Standard.al

Reportazh i CNN-it për “ish-Bllokun”: Jetë nate aty ku ngrihej diktatura

safe_imageSot ajo mund të jetë lagjja më e gjallëruar e Shqipërisë, ndërsa pak më shumë se dy dekada më parë nuk ishte as në hartë.

Kështu nis një editorial në faqen online të rrjetit prestigjioz amerikan CNN kushtuar lagjes së ish-Bllokut në qendër të Tiranës. Reporterëve të huaj u ka bërë përshtypje se si tashmë një sërë restorantesh dhe klubesh nate në mes të kryeqytetit janë destinacioni i shumë qytetarëve dhe turistëve të huaj në kërkim të argëtimit. CNN shkruan për regjimin totalitar të Enver Hoxhës dhe, sipas tij, deri në fund të viteve `80, Shqipëria ishte një nga shtetet më të izoluara të planetit, ku asnjëri nuk lejohej të udhëtonte jashtë vendit.

“Blloku” ishte vendbanimi i diktatorit Enver Hoxha. Ushtarë të armatosur ruanin çdo rruge dhe qoshe të kësaj lagjeje, ndërsa qytetarët e zakonshëm mbaheshin larg. Në shumë harta “Blloku” ishte pa emër”, – shkruan CNN.

Gazetari Sean Williams ka pyetur zv.kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo. Sipas tij, Shqipëria e atëhershme ishte siç është sot Koreja e Veriut.

“Në qendër të gjithë kësaj lagjeje ngrihej një vilë private e Hoxhës, një rezidencë bukuroshe me ngjyra e rrethuar nga kopshte me palma dhe shatërvanë. Blloku ishte një bastion i heshtur i elitës së Shqipërisë. Me ardhjen e demokracisë në 92-shin, “Blloku” që ishte bastioni i heshtur i elitës së periudhës komuniste, u shndërrua në një destinacion argëtimi dhe blerjeje, me shumë ndërtesa të larta, dyqane, restorante, bare dhe pabe, ku pjesa më e madhe e tyre emërtohen me emra anglezë. Gjithashtu, ish-Blloku është kthyer në një ikonë për jetën e natës për qindra e mijëra të rinj që mbushin plot rrugët e saj çdo ditë dhe veçanërisht në fundjavë”, – shkruan CNN.

Gazetari sjellë si shembull lokalin “Duff”, me prejardhje nga Nju Jorku, ku pronari kishte jetuar dhe dëshironte që një gjë të tillë ta bënte edhe në Shqipëri. Përse shqiptarët pëlqejnë emrat amerikanë, sipas CNN duan të duken më trendi. Në vitin 2007 më shumë se një milion njerëz vizituan vendin. Deri në vitin 2011 kjo shifër u rrit menjëherë në më shumë se 2.7 milionë.

“Shqipëria është një nga vendet më me diell të Evropës”, – thotë për CNN një turist francez, i cili ka vendosur të arrijë deri në Stamboll nëpërmjet Ballkanit. “Këtu ju keni ende për të zbuluar, njerëzit janë të rinj dhe të bukur”, – shton ai.

Enno Bozdo është i kënaqur se brezi i sotëm shkon në lokale, por di pak për atë që ka qenë Blloku, të kaluarën e tij. “Është e pamundur për ta të kuptojnë se çfarë ishte regjimi”. Sipas Bozdos, disa aspekte të rigjenerimit të Bllokut janë arsye edhe për t’u shqetësuar – sidomos me vilën e vjetër të Hoxhës që është planifikuar për t’u hapur si muze gjatë këtij viti. “Për fat të keq, ka pasur një rritje në mitin e diktatorit kohët e fundit”, – shton Bozdo.

“Tirana ka shumë për të parë, – shkruan CNN, – por më e mira nga të gjitha janë njerëzit, ndaj mos harroni që ta vendosni këtë vend në krye të listës se udhëtimeve”, – mbyllet shkrimi./www.lapsi.al/

Comments are closed.