Mbledhje me dyer të mbyllura/ Komisioni i Ekonomisë shkarkon Fullanin, të enjten tjetër votohet në Kuvend

0
128

Florenc Drizari

 erion braceMotivacioni për shkarkimin e Fullanit, Braçe: Shkelje e etikës  në punë dhe cenim i thellë i interesave të Bankës së Shqipërisë

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dje propozimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani. Kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, pasi njohu deputetët me përmbajtjen e propozimit të Këshillit Mbikëqyrës dhe ligjin ku bazohej kërkesa, miratoi kërkesën e Këshillit me votat e anëtarëve të majtë, ndërkohë që opozita nuk ishte pjesë e diskutimeve për shkak të bojkotit parlamentar që ka vendosur që në sesionin e shkuar. Vendimi i Komisionit u mor në kohën kur Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi seancën parlamentare të së enjtes, ndërkohë që propozimi për shkarkimin e Fullanit do të kalojë për votim në seancën e ardhshme plenare. Ndërkaq, Komisioni i Ekonomisë votoi pro edhe ndaj kërkesës për shkarkimin e inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi. Mbledhja e Komisionit u zhvillua pa praninë e medias, ndërsa kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, dha një prononcim për shtyp pas përfundimit të seancës plenare, duke i quajtur të ligjshme gjetjet e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani dhe inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi.

“Shkresa e Këshillit Mbikëqyrës që vë në dijeni Kuvendin për vendimin Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbështetur në nenin 47, pika 2 germa c, të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”. Pra baza ligjore ka qenë kjo. Motivacioni “shkelje e etikës në punë dhe cenim i thellë i interesave të Bankës së Shqipërisë”. Ky është motivacioni që ka sjellë Këshilli në mbështetje të nenit 47, pika 2, germa c. Komisioni e ka gjetur në përputhje me ligjin propozimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe e ka miratuar me unanimitet shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”, – deklaroi Braçe. Kreu i Komisionit të Ekonomisë tha se e njëjta procedurë u ndoq edhe për Inspektoren e Përgjithshme. “Komisioni ka shqyrtuar edhe çështjen e vijimit të procedurave. Vetë Komisioni, pasi kjo është një çështje, që sipas ligjit, i takon vetëm Kuvendit. Asnjë institucioni tjetër që lidhet me Bankën e Shqipërisë, as Këshillit Mbikëqyrës, as autoriteteve të tjera drejtuese të Bankës së Shqipërisë. Kemi shqyrtuar këtë gjë. Mbështetur edhe në vijim të procedurës nga një kërkesë e një grupi deputetësh për të vijuar apo për të proceduar me shkarkimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë”, – tha Braçe. Sipas tij, relacionet e Komisionit bashkë me vendimet do t’i paraqiten Kryetarit të Kuvendit dhe do të jenë në rendin e ditës në seancën vijuese.

Më herët deputeti i PS-së, Erjon Braçe, ka qenë kritik për rolin dhe përgjegjësisë e guvernatorit Fullani dhe të inspektores së përgjithshme, pas vjedhjes së ndodhur në Bankën e Shqipërisë. Pas skandalit të ndodhur në fillim të muajit gusht, Braçe ka kërkuar nxjerrjen e përgjegjësive nga krerët e këtij institucioni, ndërsa më vonë ka dalë hapur për shkarkimin e tyre nga Kuvendi i Shqipërisë. Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar socialist që u mbajt të martën e shkuar, deputeti Braçe mësohet të ketë pasur edhe një debat me Kryeministrin Edi Rama pikërisht për këtë çështje. Në këtë mbledhje media ka zbardhur se Kryeministri Rama i ka kërkuar atij të distancohet nga qëndrimet për shkarkimin e guvernatorit Fullani dhe të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, deri sa të vendosë drejtësia. Që pas mbledhjes së fundit të grupit të PS-së, Braçe është distancuar nga komentet e tij (kryesisht në rrjetin social “Facebook”) lidhur me situatën në Bankën e Shqipërisë dhe vetëm një ditë më parë, ai doli publikisht në media duke shprehur edhe vendimin e komisionit që drejton për ti propozuar Kuvendit shkarkimin e guvernatorit Fullani dhe të inspektores së Përgjithshme, Golemi.

