Tryeza në Korçë/ Ambasadorët Arvizu e Rauning, thirrje gjyqtarëve: Mos zvarritni gjykimet

0
133

Sonila Mesareja

arviziu, nishani, naco, rauning takimi per drejtesine Presidenti Nishani: Çdo aktor, pjesë përbërëse e sistemit të drejtësisë, ka në dorë të japë ndihmën e vet për një sistem efiçent

 Ministri Naço: Gjyqet zvarriten nga 2 deri në 5 vjet nga gjyqtarët, e patolerueshme

 Pas akuzave të ndërsjella në distancë apo në të njëjtat tryeza mes institucioneve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë për reformën në drejtësi, dje ka qenë ambasadori amerikan Alexander Arvizu që ka ulur në një tryezë krerët e këtyre dy institucioneve, Presidentin Bujar Nishani dhe ministrin Nasip Naço. Gjatë një aktiviteti “Për një drejtësi pa vonesa”, në Gjykatën e Korçës, ambasadori amerikan është treguar shumë i ashpër dhe ka bërë thirrje për ndryshime pozitive në sistemin e drejtësisë. “Shqiptarët përballen me vonesa në seanca gjyqësore, kjo gjë më shqetëson dhe më zemëron për shqiptarët. Duhet të përpiqemi të bëjmë ndryshime pozitive e kjo nuk është e pamundur. Gjykata e Krujës u kthye në shembull për faktin se gjyqtarët dhe avokatët e morën seriozisht këtë projekt. Mungesa e përgjegjësisë e ka penguar zhvillimin e sistemit gjyqësor. Shqipëria tani e ka statusin e kandidatit. Ka shumë avantazh dhe mundësi që duhen kapur jo vetëm nga drejtuesit por dhe qytetarët. Menaxhimi i çështjeve gjyqësore mund të sjellë përparësi”, – deklaroi Alexander Arvizu, ambasador i SHBA-së në Tiranë. Më tej, fjalën e ka marrë edhe ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, i cili i është shtuar apelit të ambasadorit amerikan për gjyqtarët, duke bërë thirrje që të shmangin vonesat e seancave gjyqësore. ”Proceset e stërzgjatura po dëmtojnë drejtësinë në Shqipëri. Seancat e monitoruara kanë qenë joproduktive. Kjo situatë ka pasoja për qytetarët. Ne duam të garantojmë pakësimin e vonesave. Gjyqtarët duhet t’i menaxhojnë çështjet në mënyre efektive”, – deklaroi Raunig. Më pas e ka marrë fjalën edhe vetë kreu i shtetit, z. Nishani, për të cilin çdo aktor, pjesë përbërëse e sistemit të drejtësisë ka në dorë të jap ndihmën e vet me qëllim që sistemi gjyqësor të jetë efiçent. “Vendimi që na dha statusin e kandidatit duhet të jetë nxitje për ne. Në këtë frymë të ndërtohet reforma në drejtësi e cila është një domosdoshmëri e kohës në vijim të konsolidimit të shtetit ligjor. Reforma në drejtësi është një paketë që garanton efekte afatgjata. Çdo gjyqtar me çdo vendim ka instrumentin për të shpalosur dinjitetin për drejtësinë. Ndërhyrjet dhe presionet ndaj gjyqtarëve ndodhin por ju duhet të jeni në gjendje t’u bëni ballë”, – deklaroi Nishani. Pas numrit një të KLD-së e ka marrë fjalën ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, i cili në të njëjtën linjë me dy ambasadorët u ka bërë thirrje gjyqtarëve që të mos zvarrisin proceset gjyqësore, pasi, sipas tij, sistemi i drejtësisë prej vitesh vuan sëmundjen e zvarritjes së proceseve gjyqësore. Pas tij ka reaguar edhe kreu i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori, i cili duke cituar raportin e Asamblesë Parlamentare tha se gjyqësori ka probleme me luftën kundër korrupsionit por dhe rritjen e performancës. “Kjo është një kambanë alarmi. Në kemi nevojë të vazhdojmë me reformat dhe t’i thellojmë ato”, – deklaroi Zaganjori.

 

Ambasadori Arvizu/ Shqiptarët përballen me vonesa në gjyqe, kjo më shqetëson dhe zemëron

“Shqiptarët përballen me vonesa në seanca gjyqësore, kjo gjë më shqetëson dhe më zemëron për shqiptarët. Duhet të përpiqemi të bëjmë ndryshime pozitive e kjo nuk është e pamundur. Gjykata e Krujës u kthye në shembull për faktin se gjyqtarët dhe avokatët e morën seriozisht këtë projekt. Mungesa e përgjegjësisë e ka penguar zhvillimin e sistemit gjyqësor. Shqipëria tani e ka statusin e kandidatit. Ka shumë avantazh dhe mundësi që duhen kapur jo vetëm nga drejtuesit por dhe qytetarët. Menaxhimi i çështjeve gjyqësore mund të sjellë përparësi”, – deklaroi Alexander Arvizu, ambasador i SHBA-së në Tiranë. “Korça është një qendër e rëndësishme e kulturës, traditës dhe tregtisë. Edhe biznesi ka pasur një zhvillim të madh, dhe prandaj ne duam të përqendrohemi sërish në këtë zonë”, – theksoi Arvizu në fjalën e tij. Për ambasadorin Arvizu, e rëndësishme është të vazhdojë ecuria e aktivitetit të gjithë biznesit dhe veçanërisht e biznesit që vjen nga jashtë vendit, duke patur parasysh dhe nxitjen e bizneseve amerikane për të ardhur këtu. “Mundësitë ekzistojnë, por megjithatë ka nevojë për potencial. Dhe kur flasim për potencial, një nga mënyrat e zhvillimit të tij është nëpërmjet shtetit të së drejtës, çka do të thotë “më shumë transparencë”, – tha diplomati amerikan.

 

Ambasadori Rauning/ Duhen ndryshuar praktikat e ndjekura nga gjykata

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Florian Raunig theksoi se qëllimi kryesor është pavarësia në sistemin e drejtësisë. “Bashkë me cilësinë dhe pavarësinë, efiçenca e proceseve gjyqësore është një përbërës thelbësor i sistemit të drejtësisë që luan rolin e vet në një demokraci funksionale. Ajo është, gjithashtu, element kyç për shëndetin ekonomik dhe social të një shoqërie, siç është edhe me rëndësi jetësore për zbatimin efikas të legjislacionit. Proceset e stërzgjatura gjyqësore po dëmtojnë besimin te drejtësia në Shqipëri. Siç tregoi edhe raporti i Prezencës së OSBE-së “Drejt drejtësisë”, gjykimet e çështjeve civile në gjykatat kryesore të shkallës së parë zgjasin mesatarisht 280 ditë. Pothuajse gjysma e seancave të monitoruara ishin plotësisht joproduktive. Kjo do të thotë që në ato seanca nuk ka ndodhur asgjë thelbësore – as nuk është paraqitur asnjë argument apo akt, as nuk është marrë ndonjë provë dhe as nuk është bërë ndonjë kërkesë. Kjo, jo vetëm që ul besimin dhe respektin e publikut për gjykatat dhe për sistemin e drejtësisë në tërësi, por përbën, gjithashtu, një humbje të konsiderueshme kohe, si për gjyqtarët edhe për palët. Nuk e kam fjalën teorikisht – kjo situatë ka pasoja serioze dhe praktike për qytetarët shqiptarë. Në rastin e Shqipërisë, një pjesë e zgjidhjes qëndron te ndryshimi i praktikave të ndjekura nga gjykatat – duke i nxitur gjyqtarët që t’i menaxhojnë çështjet në mënyrë aktive. Kjo do të thotë që gjyqtarët bashkë me palët në proces të vendosin synime dhe afate për përfundimin e çështjeve, të shmangin shtyrjet e panevojshme të seancave gjyqësore dhe t’i përdorin me kursim seancat gjyqësore”, – u shpreh Raunig.

 

Presidenti Nishani/ Administrimi i procesit të gjykimit, përgjegjësi e përbashkët e gjyqtarëve

Në fjalën e tij, Presidenti Bujar Nishani u shpreh se administrimi i procesit të gjykimit së bashku me administrimin e veprimtarisë së gjykatës, është një përgjegjësi e përbashkët. “Pavarësisht ecurisë dhe kohës që marrin reformat në sistemin e drejtësisë, cilido prej institucioneve apo aktorëve, pjesë përbërëse e sistemit të drejtësisë, në çdo çast të veprimtarisë së tij, ka në dorë të gjenerojë ndihmesën e vet në drejtim të rritjes së pavarësisë, paanshmërisë, përgjegjshmërisë dhe eficencës së sistemit gjyqësor. Administrimi i procesit të gjykimit së bashku me administrimin e veprimtarisë së gjykatës, është një përgjegjësi e përbashkët dhe e ndërsjellë midis gjyqtarëve, drejtuesit të gjykatës dhe administratës gjyqësore. Në këtë këndvështrim, edhe projekti “Për një drejtësi pa vonesa” ashtu si edhe projektet e tjera që kanë për qëllim rritjen cilësore të veprimtarisë së gjykatave, duhet të përkrahen dhe të nxiten nga nivelet drejtuese në drejtësi, si dhe të mirëpriten dhe zbatohen me sukses nga strukturat zbatuese”, – tha Nishani gjatë fjalës së tij. Nishani shtoi se me marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, u bë e qartë se ka ende angazhime për t’u përmbushur. “Mbështetja dhe angazhimi im, si President i Republikës dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në rritjen e pavarësisë, efiçencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve gjyqësore nuk do të zbehet në asnjë çast. Për më tepër, të gjithë duhet të jemi edhe më të nxitur pas vendimit të Këshillit Evropian, marrë në qershor të këtij viti, vendim që, duke i dhënë Shqipërisë statusin e “Vendit kandidat”, vlerësonte progresin e arritur prej saj në disa fusha parësore, përfshirë reformën në drejtësi, dhe po kështu ripërcaktoi fushat ku puna duhet të vijojë me përparësi, me qëllim hapjen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”, – u shpreh Presidenti. Më pas ai lançoi për të pranishmit një tryezë të rrumbullakët që do të organizojë më 6 tetor të këtij viti me temë “Për reformën gjyqësore në Shqipëri”. Sipas tij, kjo tryezë synon të hedhë shtyllat kryesore, mbi të cilat do të udhëhiqet reforma në drejtësi, të bashkojë të gjithë aktorët e drejtpërdrejtë dhe të interesit dhe të përmbyllet me një platformë të qëndrueshme, në shinat e së cilës do të ecë ky proces. “Tryeza synon të ngjizë përvojat më të mira ndërkombëtare dhe opinionet vendase në një dokument, që do t’u vihet në dispozicion aktorëve zbatues për t’u zbërthyer më tej në një plan pune konkret”, – vijoi më tej Presidenti Nishani. “Nga ana tjetër, krahas reformave legjislative, shpreh gjithashtu mendim tim se çdokush nga gjyqtarët, në çdo vendim të tij ka instrumentin më të mirë të mundshëm për të shpalosur formimin profesional, përgjegjshmërinë, paanshmërinë dhe dinjitetin që duhet t’i karakterizojë qoftë si individë, qoftë si sistem gjyqësor në tërësi”, – tha në përfundim të fjalës së tij z. Nishani.

 

Ministri Naço/ Të patolerueshme rastet e zvarritjes së gjyqeve nga 2 deri në 5 vjet

Në fjalën e tij në takim, ministri i Drejtësisë u shpreh se “kohëzgjatja dhe cilësia e gjykimit janë dy faktorët kryesorë që ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin dhe besimin e njerëzve tek sistemi i drejtësisë. Kodet tona të procedurës ngarkojnë gjykatat dhe gjyqtarët me përgjegjësinë për të garantuar që të gjithë palët në proces gjykimi të shmangin vonesat e panevojshme. Lejomëni t’ju drejtohem, por dhe t’ju bëj thirrje të gjithë gjyqtarëve, që në konsideratë dhe të implementimit të programit pilot “Për një drejtësi pa vonesa”, në ndryshim nga praktika e vërejtur deri më sot, të marrin një rol aktiv në përgatitjen, planifikimin dhe mbarëvajtjen e proceseve të gjykimit; duke marrë masat e nevojshme për reduktimin në minimum të zvarritjeve të proceseve gjyqësore”. Më tej në fjalën e tij, z. Naço u shpreh: “Fatkeqësisht, sistemi i drejtësisë prej vitesh vuan sëmundjen e zvarritjes së proceseve gjyqësore. Në këtë kuptim ky projekt vjen si një sfidë ndaj këtij fenomeni, duke treguar se është e mundur të arrihet gjykimi i çështjeve në një kohë të shpejtë madje edhe pa ndryshime ligjore. Janë të patolerueshme rastet e zvarritjes së gjykimit të çështjeve deri në tre, katër apo pesë vjet, apo rastet e pushimit të çështjeve pas një apo dy vitesh gjykimi. Këto shembuj jo vetëm që ndikojnë drejtpërdrejtë në perceptimin negativ të publikut të gjerë tek drejtësia, por edhe në mohimin e të drejtës së palëve për një proces të rregullt ligjor. Gjithsesi, në jo pak raste seancat gjyqësore shtyhen edhe për mospjesëmarrje të palëve në proces apo edhe për mungesë korrektësie të palëve në paraqitjen e provave. Kam parasysh këtu përfaqësuesit e institucioneve shtetërore palë në gjykim, të cilët bëhen shkak për shtyrjen e vazhdueshme të proceseve civile apo penale. Për këtë kërkohet që institucionet shtetërore palë në procese gjyqësore, jo vetëm të përfaqësohen në gjykim, por edhe të marrin të gjitha masat për të zbatuar urdhrat dhe vendimet e gjykatës gjatë procedurave gjyqësore”. Më tej, ministri shtoi se “planifikimi më i mirë i seancave gjyqësore, nëpërmjet konsultimit paraprak me palët, zbatimi rigoroz i sanksioneve ligjore të parashikuara për mungesat e pajustifikuara në seancat gjyqësore të palëve në gjykim, me qëllim zhvillimin normal të procesit gjyqësor, janë disa hapa konkrete që nuk kërkojnë ndërhyrje ligjore, por vetëm një qëndrim më aktiv të gjyqtarëve”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency