Masakra e Pukës/ Arrestohen në Greqi dy vëllezërit e dënuar me burgim të përjetshëm

0
121

policia-grekeVranë dy dhe plagosën tre bashkëfshatarë të tjerë në qershor të vitit 2012

Policia greke ka vënë në pranga dy vëllezër shqiptarë të shpallur në kërkim për vrasje. Mediat greke bënë të ditur se të arrestuarit janë vëllezërit Anton dhe Sokol Përmarkaj, të dy të dënuar me burgim të përjetshëm. Anton Permarkaj dhe Sokol Permarkaj, të cilët në muajin korrik u dënuan me burg përjetë, janë vënë në pranga në shtetin fqinj, në sajë të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar ndaj tyre. Anton dhe Sokol Permarkaj, akuzohen si autorë të masakrës së ndodhur më 29 qershor të vitit 2012, në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz në Pukë. Në këtë ngjarje të rëndë që mori shkas për motive pronësie mbetën të vrarë Paulin dhe Hilë Markaj, ndërsa u plagosën rëndë: Tone Markaj, Angjelina Markaj (bashkëshortet e dy viktimave) dhe Alfons Markaj (nipi i Paulinit). Konflikti ndërmjet familjeve Permarkaj dhe Markaj kishte nisur disa kohë më parë se të ndodhte ngjarja kriminale, për shkak të një toke që i ishte lënë në përdorim familjes së të pandehurve. Dy vite pasi sulmit me armë ndaj fugonit me të cilin kthehej nga festa fetare e Shën Palit familja Markaj, gjykata ka vendosur dënimin kapital ndaj dy vëllezërve Permarkaj. Gjithashtu gjykata ka vendosur të dënojë me 25 vjet burg vëllanë tjetër të tyre, Bardhok Permarkaj si dhe 23 vjet burg djalin e xhaxhait, Fran Permarkaj. Tre vëllezërit Permarkaj dhe kushëriri i tyre akuzohen se kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të anëtarëve të familjes Markaj. Pas hetimeve të kryera nga policia dhe prokuroria rezultoi se konflikti që përfundoi në tragjedi ka filluar në lidhje me një sipërfaqe toke në pronësi të shtetasit Mark Kolgjokaj, i cili ia kishte dhënë në përdorim familjes Permarkaj. Për këtë pronë, familja Markaj nuk ka qenë dakord.

 

 SHKB arreston 3 ish-punonjës të Policisë Kufitare të Kukësit

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi tre ish-punonjës të Policisë Kufitare të akuzuar për “Falsifikim kompjuterik”. Hetimi për efektivet nisi një vit më parë, kur të arrestuarit kishin bërë regjistrime fiktive të hyrje-daljeve të mjeteve të ndryshme, për t’iu shmangur gjobave për moszhdoganimin e mallrave. Këtë aktivitet ata dyshohet se e kryenin në bashkëpunim me një agjente doganore, e cila u arrestua.

Burime zyrtare të SHKB-së, bënë të ditur se më datë 10.9.2014 rreth orës 22:15, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Qarkut Kukës, ekzekutuan masat e sigurimit personal ndaj shtetasve, Fatos Ahmati, me gradën Komisar, me detyrë ish-shef i Stacionit të Policisë Kufitare Shishtavec, me masë të sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprën penale “Falsifikim kompjuterik” parashikuar nga neni 186/a të Kodit Penal; Petrit Dauti, me gradën nënkomisar, me detyrë Përgjegjës Turni në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, me masë të sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprën penale “falsifikim kompjuterik” parashikuar nga neni 186/a të Kodit Penal dhe; Behar Dida me gradë kryeinspektor, me detyrë ish-ndihmës specialist/kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, me masë sigurimi personal “Arrest me burg” akuzuar për veprën penale “Falsifikim kompjuterik” parashikuar nga neni 186/a të Kodit Penal.

Të njëjtat burime saktësuan se arrestimet u kryen bazuar në urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për masat e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj ish-punonjësve të policisë. Urdhrat nuk ishin ekzekutuar për shkak të shmangies së tyre nga hetimi, fakt për të cilin ishin shpallur në kërkim.

Nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, ka rezultuar se policët e Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, Fatos Ahmati, Petrit Dauti dhe Behar Dida, në bashkëpunim me agjenten doganore A. Kraja, regjistronin në mënyrë fiktive hyrje të mjeteve të ndryshme në sistemin TIMS. Sipas organit të akuzës, “manovrimet” shtetasit e mësipërmi kryenin me qëllim që posedues të ndryshëm automjetesh të shmangeshin nga masa administrative që aplikohet nga autoriteti doganor, për rastin kur automjeti që do të bëjë doganën ka kaluar 6 muaj qëndrim në Shqipëri. Deri më tani është provuar se për çdo regjistrim mjeti në mënyrë të paligjshme, këta shtetas merrnin nga 10.000 lekë. Hetimi ka nisur në muajin mars 2014 dhe dyshohet se personat e arrestuar kanë kryer regjistrimet e paligjshme për një numër të lartë automjetesh.

 

 Operacioni “Speed”/ Transportonin drogë me furgonin e nxënësve, prangosen tre persona

Operacioni “Speed”, me objekt prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, u finalizua dje nga sektori kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Durrësi, me prangosjen e tre shtetasve, të cilët u arrestuan në flagrancë ndërsa iu bllokua edhe një sasi prej rreth 20 kg kanabis sativa në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu u sekuestruan edhe dy automjete të përfshirë në transportimin e lëndës narkotike nga të cilat një mjet i transportit të nxënësve të shkollës. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit, sqaruan se u arrestuan në flagrancë orët e para të mëngjesit të djeshëm,

Dritan Barashima, 33 vjeç, banues në Tapizë, Krujë, Imer Brama, 54 vjeç, banues në Boranë, Krujë, dhe Bajram Çangu, 53 vjeç, banues në Nikël. Nga hetimi një mujor, mësohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë siguruar sasinë e lëndës narkotike të cilën më pas do ta tregtonin në tregun e brendshëm Krujë – Durrës. Mësohet se në momentet e fundit të operacionit, pranë mbikalimit të Fushë Krujës, dy automjeteve, fuoristradë “Rexton” me targa AA 710 JB, drejtuar nga Bajram Çangu dhe fugon për transportin e nxënësve me targa TR 8849 D drejtuar nga Dritan Barashima iu është bërë shenjë nga punonjësit e Policisë për ndalim. Drejtuesi i mjetit fuoristradë nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Ishmit ku edhe është kapur gjatë ndjekjes, ndërkohë që mjeti tjetër është ndaluar në vend. Në mjetin furgon i cili shoqërohej nga fuoristrada është sekuestruar edhe sasia e lëndës narkotike, e cila dyshohet të jetë siguruar nga kultivimi në zonën e Niklës. U sekuestruan për llogari të hetimit edhe 6 telefona celularë. Lidhur me rastin u kryen veprimet e nevojshme procedurale dhe materialet iu përcollën Prokurorisë Rrethit Krujë për veprën penale “Prodhim, shitje e lëndëve narkotike”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency