Standard.al

Udhëzimi / Si do të regjistrohen fituesit në universitete, ja kush mund të konkurrojë në fazën e dytë

studentet_e_rinjeDriçim Çaka

Procedura e regjistrimit, online dhe pranë sekretarive të fakulteteve. Dokumentet që duhet të dorëzojë çdo kandidat fitues. Procedurat për të vazhduar konkurrimin në të gjitha fazat

 

Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzimin për procedurat si do të regjistrohen studentët e rinj në universitete. MAS sqaron se pranimi i kandidatëve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë do të bëhet sipas listës emërore të miratuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Kandidatët fitues përcaktohen nga AKP në bazë të dy parimeve: Parimi Meritë-Preferencë (në bazë të rezultateve të shkollës së mesme dhe notave të provimeve të maturës dhe në bazë të parimit të preferencës, ku kandidatët kanë zgjedhur 10 degë për të konkurruar në universitete, me formularin A2. “AKP brenda orës 11:00 të datës 16 shtator 2014 të dërgojë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) listat paraprake të kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës me të lartë fituese të kërkuar prej tyre në formularin A2, në përputhje me kuotat e pranimeve te miratuara nga Këshilli i Ministrave. Rektoratet dhe dekanatet, brenda datës 16 shtator 2014, të shpallin në mënyrë të qartë dhe në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse listat paraprake të fituesve, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit online nga sekretaritë mësimore, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve plotësues si dhe njoftime të tjera të nevojshme”, – përcakton udhëzimi nr. 30 i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

 

 

Regjistrimi paraprak

Kandidatët fitues në listat paraprake kanë të drejtë të bëjnë dy zgjedhje në momentin e regjistrimit online. Të konfirmojnë dhe të kryejnë regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar në listat paraprake të shpallura, duke ndërprerë konkurrimin ose të vazhdojnë konkurrimin për të fituar një preferencë më të lartë, duke bërë zgjedhjen përkatëse gjatë procedurave të regjistrimit online. Këta kandidatë, së bashku me kandidatët që nuk janë shpallur fitues në listat paraprake, konkurrojnë për vendet e mbetura bosh të kandidatëve fitues, të cilët nuk kanë kryer regjistrimin online.

 

Procedurat

Kandidati fitues në listat paraprake, për t’u regjistruar dhe për të ndjekur më pas studimet në programin përkatës të studimit në IAL, ndjek procedurat e parashikuara ne dy etapat e mëposhtme:

-Procedurat e regjistrimit online (vetëm për fituesit në listat paraprake)

-Procedurat e regjistrimit me dokumentacion pranë sekretarive të IAL-ve publike ku janë shpallur fitues me listën përfundimtare (për të gjithë kandidatet e shpallur fitues në listën përfundimtare). “Vetëm pas përfundimit të kësaj procedurë brenda afateve të parashikuara në këtë udhëzim, kandidati do të rezultojë i regjistruar në programin e studimit ku ishte shpallur fitues në listat paraprake”, – thuhet në udhëzimin e MAS.

 

Procedurat e regjistrimit online

Kandidati i shpallur fitues ndjek procedurën e regjistrimit online në programin e studimit që ka fituar, në portalin e Maturës Shtetërore. Regjistrimi online kryhet në cilindo kompjuter që ka akses interneti. Kur kandidati nuk arrin të realizojë procedurën e regjistrimit online ai duhet të paraqitet pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku është shpallur fitues, e cila do të kryejë procedurën e regjistrimit online të kandidatit.

 

Datat e regjistrimit

Regjistrimi online pranë sekretarive mësimore bëhet nga data 17 shtator deri më datë 22 shtator 2014, nga ora 08:00, deri në orën 18:00. “Kandidati që paraqitet për të kryer regjistrimin online pranë sekretarisë mësimore, duhet të paraqesë vetëm një dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosjen e sekretarisë mësimore mbahet fotokopja e dokumentit të identifikimit. Kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak (online ose në sekretaritë mësimore) brenda datave të përcaktuara, për çfarëdo lloj arsye, humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidate nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve”, – përcakton udhëzimi.

 

Fituesit përfundimtar

Pas mbylljes së regjistrimit të fituesve paraprakë, Agjencia Kombëtare e Provimeve do të shpallë, brenda datës 29 shtator 2014, listën përfundimtare të kandidatëve fitues. Lista shpallet edhe në faqen zyrtare elektronike të MAS dhe AKP. “IAL-të shpallin në vende të dukshme listat përfundimtare brenda datës 30 shtator 2014. Sekretaritë mësimore të fakulteteve nga data 1 tetor 2014 deri më 7 tetor 2014, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, pranojnë dokumentacionin plotësues për të gjithë kandidatët fitues”, – thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Kandidatët dorëzojnë personalisht dokumentet e mëposhtme:

 

– Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë)

– 2 fotografi personale

– Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekë, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare, për llogari të IAL-ve përkatës.

 

Kandidatët që regjistrohen duke paraqitur dokumentacionin pranë sekretarive të IAL-ve publike ku janë shpallur fitues sipas procedurës së mësipërme, nuk kanë të drejtë të aplikojnë në raundin pasardhës (ku parashikohet dhe aplikimi me formularin A3).

 

 

 

Aplikimet

Studentët e huaj, dokumentet që duhen për t’u regjistruar në universitete shqiptare

Studentët e huaj që aplikojnë individualisht në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit apo në kuadër të marrëveshjeve shtetërore dypalëshe ose shumëpalëshe për ndjekjen e studimeve në ciklin e parë të studimeve, për vitin akademik 2014-2015, do të përzgjidhen për programin e studimit të kërkuar, në bazë të dosjeve të aplikantëve të përcjella individualisht nga vetë të interesuarit ose të ardhura nga përfaqësitë diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë, nga ministritë e Arsimit të vendeve përkatëse ose nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë. MAS bën me dije se studentët e huaj duhet të paraqesin në Drejtorinë e Integrimit dhe Projekteve, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në periudhën 10 shtator 2014 – 1 tetor 2014 dokumentet e mëposhtme:

-Formularin e aplikimit

-Vërtetim që nuk ka qenë i ndjekur penalisht dhe që nuk është në ndjekje penale, në vendin e origjinës, i lëshuar 3 muajt e fundit

-Fotokopjen e njësuar të dokumentit personal të identitetit

-Fotokopjen e njësuar të origjinalit të legalizuar të diplomës së shkollës së mesme e shoqëruar nga një dokument të lëshuar nga autoritetet arsimore kompetente që dëshmon se mbajtësi i diplomës ka të drejtë të ndjekë studimet në institucione të arsimit të lartë në vendin e tij/saj

-Certifikatë e njohjes së gjuhës shqipe, lëshuar nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë së Universitetit të Tiranës, dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument që provon njohjen e gjuhës shqipe në nivelin e kërkuar (për shembull, diplomë e kryerjes së një cikli studimi në gjuhën shqipe etj.)

-Kopjen e njësuar të origjinalit të lejeqëndrimit për shtetasit e huaj, lëshuar nga Ministria e Brendshme, nëse disponohet nga aplikuesi

-Curriculum Vitae

Shtetasit e huaj brenda datës 17 tetor 2014 duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse për të përfunduar procedurat e regjistrimit në programin përkatës të studimit.

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.