Zgjedhjet e 23 qershorit/ Ndryshuan rezultatin e 10 qendrave të numërimit, në gjyq 8 anëtarët e KZAZ

0
134

Sonila Mesareja

votim Akuza e Lezhës: Falsifikuan materialet zgjedhore dhe rezultatet e zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve denoncoi falsifikimin, nisi kallëzimin në Prokurori

Kur ka kaluar më tepër se një vit nga përfundimi i procesit zgjedhor të 23 qershorit, vijojnë proceset hetimore apo gjyqësore për anëtarët e KZAZ-ve apo të qendrave të numërimit. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka përfunduar hetimin dhe dërgoi për gjykim 8 persona që kanë pasur funksionin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nr. 13, në Lezhë në zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluar në qershor 2013, të akuzuar për “Falsifikim të materialit zgjedhor dhe të rezultateve të zgjedhjeve”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 326 dhe 25 të Kodit Penal. Hetimi i prokurorisë së Lezhës është nisur në bazë të kallëzimit të dërguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga veprimet procedurale, ka rezultuar se anëtarët e KZAZ kanë ndryshuar rezultatin e tabelave të 10 qendrave të numërimit të votave. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Lezhës ka dërguar kërkesën për gjykim ndaj shtetasve Alketa Hoxha (kryetare e KZAZ), Aleksandër Gjonmarkaj (Sekretar i KZAZ), Gjovalin Gjeloshi (nënkryetar i KZAZ), Lekë Prendi, (anëtar), Gjergj Doda, (anëtar), Bardh Dedgjonaj, (anëtar), Vitore Palaj (anëtare) dhe Shaqe Marinaj (anëtare).

 

Kallëzimi

Burime zyrtare nga akuza bëjnë me dije se më datë 3.9.2013, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë, mbi bazën e kallëzimit penal të paraqitur nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka regjistruar procedimin penal nr. 463 të vitit 2013, për veprën penale të “Falsifikimit i materialit zgjedhor dhe të rezultateve të zgjedhjeve” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 326-25 të Kodit Penal. Nga aktet e procedimit penal ka rezultuar se në datë 23.6.2013 në Republikën e Shqipërisë janë zhvilluar zgjedhjet për në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë datë janë zhvilluar zgjedhjet dhe në Zonën e Administrimit të Zgjedhjeve nr. 13 që përfshihej në Qarkun e Lezhës. Me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë zgjedhur si anëtarë të Komisionit të Zonës të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) nr. 13, shtetasja Alketa Hoxha me cilësinë e kryetares, shtetasi Gjovalin Gjeloshi me cilësinë e nënkryetarit, shtetasit Lekë Prendi, Gjergj Doda, Bardh Dedgjonaj, Vitore Palaj, Shaqe Marinaj me cilësinë e anëtarit, dhe Aleksandër Gjonmarkaj me cilësinë e sekretarit të KZAZ-së. Pas përfundimit të procesit zgjedhor KZAZ-ja nr. 13 me vendimin e saj me nr. 145, datë 25.6.2013 “Për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve të zonës së administrimit zgjedhor nr. 13” në të cilën është shkruar se Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor nr. 13, Qarku Lezhë, pasi shqyrtoi hap pas hapi procesin e nxjerrjen së rezultateve të zgjedhjeve për 67 QV, pasqyroi rezultatet e të dhënave respektive për çdo QV mbi bazën e tabelave origjinale të rezultateve, përfundimisht ka vendosur të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit të Zgjedhjeve të Zonës së Administrimit Zgjedhor nr. 13, me 8 faqe. Tabelat origjinale të rezultatit të çdo QV-je, të plotësuara nga GN-të janë pjesë integrale e këtij vendimi dhe së bashku me Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve dërgohen menjëherë në KQZ. Ky vendim është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e KZAZ-së, të cilët kanë qenë të gjithë pro në marrjen e këtij vendimi. Këto materiale zgjedhore janë dorëzuar pranë KQZ-së në datën 25.6.2013, me numër 5720 prot., me procesverbalin “Për dorëzimin në KQZ nga KZAZ-ja të tabelave të rezultateve, procesverbal konstatimit, vula e KZAZ-së për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23 qershor 2013 dhe janë dorëzuar nga kryetarja e KZAZ-së Alketa Hoxha dhe sekretari Aleksandër Gjonmarkaj. Në këtë procesverbal punonjësit e protokollit pritës të KQZ-së kanë shënuar se disa tabela të rezultateve të Qendrave të Votimit të dorëzuar janë fotokopje, po kanë patur vulën e KZAZ nr. 13, Lezhë.

 

Konstatimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me vendimin e saj me nr. 701, datë 10.7.2013 “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Qarku Lezhë për zgjedhjet për Kuvendin 2013” ka vendosur: “Të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për zonën zgjedhore, Qarku Lezhë, bashkëlidhur këtij vendimi”. Në pjesën arsyetuese të këtij vendimi KQZ është shprehur se për 10(dhjetë) qendra votimi të KZAZ-së nr. 13 është konstatuar se për qendrat e votimit me nr. 0705/1; nr. 0708; nr. 0708/1; nr. 0725; nr. 0762; nr. 0763; nr. 0764; nr. 0765; nr. 0769, dhe nr. 0770 nuk janë dorëzuar kopjet origjinale të tabelave të rezultatit, po vetëm fotokopje të tyre me vulën e KZAZ-së. Për këtë arsye, KQZ-ja ka vendosur që të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për Zonën Zgjedhore Qarku Lezhë, ku për këto 10 qendra votimi janë marrë për bazë të dhënat e administruara nga KQZ-ja në bazën elektronike të të dhënave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paraqitur një kallëzim penal ndaj anëtarëve të KZAZ-së nr. 13, Lezhë, dhe ndaj anëtarëve të grupeve të numërimit për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve” të parashikuar nga neni 326 të Kodit Penal pasi nga rinumërimi i kryer në ambientet e KQZ-së në seancë publike ka rezultuar se rezultati i pasqyruar në tabelat e rezultateve të dorëzuar në KQZ për 10 qendrat e votimit me nr. 0705/1; nr. 0708; nr. 0708/1; nr. 0725; nr. 0762; nr. 0763; nr. 0764; nr. 0765; nr. 0769, dhe nr. 0770 të KZAZ-së nr. 13, Lezhë, ishin të ndryshme me ato të konstatuara pas rinumërimit të këtyre kutive të votimit. Pra këto tabela të rezultateve të 10 qendrave të votimit të dorëzuara në KQZ ishin të falsifikuara. Gjithashtu në këto tabela të rezultateve të Qendrave të Votimit konstatohet qartë se ka korrigjime duke fshirë të dhënat për rezultatin e disa subjekteve zgjedhore dhe duke ndryshuar rezultatet për disa subjekte të tjera zgjedhore.

 

Akuza

Tetë të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime aktive dhe/ose mosveprime të kundërligjshme, duke qenë në detyrën publike të anëtarit të Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve nr. 13, Lezhë, duke pasur për detyrë të administronin procesin zgjedhor në këtë zonë zgjedhore nuk kanë detyrën e tyre në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Kodin Zgjedhor, duke cenuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit për sa i përket mbarëvajtjes e rregullsisë së zhvillimit të zgjedhjeve; interesat e shtetasve mbi të drejtën e tyre të votës së lirë, të fshehtë e të barabartë; duke cenuar rëndë integritetin e zgjedhjeve si dhe duke sjellë pavlefshmërinë e pjesshme të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në KZAZ-në nr. 13, Lezhë. Nga aktet e administruara gjatë hetimit të kësaj çështje penale është provuar se kanë qenë këta të pandehur që kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente zgjedhore të falsifikuara, të cilat kanë qenë të falsifikuara në formë dhe në përmbajtje të tyre. Konkretisht këta të pandehur kanë zëvendësuar në mënyrë të paligjshme tabelat origjinale të rezultateve të zgjedhjeve për 10 qendra votimi, të cilat janë dorëzuar nga grupet e numërimit, me tabela të tjera të rezultateve të zgjedhjeve të cilat kanë patur të dhëna të pasakta për rezultatin e votimeve për subjektet politike, duke ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve për këtë KZAZ duke favorizuar një subjekt politik në dëm të subjekteve të tjera politike. Këto tabela të rezultateve të zgjedhjeve për qendrat e votimit të falsifikuara tërësisht janë përdorur nga anëtarët e KZAZ-së për plotësimin me të dhëna të pasakta e të falsifikuara të Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve të Zgjedhjeve për KZAZ-në nr. 13, e cila është dërguar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve për gjithë Qarkun e Lezhës. Tabelat e rezultateve të qendrave të votimit jo vetëm që kanë qenë fotokopje, po ato kanë qenë dukshëm të falsifikuara pasi kanë pasur lehtësisht të dallueshme se në to ka pasur korrigjime, fshirje dhe mbivendosje të shifrave të rezultateve të zgjedhjeve. Po ky fakt nuk është konstatuar nga asnjë prej anëtarëve të KZAZ-së dhe nga sekretari i KZAZ-së, të cilën nuk e kanë pasqyruar këtë fakt në asnjë procesverbal konstatimi ashtu siç e kërkon Kodi Zgjedhor. Këto tabela janë administruar origjinale nga grupet e numërimit, po këto tabela janë zhdukur dhe janë zëvendësuar me tabela të tjera të cilat kanë pasur të dhëna të pasakta e të falsifikuara mbi rezultatin e zgjedhjeve. Fakti se tabelat e rezultateve të zgjedhjeve për këto 10 qendra votimi janë të falsifikuara nga anëtarët e KZAZ-së provohet dhe nga fakti se grupet e numërimit në bazë të nenit 119 të Kodit Zgjedhor pas përfundimit të numërimit kanë përpiluar tabelat origjinale të rezultateve të votimit dhe ja kanë dorëzuar menjëherë dorazi KZAZ-së, e cila i administron ato vetëm në kopje origjinale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency