Standard.al

Përfundon lista/ Universitetet, përzgjidhen 19 726 studentët fitues

MAS publikon procedurat e kalimit të studentëve nga privati në shtet

Studente-piketLista me 19 726 studentët fitues tashmë ka përfunduar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Burime pranë AKP-së shprehen për gazetën se lista do t’i dorëzohet Ministrisë së Arsimit dhe brenda datës 14 shtator do të bëhet publikimi i saj në faqen arsimi.gov.al. Pas publikimit të fituesve paraprakë, kandidatët do t’u drejtohen sekretarive të fakulteteve për të kryer regjistrimin. Lista me fituesit ka pësuar ndryshime për sa u përket pikëve. Në shumë degë ka pasur një ulje të nivelit, ndërsa për degët më të mira bëhet e ditur se niveli i pikëve të fundit nuk ka ndryshuar në krahasim me një vit më parë. Për ata kandidatë që nuk do të jenë fitues në asnjë nga preferencat e zgjedhura, Ministria e Arsimit shpjegon se në fazën e parë, janë shumë të rinj të cilët kanë plotësuar formularin, ndërkohë që do të studiojnë jashtë apo ata kandidatë që do të preferojnë universitetet private. Të gjitha vendet e lira do të plotësohen me listën përfundimtare të fituesve, që do të publikohet në fund të muajit.

 

Studentët për transferim

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur dje procedurat që do të ndiqen me ata studentë të cilët nuk e kanë marrë ende dosjen nga universitetet private, të cilave u është hequr licenca. Në një njoftim për shtyp, MAS shpjegon se do të ndiqen penalisht privatët që nuk kanë dorëzuar dosjet. “IAL-të private që u është hequr licenca, duhej t’u dorëzonin të gjithë studentëve që bënin kërkesë dosjet me dokumentacionin përkatës sipas parashikimit në këto akte e sipërpërmendura, brenda datës 1 shtator 2014, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e studentit. Dosjet e studentëve të cilët nuk kishin bërë kërkesë në IAL-të përkatëse, IAL-ja duhet t’i dorëzonte në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) brenda datës 10 shtator 2014. Së bashku me të gjithë bazën dokumentare që IAL-të disponojnë dhe mbi të cilën kanë zhvilluar aktivitetin e tyre që nga momenti i hapjes. Disa IAL private, në kundërshtim të hapur me sa parashikohet në aktet e sipërpërmendura, nuk i kanë dorëzuar dosjet studentëve dhe në një pjesë të mirë të rasteve u kanë kërkuar dhe u kanë marrë pagesë për dhënien e tyre. MAS po shqyrton dhe evidenton të gjitha rastet dhe ankesat e ardhura lidhur me sa më sipër dhe po përgatit denoncimet përkatëse për vënien para ligjit të personave përgjegjës”, – thuhet në njoftimin e MAS.

 

Dosjet

Lidhur me dosjet e studentëve të dorëzuara në MAS, një grup pune po punon për inventarizimin dhe sistemimin e tyre. “Në përfundim të këtij procesi do të bëhet dorëzimi i tyre individëve përkatës, sipas procedurave që do të përcaktohen në udhëzimin e MAS, i cili do të publikohet së shpejti në faqen zyrtare,www.arsimi.gov.al. Udhëzimi që po përgatitet përmban gjithashtu dhe të gjitha modalitetet dhe procedurat për transferimin e studentëve që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e tyre në IAL publike apo private si dhe afatet e reja që do të përcaktohen për fillimin e aplikimeve pranë këtyre institucioneve”, – përfundon njoftimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

 

Studentët e privatëve, me kohë të pjesshme në Fakultetin Ekonomik

Pjesa më e madhe e studentëve të universiteteve private që u mbyllën, në Fakultetin Ekonomik, pjesë e Universitetit të Tiranës, do të vazhdojnë studimet në ciklin me kohë të pjesshme, ndërkohë që pjesa tjetër në atë me kohë të plotë. Dekani i këtij Fakulteti, Sulo Hadëri, shprehet se është bërë një plan paraprak dhe nga 700 të rinjtë që pritet të vijnë në degët e Ekonomikut, një pjesë e konsiderueshme e tyre do të ndjekin ciklin me kohë të pjesshme, megjithatë kjo masë ende nuk është përcaktuar nëse do të jetë përfundimtare. “Janë 700 studentë që po flasim, presupozohet që do të kërkojnë ndihmë tek ne. Në vlerësimet tona paraprake që kemi bërë, kemi përcaktuar një masë sa mund të absorbojmë full time, duke nisur nga numri i studentëve që kemi, dhe nga boshllëqet që janë krijuar nga reduktimi i numrit të studentëve, për shkak të atyre që përsëritin vitin. Po kështu kemi një mundësi tjetër, që ne kemi pasur sistemin part time. Numri i pranimeve në sistemin full time është relativisht shumë më i vogël se sa në part time”, – tha Sulo Hadëri, dekan i Fakultetit Ekonomik. Dekani shprehet se në përzgjedhjen e studentëve do të shihet edhe rezultatet e tyre, apo edhe mesatarja e shkollës së mesme. “Rezultatet në universitetin përkatës, veçanërisht të rekordeve të shkollës së mesme”, – vijon Hadëri. Dy ditë më parë, për të njëjtat kritere është shprehur edhe rektori i Politeknikut, Jorgaq Kaçani. Por ky i fundit ka theksuar se do të shihen dosjet, kreditet nëse studentët do të kalojnë në vitin pasardhës apo do të kalojnë vite mbrapa.

 

 Ankandi/ Shiten 4 miliardë lekë obligacione 7-vjeçare

Banka e Shqipërisë ka nxjerrë dje për shitje 4 miliardë lekë obligacione 7-vjeçare, me interes fiks dhe variabël. Për obligacione 7-vjeçare me interes fiks, shuma e shpallur për shitje ishte 2.5 miliardë lekë. Kuponi indikativ është 7.67%. Për obligacionet me interesa variabël, po me afat maturimi 7-vjeçar, shuma e shpallur për shitje ishte 1.5 miliardë lekë. Në ankandin e djeshëm për shitjen e bonove të thesarit, yield-i mesatar ponderuar për bonot një vjeçare zbriti lehtë në 3.18%, nga 3.19% që ka qenë në ankandin e mëparshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, politika lehtësuese monetare e ndjekur tre vitet e fundit është reflektuar më shumë në uljen e kostos së letrave me vlerë afatshkurtër, ndërsa nuk ka qenë aq e ndjeshme në letrat me vlerë afatgjatë.

Comments are closed.