se së pari është i rëndësishëm stabiliteti financiar. Kjo do të thotë që aktorë të ndryshëm, qofshin këta në mazhorancë, në opozitë apo gjyqësori të kujdesen në mënyrë që i gjithë procesi duhet të jetë i depolitizuar. Integriteti i të gjithë sistemit të drejtësisë duhet jetë i qartë. Situata financiare duhet të stabilizohet dhe rruga më e mirë për tja arritur kësaj është depolitizimi. Hetimi për vjedhjen e bankës duhet të vijojë, por jam pak i shqetësuar për politizimin që po i bëhet kësaj çështjeje. Ka shumë spekulime dhe teori konspirative kjo mbase është interesante për gazetarët apo njerëzit, por nuk besoj që kjo është ndihmëdhënëse. Çfarë mund të ndihmojë tani është zhvillimi një procesi me integritet si një rrafshin e gjyqësorit përfshi atë financiar”, – deklaroi ambasadori Arvizu. Gjithashtu mësohet se nga ky takim tematika të diskutuara ishin edhe bojkoti i Parlamentit nga opozita si dhe zbatimi i reformës territoriale.

Comments are closed.