 

Vendimi i Këshillit të Bankës së Shqipërisë

 Pas këtyre zhvillimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh dhe mori një informacion të detajuar rreth situatës. Në vijim, Këshilli Mbikëqyrës:

  1. a) vendosi t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në bazë të nenit 47, pika 2, shkronja “c” të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”;
  2. b) konstatoi se mungesa e guvernatorit nuk krijon vakum institucional në drejtimin e institucionit, në kushtet kur përcaktimet ligjore dhe nënligjore mundësojnë kalimin e qartë të kompetencave të tij tek zëvendësguvernatori i parë;
  3. c) shprehu mbështetjen e plotë për zëvendësguvernatorin e parë në marrjen e kompetencave për drejtimin ekzekutiv të bankës, dhe vlerësoi pozitivisht masat e marra prej saj për të siguruar vijimësinë normale të veprimtarisë operacionale të institucionit;

 

Kuvendi mblidhet në seancë plenare, mazhoranca miraton ligje me 75 vota

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh dje në seancë plenare, duke miratuar tri projektligje, kryesisht marrëveshje me për përafrimin e legjislacionit me vendet e BE-së. Në seancën e djeshme ra në sy mungesa e disa deputetëve socialistë, ndërsa deputetët e opozitës vijuan bojkotin e nisur rreth dy muaj më parë. Edhe pse ligjet që ishin në axhendë nuk kërkonin shumicë të cilësuar votash, mazhoranca miratoi ato me 75 deputetët që kishte në sallë, ndërkohë që koalicioni i majtë PS-LSI, numëron rreth 85 deputetë.

Seanca e djeshme vijoi me diskutime rreth projektligjit “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”. Sipas relatores, Majlinda Bufi, miratimi i këtij projektligji do të sigurojë jo vetëm pavarësia institucionale e organizmit akreditues, por dhe pavarësia në kryerjen e procedurave të nevojshme për akreditimin e trajtimin e ankesave dhe apelimeve. Ky projektligj u votua me 75 vota pro, ndërsa në lidhje me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin “ ERASMUS +” programi i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin”, deputetja Mimoza Hafizi, tha se ky program ofron përfitime për studentët dhe për stafet akademike e administrative, bashkëpunim institucional në arsimin e lartë, mbështetje për reformat e politikave arsimore. Ky bashkëpunim gjithashtu do të ofrojë mundësi studimi, trajnimi, ndjekje të cikleve të plota të studimit jashtë shtetit, shkëmbim të përvojave më të mira, aftësim të mëtejshëm të stafeve administrative etj.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin dhe statusin e Organizatës Evropiane të së Drejtës Publike”.

 

Ndoka në Kuvend, akuzon Metën: Më hoqi fjalën, u soll si padrino

 Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, mori pjesë në seancën e djeshme plenare, ndërkohë që deputetët e tjerë të opozitës vijuan bojkotin e nisur disa javë më parë. Sipas deputetit Ndoka, ai nuk ishte në seancë për të thyer bojkotin e opozitës apo për ta përfaqësuar atë, por për të folur rreth vizitës së Papës në Shqipëri. Ndoka akuzoi kreun e Kuvendit, Ilir Meta, për moslejimin e fjalës. Në një reagim për mediat, Ndoka e akuzoi Metën se po e trajton Kuvendin si pronë private. “Shumica në Parlament është në kaos, nuk kanë respekt për ligjin dhe për opozitën. Isha në seancën e sotme për të propozuar një komision për vizitën e Papës, por Ilir Meta më hoqi të drejtën e fjalës”, – deklaroi Ndoka. Sipas tij, me këtë veprim Meta është sjellë si ‘padrino’. “Meta më bindi se opozita nuk shihet si partnere në atë sallë”, – shtoi Ndoka më tej.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency