Standard.al

Tirana dhe Vllaznia shëmtojnë futbollin shqiptar

stadium-sherr

Sezoni i ri i Superligës, i komentuar nga të gjithë për formulën e re, mendohej se do të ishte edhe më i forti që mund të kemi parë në këto vitet e fundit. Investime serioze, rregullimi i stadiumeve, por edhe formula me 10 skuadra krijojnë kushtet e duhura për të parë ndeshje të bukura. Dy javët e para ishin emocionuese, me disa surpriza dhe që prodhuan një futboll të bukur. Mirëpo e mira nuk zgjat shumë, thonë, dhe menjëherë pas kësaj u prodhua e keqja. Dhe jo në një ndeshje të thjeshtë, por në një derbi që ka bërë historinë e futbollit shqiptar. Tirana dhe Vllaznia përballeshin në “Loro Boriçi”, duke vënë përpara historinë, rivalitetin dhe dëshirën për sukses. Stadiumi historik i Shkodrës ishte i mbushur me tifozët shkodranë, stadium ku nuk mungonin dhe fansat kryeqytetas në mbështetje të bardhebluve. Magani ishte në kërkim të fitores së tretë radhazi, e niste me modulin 4-3-3, me Bushiçin, Bakajn dhe Kageren në tredhëmbëshin e sulmit, ndërkohë që në skuadrën shkodrane, debutonte nga minuta e parë sulmuesi uruguajan i huazuar nga Empoli, Sebastian Soza. Minutat e para të ekuilibruara me Tiranën disi më kërkuese, në të 11-ën Bushiç i shërbyer nga Kagere i shpëtoi markimit, por goditja nga brenda zonës nuk ishte problematike për Selimajn. Në minutën e 15-të Elis Bakaj fitoi një goditje dënimi në pozicion të favorshëm, nga i cili gjithsesi nuk arriti të kalonte barrierën mbrojtëse. Vllaznia përgjigjet në mënyrën më befasuese, Ndriçim Shtubina gjen golin e epërsisë në minutën e 18-të nga pozicioni më i pakëndueshëm, shënon drejtpërdrejt nga goditja e këndit, për të çuar në eufori tifozët kuqeblu, 1-0, “Loro Borici” i përket Vllaznisë. Tirana përpiqet të reagojë me të gjitha mënyrat, në të 27-ën provon me një goditje të mrekullueshme nga distanca Afrim Taku, por po kaq spektakolare ishte dhe përgjigja e portierit të Vllaznisë Eridn Selimaj. Iniciativa vijoi të ishte në krahun e Tiranës, por gjithsesi pa rrezikshmërinë e duhur për t’u bërë keq të zotëve të shtëpisë. Në të 43-ën duhej grinta e Gentian Muçajt që avancoi nga prapavija për t’i futur drithërimat Vllaznisë me një silurë që e devijuar nga Selimaj krijoi iluzionin e golit, por vetëm iluzionin, pasi shkodranët shkuan në epërsi nga dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë nisi me Maganin që futi në lojë Ervin Bulkun në vend të Idrizajt dhe kryeqytetasit ishin vërtet pranë golit në të 54-ën me Kageren, ndërsa vetëm dy minuta më pas Stivi Frashëri u tregua i gatshëm për t’iu përgjigjur tentativës së Vllaznisë nga distanca. Në minutën e 67-të protagonistë bëhen tifozët me sharjet e ndërsjella dhe hedhjen e sendeve në fushë që shkakton ndërprerjen e lojës për 4 minuta, duke nisur kështu një kalvar të shëmtuar të episodeve në këtë ndeshje. Situata nxehet edhe më shumë, pasi policia ndërhyn në sektorin e tifozëve kryeqytetas, me futbollistët bardheblu që vrapojnë aty për të qetësuar situatën, ndërkohë që pamjet televizive tregojnë për një moment të gjakosur, Refik Halili, ndërkohë që Ervin Bulku duket teksa është ngjitur në shkallët e stadiumit. Loja rifillon vetëm në minutën e 85-të, me Tiranën të karikuar më shumë se kurrë për t’u përgjigjur në fushën e blertë. Menjëherë bardheblutë gjejnë golin, por nuk vlen pasi gjithçka anulohet për pozicionin e parregullt të sulmuesit nga Ruanda. Takimi vijon me Tiranën të hedhur përpara dhe Vllazninë të vendosur për të mbrojtur fort fitoren, Bakaj tenton me të gjitha mënyrat dhe Olaki ka rastin e artë për të barazuar në minutën e 107-të i vetëm përballë Selimajt. Në minutën e 109-të këmbëngulja e bardhebluve shpërblehet pas një goditjeje të Muçës me mbrojtjen shkodrane te vendosur keq, Ervin Bulku ka topin ndër këmbë i shoqëruar nga një turmë bardheblu, mesfushori ka qetësinë dhe saktësinë e duhur për të mbajtur premtimin ndaj tifozëve, është 1-1. Fundi më i hidhur për Vllazninë, që kishte qenë në epërsi për më tepër se 100 minuta, ndërsa për Tiranën është një pikë që shijon si fitore, jo vetëm për dinamikën e takimit, por rdhe sepse e mban kuotën e 7 pikëve bashkë me Kukësin.

Pas përfundimit të ndeshjes, situata nisi të bëhej edhe më e nxehtë. Duke përfituar nga numri i ulët i policëve, të dyja tifozeritë e skuadrave filluan të përplaseshin me njëra-tjetrën, duke shkaktuar kështu edhe disa të plagosur nga të dy krahët. Kjo sfidë nuk prodhoi lojë, por vrer dhe kjo nuk bën mirë, por i ul pikë futbollit shqiptar që prej vitesh është viktimë e të tilla ngjarjeve.

 

Comments are closed.