Shkarkimi i Fullanit/ Përplasen PS-PD, cili do të jetë guvernatori i ri?!

0
125

Gëzim Saliu

bsh 2 PD: Të zgjidhet urgjent, jo shtetas i huaj. Qeveria: Nuk e kemi ngut

 Spaho: Guvernatori të jetë jo politik dhe i respektueshëm në ambientet financiare. Kundër ndryshimeve urgjente të ligjit të BSH. Peleshi: Presidenti do veprojë sipas ligjit

Partia Demokratike e cilëson si çështje urgjente zëvendësimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Deputeti demokrat Edmond Spaho deklaroi dje se emërimi i guvernatorit të ri është i domosdoshëm pasi, sipas tij, ky akt përbën çështjen me urgjente për momentin sa i përket situatës së krijuar në Bankën e Shqipërisë, pas arrestimit të ish-guvernatorit Fullani e kryeinspektores Golemi, duke shtuar këtu edhe dorëheqjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës Civici. Nga ana tjetër, Spaho e cilësoi si propozim jo të gjetur deklaratën e Kryeministrit Rama, i cili hodhi idenë që në krye të BSH-së të jetë një guvernator i huaj. Sipas ligjvënësit demokrat, ligji e ka të përcaktuar qartë kriteret që duhen përmbushur nga guvernatori i Bankës. “Zëvendësimi i guvernatorit është çështje urgjente. Kushtetua përcakton procedurat për zgjedhjen e guvernatorit të ri, në ligj nuk mungon asgjë. Kuadri ligjor është shumë i qartë dhe i saktë dhe nuk ngelet gjë tjetër vetëm se të plotësohet Këshilli Mbikëqyrës dhe të zgjidhet guvernatori. Edhe profili është mjaft mirë i përcaktuar në ligj, kriteret për zgjedhjen e tij, Duhet të jetë shtetas shqiptar, jo njeri me profil politik dhe të jetë shtetas i respektueshëm në ambientet financiare dhe bankare. Mendoj se njerëz të tillë kapacitet të tilla, ka në vendin tonë”, – u shpreh Spaho për “VP”. Por mazhoranca qeverisëse nuk duket në të njëjtën linjë me opozitën lidhur me këtë çështje, ku përmes zv.kryeministrit Peleshi theksoi dje se zgjedhja e guvernatorit të ri nuk është një çështje e ngutshme. “Nuk ka vend për panik. Ka afate ligjore brenda të cilit Parlamenti duhet të japë mendimin vet. Funksionimi i Bankës së Shqipërisë nuk është penguar edhe me numrin e atyre që janë në detyrë. Presidenti është i ngarkuar të jetë pjesë e qenësishme e procesit përmes propozimit të emrit të guvernatorit të ri. Qeveria shqiptare është e para e interesuar që nga ky proces Banka e Shqipërisë të dalë më e fortë, më solide”, – tha ai.

 

Ligji i Bankës

Ndërkaq, deputeti demokrat bëri të ditur qëndrimin kundër të opozitës përkundrejt mundësisë së ndërhyrjes urgjente në ligjin e Bankës së Shqipërisë. Sipas tij, ndryshimi i shpejtë i ligjit nuk është me vend se, theksoi Spaho, pas tij mund te fshihen tentativa politike për kapjen e bankës. “Në dëshirën për të përmirësuar legjislacionin me të cilin funksionon Banka e Shqipërisë mund të fshihen tentative për të zaptuar institucionin e Bankës”, – deklaroi ai. Ndërkohë, në emër të qeverisë, zv.kryeministri Peleshi kërkoi rikthimin e opozitës në Kuvend, për të dhënë mendimin e vet për projektligjet që votohen. “Ne do donim që opozita të ishte pjesë e procesit normal të shqyrtimit të ligjeve përmes prezencës në parlament dhe në komisione. Do ishte më produktive një rrjedhë e pjesëmarrjes normale. Opozita ka të drejtë të përdorë të gjitha mjetet për të dhënë opinionin e vet. Nëse realisht është e shqetësuar për të nxjerrë dhe prodhojë ligje sa më të mira duhet të hyjë në rrjedhën normale ligjore si pjesëmarrje në komisione, në parlament, presion opozitar pozitiv. Nuk ndjehemi mirë që nuk e kemi opozitën në Parlament, do donim të kishim edhe alternativa mendime të ndryshme për të bërë më të mirën”, – theksoi Peleshi.

 

Ligji për Këshillin Mbikëqyrës, si plotësohet organi

Sipas ligjit aktual, Këshilli Mbikëqyrës ka nëntë anëtarë, ku pesë vijnë nga Parlamenti, tre nga ekzekutivi dhe një si propozim i Këshillit. Parlamenti tashmë duhet të çojë në këshill tre anëtarë të rinj, të cilët mungonin edhe më parë e ndërsa vendi i të dorëhequrit Ardian Civici do të zëvendësohet nga propozimi i vetë Këshillit, duke qenë se ai ishte një propozim i Këshillit Mbikëqyrës.

 

 Procedura e plotë/ Nga shkarkimi i Fullanit tek zgjedhja e guvernatorit të ri

Pas arrestimit të ish-guvernatorit Fullani, ka nisur debati mes palëve politike për situatën në BSH, zgjedhjen e pasardhësit në krye të Bankës si edhe ndryshimin e mundshëm të ligjit. Hapi parësor që pritet të ndërmerret është ai për shkarkimin e Fullanit, ku në ligjin për Bankën e Shqipërisë janë përcaktuar qartë procedurat që duhet të ndjekë Kuvendi. Në ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 për Bankën e Shqipërisë në kapitullin për funksionimin dhe organizimin e Bankës, janë të përcaktuar të gjitha rastet kur Guvernatori, zëvendësguvernatori si edhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës mund të shkarkohet nga Kuvendi. Ndërsa në nenin 47 pika 3 të këtij ligji theksohet se pas shkarkimit të guvernatorit nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, Parlamenti do të duhet të vendosë brenda një muaj për shkarkimin nga detyra, në rast se kjo nuk ndodh vendimi cilësohet i pavlefshëm dhe titullari rikthehet në detyrë. “Në rast se anëtari i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët, është pezulluar prej detyrës nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi Popullor nuk e ka shkarkuar brenda 30 ditëve nga pezullimi, atëherë ky pezullim shfuqizohet dhe anëtari i pezulluar rifiton të drejtat dhe detyrimet menjëherë”, – thuhet në këtë nen. Sipas ligjit të Bankës, çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkohet nga Kuvendi Popullor, në qoftë se ai ose ajo: a) është në pamundësi për të shërbyer në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, sipas nenit 46; b) është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim; c) është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar I falimentuar dhe nuk është rehabilituar; ç) është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë dhe d) gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike. Ndërkaq, një ndryshim që ka pësuar ligji “Për Bankën e Shqipërisë” në vitin 2002, në 5 nene të tij, përcakton se e drejta e propozimit të emrit të guvernatorit të ri kalon nga kryeministri tek Presidenti. Nisur nga kjo, takimi i fundit mes Nishanit dhe Ramës në Presidencë merr më shumë kuptim. Ndërsa lidhur me numrat për shkarkimin e guvernatorit, Kushtetuta në nenin 78 pika 2 sanksionon se ai mund të bëhet me shumicë të thjeshtë të deputeteve. “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar”, – thuhet në nen. Pasi Parlamenti merr vendimin, Kushtetuta mandaton Presidentin që ti propozuar një emër të ri për drejtimin e Bankës së Shqipërisë, i cili duhet të kalojë përmes votimit me shumicë të thjeshtë në Parlament.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency