Krimi në familje / Konflikti për ndarjen e pasurisë, vëllai vret vëllain, vetëdorëzohet

0
160

kurbin

Një tjetër vrasje brenda familjes ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Bushnesh të Krujës. Këtë herë, ngjarja e rëndë ka pasur për protagonistë dy vëllezër, në të cilën njëri ka mbetur i vdekur dhe tjetri dyshohet si autori vëllavrasës. Konflikti, edhe këtë herë, ka nisur mes vëllezërve, për pronën. Policia, e cila pas njoftimit shkoi në vendin e ngjarjes, bëri të ditur se autori i ngjarjes është dorëzuar pak pas krimit.

 

Ngjarja

Dy vëllezërit prej kohësh kishin një konflikt midis tyre për pronën dhe, sipas dëshmive, mësohet se ata ishin parë shpesh të debatonin kohët e fundit. Një debat i tillë mësohet se ka ndodhur edhe dje në mëngjes, kur pas sherri verbal të radhës midis tyre, mësohet se vëllai i vogël, Petrit Marku, 45 vjeç, ka rrëmbyer një armë tip pistoletë që mbante pa leje dhe ka qëlluar në drejtim të vëllait të tij më të madh, Pal Marku, 52 vjeç.

Ngjara ka ndodhur rreth orës 08:25, në fshatin Bushnesh, Komuna Thumanë (Krujë), në rrugën në afërsi të dy bizneseve të tyre (lokal dhe servis) që gjenden rreth 100 metra larg njëri-tjetrit.

 

Konflikti

Dy vëllezërit Marku prej disa vitesh kishin zbritur nga zonat e thella të Pukës dhe ishin vendosur në Bushnesh të Krujës, ku së bashku kishin blerë tokën ku kishin ndërtuar shtëpitë. Konflikti mes vëllezërve Pal dhe Petrit Marku ka ardhur pas ndërtimit të një lokali nga 45-vjeçari. Petrit Marku, prej vitesh emigrant jashtë vendit, paratë e grumbulluara i kishte investuar në ngritjen e një biznesi familjar, por kjo gjë ka krijuar pakënaqësi te viktima, i cili kërkonte të përfshihej. Dje sherri përfundoi me vrasje në afërsi të një servisi, shumë pranë lokalit në pronësi të vëllait vrasës.

 

Hetimet

Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë lokale, të cilat vijuan veprimet e para dhe punën hetimore. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit, mësohet se paraprakisht dyshohet që ngjarja ka ndodhur për motive pronësie. Referuar dëshmive paraprake, mësohet se shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë dyshohet të ketë qenë një konflikti mes vëllezërve për ndarjen e dy biznese të familjes, një lokal dhe një servil, ndërkohë që po vijon puna hetimore në drejtim të zbardhjes së plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, shtetasi  Petrit (Leonard) Marku, u vetëdorëzua në Policinë e Laçit së bashku me një pistoletë model 54.

 

 

Ndeshja Vllaznia – Tirana

Dhuna në stadium, 17 të plagosur dhe 54 të shoqëruar në polici

Dhuna e dy ditëve më parë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, ku tifozeritë e Tiranës dhe Vllaznisë u përleshën midis tyre gjatë ndeshjes së futbollit zhvilluar midis këtyre dy ekipeve, ka bërë që nga ana e policisë lokale të fillojë procedimi penal për 54 tifozë. Burime të Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Shkodrës bënë të ditur zyrtarisht dje se, pas ngjarjes, strukturat e policisë morën të gjitha masat për identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të akteve të dhunës. Sipas të njëjtave burime, në kuadër të këtyre veprimeve, mësohet se janë shoqëruar në komisariat gjatë orëve të mbrëmjes, pas përfundimit të ndeshjes, 54 shtetas si autorë të dyshuar të akteve të dhunës. Në përfundim të veprimeve hetimore në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar në flagrancë 13 shtetas, ndërsa filloi procedimi penal në gjendje të lirë për 41 shtetas të tjerë. Më tej, të njëjtat burime saktësuan se nga strukturat e policisë u bë shpallja në kërkim e shtetasit Maringlen Burreli, vjeç 22, banues në Tiranë, i cili është personi i dyshuar se ka goditur punonjësit e policisë dhe presidentin e Tiranës. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të parashikuara nga nenet 236, 274 dhe 150 të Kodit Penal.

Gjithashtu, burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës bënë të ditur se gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë kanë pësuar dëmtime 5 punonjës policie të komisariatit të policisë Shkodër, të cilët, pasi kanë marrë mjekim, kanë dalë nga spitali. Po ashtu janë lënduar dhe 12 persona lehtë, të cilët pas marrjes së mjekimit janë larguar pa probleme.

 

 

Gjirokastër

“Provimet e vjeshtës” prangosin pedagogun

Një operacion i policisë së Gjirokastrës, i koduar “Provimet e vjeshtës”, ka bërë të mundur arrestimin e një pedagogu të Universitetit “Eqrem Çabej”. Pedagogu i arrestuar është Hamid Ismailati, i cili jepte mësim në profilin e Infermierisë. Burime zyrtare nga policia e këtij qyteti bënë të ditur se Ismailati u kap në flagrancë, pasi i kishte marrë 10 mijë lekë të reja një studenteje, në këmbim të notës kaluese. Mësohet se në momentin e arrestimit në portofol iu gjetën dhe iu sekuestruan 565 euro dhe 28.500 lekë (të reja), përveç shumës 10 mijë lekë që ia kishte dhënë studentja. Sipas burimeve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, mësohet se goditja e këtij rasti është realizuar duke përdorur metodat speciale të hetimit. Mbi pedagogun rëndon akuza “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

 

 

Tiranë

Babai plagos të dashurin e vajzës, kundërshtonte bashkëjetesën

Një 46-vjeçar, i cili ka plagosur me armë të dashurin e vajzës së tij, është prangosur dje nga polica e Tiranës. Ngjarja ka ndodhur në periferi të Tiranës, në Paskuqan. I riu 26-vjeçar Zijadin Gj. mësohet se kishte shkuar në shtëpinë e vajzës që dashuronte për të kërcënuar të atin e saj, Nuredinin, që të mos e pengonte bashkëjetesën e dy të rinjve. Por duket se 46-vjeçari Nuredin Lika nuk ka qenë dakord me kërkesën e të riut dhe ka shtënë drejt tij me pistoletë, duke e plagosur rëndë. Policia ka mbërritur menjëherë në Paskuqan dhe vuri në pranga 46-vjeçarin, ndërkohë që ambulanca dërgoi në QSUT të plagosurin Zijadin Gj., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ende në rrezik për jetën.

Policia ka njoftuar se ka sekuestruar në vendngjarje jo vetëm armën e krimit, pistoletën, por edhe një armë automatike, një çifte pa leje dhe një sasi fishekësh pistolete.

 

 

Tiranë

Përleshen dy mësues në shkollë, ndërhyjnë nxënësit për t’i ndarë

Puna përgatitore për fillimin e vitit të ri shkollor është pasuar me një ngjarje të pazakonshme në shkollën “Aleks Buda” në Tiranë. Dy mësues janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin, ndërsa kanë qenë nxënësit që rastësisht ndodheshin në mjediset e shkollës, që kanë ndërhyrë për ndarjen e tyre. Ngjarja ka ndodhur dje paradite dhe mësohet se konflikti fizik mes mësuesve pasoi një debat me shkëmbime fjalësh fyese në adresë të njëri-tjetrit. Pas njoftimit, policia shkoi në vendngjarje dhe po vijon zbardhjen e shkaqeve të këtij konflikt, ndërsa nuk bëhen ende të ditur emrat e dy mësueseve.

 

Tiranë

Bie punëtori nga pallati ku punonte, arrestohen dy inxhinierët e firmës

Një punëtor ka rënë nga pallati ku punonte dhe ka humbur jetën. Aksidenti ku humbi jetën punëtori 33-vjeçar Xhevit Lushi ndodhi dje, në rrugën “Hysen Xhura”. Ngjarja, ku humbi jetën punëtori 33-vjeçar Xhevit Lushi, ndodhi dje rreth orës 16:00, në rrugën “Hysen Xhura”, në kompleksin “Xhura” në Tiranë. Policia bën me dije se pas hetimeve paraprake, arrestoi dy inxhinierët e firmës, Kujtim Llorja, 56 vjeç, dhe Eduart Nasto, 32 vjeç. Sipas policisë, ata akuzohen për moszbatim të rregullave të sigurisë. Materialet procedurale për këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

 

 

Lezhë

Pi fostoksinë, vdes 20-vjeçari

Një i ri nga Lezha, i moshës 20-vjeçare, i ka dhënë fund jetës dje, në rrethana të mistershme. Nga të dhënat paraprake mësohet se Marjo Bici, në gjendje depresioni, ka konsumuar fostoksinë. Kanë qenë familjarët ata që e kanë gjetur të riun në gjendje të rëndë, duke e dërguar për mjekim në spital, ku pavarësisht nga ndihma e dhënë ka gjetur vdekjen. Burime spitalore bënë të ditur se rreth orës 11:30, në spitalin “Nënë Tereza” Tiranë ka gjetur vdekjen Marjo Bici, banues në fshatin Tale të Lezhës.

 

 

Krujë

Vetëhelmoet 62-vjeçari, vdes në spital

Një burrë nga një fshat i Krujës i ka dhënë fund jetës në rrethana ende të paqarta. Ngjara ka ndodhur mesnatën midis së enjtes dhe të premtes. Sipas të afërmve, mësohet se 62-vjeçari, me inicialet B. K., është vetëhelmuar në banesën e tij në fshatin Halil të Krujës. Me gjithë përpjekjet për t’i dhënë ndihmën e parë, ai ka gjetur vdekjen në spitalin e Tiranës. Dyshimet e para të policisë bëjnë të ditur se 62-vjeçari ka pirë fostoksinë, në kushte të rënda depresive. Vijon kryerja e hetimeve të para në funksion të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency