U mbajt sekret / Pse refuzoi Mbreti Zog martesën me gruan e pasur orientale

0
194

4Dosier/ Letra e panjohur e At Paulin Margjokajt për Mustafa Krujën, përkatësia fetare e familjes mbretërore?!

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

Ka një moment në histori, edhe pse në mërgim, është diskutuar mbi pozitën fetare të Mbretëreshës. Letra e At Paulin Margjokajt drejtuar Mustafa Krujës rikthen çështjen, duke memorizuar këtë debat, edhe pse jo shumë i njohur. Duke qenë se zgjedhja ishte bërë tashmë, letra “kujdeset” për trashëgiminë fetare të familjes mbretërore, kur kjo i takon kohës që ishte vendosur në Kajro, Egjipt. Në këtë “debat”, pothuaj krejt të panjohur mbi përkatësinë fetare të mbretëreshës, At Paulini zbulon një të dhënë që pothuaj nuk është shfaqur ndonjëherë në shtyp. Pa ndonjë informacion të bollshëm, në pak rreshta, At Paulini i shkruan Mustafa Krujës mbi faktin se Mbreti Zog kishte pasur oferta për të pasur një martesë të majme me ndonjë orientale. Ndoshta frati vetë nuk dinte saktësisht rreth kësaj çështjeje, ndaj i kërkon Krujës që t’i sillte shembuj konkretë se për kë bëhej fjalë.

Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, letërkëmbimi me At Paulin Margjokajn konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.

“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vënde e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

 

***

 

 

BOLZANO, me 14 maj 1950

 

I dashtun Mik,

Letren tande e mora me 10, e po mundohem me t’i pergjegjë sa ma shpejt.

  1. Astius: Shen Asti, ipeshkev i Durrësit, martirizue në kohen e Trajanit. Festohet me 7 korrik.
  2. Sergius: Shirqi. Në Breg të Buenës gjindet nji kishë e kushtueme shejtenve Sergio e Bacco, shqyp Shen Shirqi e Shna Bafti. Bakun e kan perkthye shqyptarët pak si teper lirisht me “Baft”. Festa e ktyne dy shejtenve bashkarisht kremtohet me 7 tetuer.
  3. Arcangelo: Kryeêngjëll ase Kryeêjëll.
  4. Mutter Gottes: Urata (la preghiera) mâ e perhapuna e mâ popullorja qi thohet në nderë e në lavd të Zojës së Bekueme âsht kjo: ITALISHT: “Ave, o Maria, piena di grazia; il Signore è con te, tu sei benedetta fra le donne, e benedetto è il frutto del tuo seno, Gesù. Santa Maria, Madre di Dio, prega per noi peccatori, adesso e nell’ora della nostra morte. Così sia!”. SHQYP: Falemi, o Mërí, hirëplote; Zoti â’ me tý, bekue jé mbi gjithë grá e bekue fryti i barkut t’ tyt Jezus. Shejtja Mërí, Nana e Tynzot, lutu per né mkatnorë, tash e në fíll të mordes s’onë. Ashtu kjoftë”. Kshtu âsht edhe në frengisht e në latinisht e në tjera gjuhë në të njajtin vend të Falemi Mrís. Edhe perkthimi i Juej shkon ma së mirit; edhe në italisht thohet: la Vergine Madre, Maria Vergine, Santa Vergine etj. etj.
  5. Santa Maria a Nivibus (ase Sancta Maria ad Nives). Nder kalendarë shqyp më bjen nder mend se âsht kenë perkthye: “Zoja e Borës”. Zoja e Bekueme nen ket titull ka njeket legendë per temel. Në kohë të Papës Liberius (352- 366) nji patric romak, emnit Johannes, me gruen e vet, tue mos pasë kurrnji fmi, dán me i a falë mbarë pasunín e tyne së Lumes Zojë. Mbas uratësh së padame, qi Zoja e Bekueme t’u diftonte në çë mndyrë dote Ajo qi t’a perdorshin pasunín, Zoja i u duk ktyne n’anderr naten e 5 Gushtit tue u thânë qi, n’at vend, të cillin ata t’a shifshin të mbluem me borë, do të ndreqshin nji kishë e do t’i a kushtojshin Zojës. Si shkuen kta të dy te Papa Liberius, ky u tha se edhe ai kishte pasë pá të njajten anderr n’ at natë. Në ket vend, prá, diten 5 Gusht, rá borë e prandej po në ket vend, me ceremoní të mdhaja, Papa Liberius dha shejin me i a fillue punës per kishen kushtue Zojës. Tue kenë në Romë edhe tjera kishë kushtue Zojës, dán me quejtë ket kishen e ré: “Sancta Maria ad Nives” apor, si e shkrueni Ju, tue dashtë në ket mndyrë me amshue edhe mrekullín e borës me 5 Gusht. Kjo kishë thirret tash “Santa Maria Maggiore” e âsht njana nder kater bazilikat mâ të randsishmet të Romës. Legenda e borës âsht e trillueme në Mjeskohë, por emni i ka mbetë edhe tash në liturgjín kishtare, e festa kremtohet me 5 Gusht edhe tash.
  6. Sancta Maria ab Angeli Salutatione, ase edhe Annuntiatio Beatae Mariae Virginis, kur iu lajmue Zojës së Bekueme prej kryeejllit Gabriel se do të lete prej sáj Jezu Krishti. Shpesh herë shifet i pikturuem l’Annunziazione, apo Lajmimi. Shqyp kjo Zojë thirret “Nuncjata”. Në Shkoder perdoret nji proverb motit: “Nuncjata me shtergata, trí dit para a trí dit mbrapa!”. Festa lutet me 25 marc. Ortodoksët e thrrasin ket festë – mos gabosha – Evangjelisma. Nandë muej mbas ksaj dite, d.m.th. me 25 dhetuer, janë Kshndellat ase Krishtlindja.

Tash pvetjet e mija:

  1. Më shkrueni në leter se qysh me 1927 e njihshi masken çlirim-nacjonale të fabrikueme në Moskë. Kishe me dashtë me dijtë mâ gjatë mbi ket pikë. Në ket rasë ndoshta mundesh me më skjarue edhe kohen 1932- 33 kúr u mbyllen shkollat fetare prej qeverís s’ at hershme. Kush ka pasë gisht në ket punë?
  2. Prap prej letres s’Ate m’ intereson aty ku thoni se pozita fetare e Mbretneshës do të jét rregullue në mergim, tue qenë se e dini pozitivisht se Mbretnesha i bân të gjitha kushtet e fés katholike e âsht shum’e devoçme e e lume nga ajo pikpamje. Po per fmí, si do t’a ketë ndreqë punen? Ju e dini sugurisht se kushti mâ i randsishmi per me ndreqë poziten fetare në rasë marteset ndermjet nji katholikut e njeriut të nji religjionit tjeter âsht qi fmít do të pagzohen katholikë e do të rriten në ket fé. N’ ambjentin e Kajro-s sugurisht qi âsht e vshtirë qi fmija të rriten në tjeter fé, posë asaj të shumsís së Egjiptit. E dij se Mbreti ka nji djalë, e kam pá ftyren e tij në nji gazetë t’illustrueme italjane; si âsht pozita e ktij djalit per shka i perket fés e edukatës?

Mndyra e të thânunit: “populli shqiptár e ka pasun në thue gjatë tanë historís së vet me ndjekun mâ të fortin”. Ket mndyrë “e ka pasun në thue” nuk e kam ndie kurr. Kshtu edhe fjala “tfillue” më ka hi në krye. Më vjen mirë qi me korrespondencen me Jú po kam rasen me xânë nji fije shqyp e mos me harrue ata shka dij.

  1. Mbreti ka pasun rasa dhe oferta per nji martesë shum’a pak të majme me ndonji orjentale. Më diftoni ndonji shembull!
  2. Kndova në gazetën “Flamuri” kto fjalë të drejtueme Vatranve t’Amerikës: “Kur pushka e Avni Rustemit tronditi tërë Parisin dhe rrëzoi përdhé trathëtín, ju rendët për të ndihmuar, për të shpëtuar Pushkatarin e Atdheut”. Edhe vetë kishem me dashtë me dijtë se si nuk i ndodhi kurrgja Avnís në ket rasë. Me vrá nji njeri në mjedis të Parigjit e me pshtue ashtu pa tjeter, âsht per mue jo aq e kjartë.

Tash pvetja e mbrame, por qi ká me të dhanë punë ma shum se të tjerat zbashkut. Athue âsht e mundun qi të më dergoni nji herë gjithçka të dieni permbi salvimin qi kan psue musulmant e kleri i tyne në ket kohen e rregjimit të kuq të Hoxhës. Kam pasë lexue nji herë, para mâ se nji vjetet, se Myftija i Shkodres kje vjerrë nen ftyren e Stalinit nd’odë të vet. M’ intereson me dijtë gjithshka kanë hjekë musulmant si bektashi si edhe tjerë nen ket rregjim. E jo vetem salvimi i klerit, por edhe i personave tjerë musulmanë. Ksaj pikës së mbrame nuk âsht nevoja të m’i pergjegjni ashtu menjiherë, pse kjo lypë kohë deri sa të mblidhet materjali i nevojshem. Per salvimin e katholikve kan shkrue shpesh herë aty-ktu gazetat italjane, por per musulmanë s’dij veç krejt pak.

At pasaporten “Nansen”, per të cillen më shkrueni e kam xjerrë e në te më kanë dhânë edhe “Visto di reingresso”. Per pasaporten e IRO-s nuk kam aspak haber. Tue mos kenë vetë i shkruem n’ IRO, vshtirë se mund t’a xjerri.

Per tash njiherë po U uroj shndet e gjith të mirat.

 

Miku yt

P.P.Margjokaj

  1. Paolino Margjokaj

Via dei Francescani, 1

 

 

)))

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency