Standard.al

PS PËR FULLANIN / Ruçi: Parlamenti të shkarkojë guvernatorin

urlFlorenc Drizari

“Parlamenti të mblidhet dhe të shkarkojë guvernatorin. Ky proces kërkon qetësi politike, ndaj ne do presim të flasë drejtësia”

 

Një javë pas arrestimit të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, duke kërkuar shkarkimin e tij në Kuvend. Më herët, Këshilli i Mbikëqyrës i BSH-së i ka rekomanduar Kuvendit shkarkimin e Fullanit, ndërsa procedurat parlamentare nisën të enjten e shkuar në Komisionin e Ekonomisë. Në këtë mbledhje, u votua propozimin për shkarkimin e guvernatorit, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në kuadër të bojkotit që ka vendosur ndaj legjislativit dy muaj më parë.

Reagimi i djeshëm i kreut të grupit socialist, Gramoz Ruçi, është qëndrim i tij i parë pas skandalit të ndodhur në Bankën e Shqipërisë në fillim të muajit gusht, ku u konstatua nga vetë punonjësit e kësaj banke një vjedhje prej 713 milionë lekësh në thesar. Sipas Ruçit, procesi i shkarkimit të guvernatorit kërkon qetësi politike dhe duhet të pritet që drejtësia të jap versionin e saj. “Parlamenti të mblidhet dhe të shkarkojë guvernatorin. Ky proces kërkon qetësi politike, ndaj ne do presim të flasë drejtësia”, – deklaroi Ruçi. Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë të enjten e ardhshme propozimin e Komisionit të Ekonomisë për shkarkimin e Fullanit, ndërkohë që po javën e ardhshme, pritet që gjykata të vendosë nëse guvernatori do të lihet në burg apo do të ndryshojë masa e sigurisë në arrest shtëpie.

 

Komisioni i Ekonomisë

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi të enjten e datës 11.9.2014 propozimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani. Kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, hodhi në votim propozimin e kërkesën e Këshillit, i cili u miratua me votat e anëtarëve të majtë. Gjithashtu në këtë mbledhje Komisioni i Ekonomisë votoi pro edhe ndaj kërkesës për shkarkimin e inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi. Në një prononcim për mediat, Braçe theksoi se gjetjet e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani dhe inspektores së Përgjithshme, Elivar Golemi, janë të ligjshme.

“Shkresa e Këshillit Mbikëqyrës që vë në dijeni Kuvendin për vendimin e Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbështetur në nenin 47, pika 2 germa c, të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”. Pra, baza ligjore ka qenë kjo. Motivacioni “shkelje e etikës në punë dhe cenim i thellë i interesave të Bankës së Shqipërisë”. Ky është motivacioni që ka sjellë Këshilli në mbështetje të nenit 47, pika 2, germa c. Komisioni e ka gjetur në përputhje me ligjin propozimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe e ka miratuar me unanimitet shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”, – ka thënë Braçe dy ditë më parë.

Dy zyrtarët e lartë të Bankës së Shqipërisë, Fullani dhe Golemi, akuzohen nga Prokuroria se për shkak të mosveprimeve të tyre, kanë krijuar kushtet që të cenohet siguria e parave në administrim të këtij institucioni.

 

 

Nuk dorëzuan deklaratën e pasurive, ILDKP, masa administrative për 4 zyrtarë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nëpërmjet një deklarate për mediat se ka konstatuar shkelje për 4 zyrtarë të niveleve të ndryshme të cilët janë në shkelje të afateve të dorëzimit të deklaratës së interesave private.

Sipas ILDKP, zyrtarët janë konkretisht, Jonito Selimaj, Zaide Haziraj – Besnik Këndezi, Demir Gjana.

ILDKP njofton se “për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 100.000 (njëqind mijë) lekë”, – inspektori i Përgjithshëm, përmes vendimeve të posaçme, vendosi masën administrative “gjobë, në shumën 100.000 (njëqind mijë) lekë”.

Gjithashtu, Inspektorati i Lartë u rikujton të gjitha subjekteve deklarues ndaj të cilëve është marrë masë administrative “gjobë”, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë i Kodit Penal, për të cilën ILDKPKI do të paraqesë kallëzim penal pranë organit të akuzës.

 

 

ALUIZNI

Hyn në fuqi ndryshimi i kritereve për regjistrimin e ndërtimeve pa leje

Drejtoria e ALUIZNI-t në Qarkun e Tiranës shpërndau disa tituj pronësie në zonën e Kasharit. Këto zhvillime vijnë pak ditë pasi qeveria miratoi ndryshimin e kritereve për regjistrimin e ndërtimeve pa leje dhe shtesat. Vendimi i qeverisë për përcaktimin e procedurave të evidentimit në terren, të ndërtimeve pa leje dhe shtesave, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale u botua një ditë më parë në “Fletoren zyrtare” dhe pritet të fillojë efektet sipas ligjit në fuqi. Në këtë vendi, Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimin e procedurave për regjistrimin e ndërtimeve informale, duke kërkuar nga ALUIZNI që të kryejnë evidentimin në terren dhe hartimin e dokumentacionit në bazë të gjendjes faktike të ndërtimeve të ndërtimeve informale, sipas njësive strukturore të përcaktuara prej tyre, rast pas rasti. Për ndërtimet informale, që përfshihen për herë të parë në procedurat e legalizimit, referuar ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, plotësohet deklarata për përfshirje në këtë proces nga subjektet poseduese.

Comments are closed.