Superliga/ Teuta, “shuplakë” Elbasanit, Kukësi dhe Laçi ndahen me barazim

0
142

teutaDurrsakët mposhtën bindshëm verdheblutë me rezultatin 1-5, duke bërë kështu që trajneri File të jepte dorëheqjen

 Në Laç, përballja midis Kukësit dhe vendasve do të mbyllej me një barazim pa gola

 Flamurtari i Gjokës nuk ka gabuar dhe ka fituar me rezultatin 3-0 ndaj Apolonisë së Fierit.

 Superliga ka hapur siparin e saj me ndeshjet e luajtura ditën e djeshme. Sfidat u karakterizuan nga një lojë e fortë, edhe pse rezultatet ishin të ndryshme. Në Elbasan ndodhi edhe fitorja dhe humbja më e thellë e këtyre tri javëve të para. Teuta arriti që të mposhtte vendasit me rezultatin e thellë 1-5, duke i dhënë kështu një goditje të fortë të rinjve të Superligës. Ndërsa në sfidën e veriut midis Laçit dhe Kukësit do të luftohej më shumë, por në fund do të mbyllej me një barazim pa gola. Kështu, Teuta merr tri pikët e para, ndërsa Kukësi qëndron në vendin e parë përkohësisht, pasi duhen pritur edhe ndeshjet që do të luajë Tirana me Skënderbeun.

 

Elbasani-Teuta

Tigrat e verdhë u shpërfytyruan dje në sfidën ndaj Teutës, duke dhënë sinjale negative për të ardhmen. Skuadra që erdhi nga Kategoria e Parë nuk po arrin të rezistojë dot në Superligë dhe mungesa e përforcimeve cilësore e ka penalizuar edhe më shumë. Ndërsa në krahun tjetër, Teuta u rikthehet fitoreve. Durrsakët u shfaqën të fortë që në fillim të takimit me disa raste të mira për shënim, por mungon saktësia në finalizim. Në minutën e 8-të Xhevdet Shabani provon me një goditje të kalibruar, por topi përfundon jashtë, ndërsa në të 10-ën Korreshi kërkon të asistojë shokët e skuadrës kur kishte mundësi të godiste vetë portën. Kundërpërgjigjja e Elbasanit vjen në minutën e 18 me një ekzekutim të saktë të Bylykbashit nga distanca që vë në provë Rizvanin, ndërsa 5 minuta më pas Shabani i Teutës e detyron Kotorrin ta çojë topin në fundore me majën e gishtave. Rreziku zhvendoset në të 28-ën në portën e Teutës, teksa pas një lëvizjeje të zgjuar të Bylykbashit, Dalipi shpërdoron një rast të pastër i vetëm përballë portierit durrsak. Loja sulmuese e Teutës u shpërblye me gol në minutën e 30-të, ku pas një harkimi të saktë të Shabanit, Pepa e dërgon me kokë topin në rrjetë në shtyllën e dytë. Zhbllokimi i rezultatit e çliron psikologjikisht Teutën, që realizon sërish 6 minuta më pas me Shabanin, që e detyron Kotorrin ta nxjerrë për herë të dytë topin nga rrjeta. Në pjesës e dytë pritej reagimi i Elbasanit, por ndodh krejt e kundërta. Në minutën e 51 Xhevdet Shabani trefishon shifrat me një goditje të zgjuar prirët me portën, pas një aksioni model nga e djathta. Tentativa e Bylykbashit në të 57 është shumë pak për të kthyer rrjedhën e lojës, pasi Teuta e vijon serinë e golave me Brunild Pepën, që kontrollon dhe lëshon një goditje fluturimthi duke lënë pa fjalë edhe Elvis Kotorri. Elbasani e humbet krejtësisht toruan dhe pëson golin e pestë në minutën e 69, finalizim që mban firmën e Bruno Ditës. Gjithsesi në të 80 vjen edhe goli i nderit i Elbasanit, që realizohet nga Mirel Cota me një goditje potente në hyrje të zonës. Tashmë verdheblutë gjenden në kuotën e zero pikëve në vendin e fundit, ndërsa Teuta merr vendin e pestë. Pas ndeshjes Ilirijan File dha dorëheqjen nga drejtimi i Elbasanit duke u largua menjëherë nga stadiumi i Peqinit pa dashur të japë detaje të mëtejshme mbi këtë vendim të tijin. Kështu Elbasani tashmë i duhet të vihet në kërkim të një tekniku që mund ta nxjerri nga fundi ku është zhytur.

 

Laçi-Kukësi

Sfida e veriut ishte edhe ndeshja që dhuroi më shumë emocion. Një duel midis dy skuadrave, të cilat arritën që të dhuronin emocion në stadiumin e Laçit. E vetmja gjë që i munguan këtij takimi ishin golat, ndërsa çdo gjë tjetër ishte e ndërtuar më së miri. Të dyja ekipet ishin të mobilizuara mjaft mirë duke e ditur kundërshtarin që kishte përballë. Në njërën anë gjendeshin laçianët që në fushën e tyre nuk të falin. Ndërsa në krahun tjetër gjendeshin verilindorët që këtë vit duket se janë pretendentë serioz për të fituar titullin. Loja u karakterizua nga një temp i lartë dhe por pa shumë raste të pastra. Kishte aksione nga të dyja krahët, por që goli mungoi, pasi të dyja ekipet arritën të zhvillonin një lojë mjaft të fortë defensive. Kështu ndeshja do të mbyllej me shifrat e barabarta duke mos pasur shumë histori, duke i dhënë të dy ekipeve nga 1 pikë që mban kuksianët në vendin e parë, ndërsa Laçin në të shtatin.

 

Flamurtari-Apolonia

Në derbin tjetër, atë të jugut, Flamurtari i Vlorës nuk ka lënë vend për dyshime, duke mundur Apoloninë. Labët kanë arritur të mposhtin fierakët me rezultatin e pastër 3-0 që i çon kështu në kuotën e gjashtë pikëve. Trajneri Gjoka e nis me ndryshime në formacionin e tij, ku Vucaj zë vendin e Lenës, ndërsa Krasniqi të Veliut. Kapiteni kuqezi s’mund të luante për shkak se është pezulluar nga Disiplina. Apolonia është mbajtur mirë për 61 minuta, deri kur Telushi ka nxjerrë nga arsenali i vet një gjuajtje predhë, duke zhbllokuar edhe rezultatin e bardhë. Nuk ka vonuar shumë dhe në minutën e 70-të ka shënuar edhe gjeorgjiani Gelashvili. Ndërsa pak më vonë Muzaka do t’i jepte fund gjithçkaje me shifrat 3-0 nga pika e bardhë e penalltisë, pak minuta para mbarimit të ndeshjes. Kështu Apolonia harron suksesin e madh ndaj Partizanit dhe ngelet në kuotën e tre pikëve, ndërsa Flamurtari për momentin renditet i treti në kuotën e gjashtë pikëve.

 

 Saurez luan në “El Clasico”

Katalanasit janë të gëzuar, pasi për “El Clasico” do të mund të kenë gati yllin e ri të ekipit, Luis Suarez. Barcelona udhëton në “Santiago Bernabeu” për t’u ballafaquar me rivalët, Realin e Madridit, me ndeshjen e shumëpritur që do të fillojë në orën 18:00 të 25 tetorit. Uruguajani ishte dënuar me katër muaj dënim pas kafshimit ndaj Xhorxho Kielinit në Kampionatin Botëror. Suarez kaloi te Barcelona dhe atij iu lejua vetëm që të zhvillonte stërvitjet me klubin e ri, por jo të luante deri para përfundimit të dënimit të tij. Faqja e Barcelonës ka konfirmuar tani se Suarez do të bëjë debutimin pikërisht ndaj Real Madridit pasi do të kalojnë 18 orë nga dënimi dhe pikërisht është ndeshja ndaj Real Madridin që do ta shohë atë në fushë për “blaugranët”. Suarez kaloi për 94 milionë euro te Barcelona dhe bëri një paraqitje për Barcelonën në një miqësore parasezonale më herët gjatë verës.

 

 Çelsi në luftë për Ronaldon?

Çelsi pritet që t’i bashkohet Mançester Junajtidit në betejën për transferimin e Kristiano Ronaldos. Hoze Murinjo është bërë shumë i afërt me Ronaldon nga koha e Realit të Madridit dhe dyshja, sipas mediave angleze, vazhdon të ketë kontakte. Shpeshherë është folur për një ribashkim midis tyre, i cili është folur në shumë raste për kombëtaren portugeze. Mirëpo, duket se tashmë këto kontakte kanë kaluar në një nivel tjetër. Murinjo ka filluar ta joshë lojtarin, pasi dëgjoi pakënaqësitë e tij me transferimet e fundit. Ronaldo është duke menduar seriozisht Premier Ligën dhe duke parë se Junajtid nuk është rival i përbetuar me Çelsin, ai po mendon që të provojë hyrjen në ekipin e Murinjos, ku do ta priste një sulm me Diego Kostën. Ndërkohë, në rast transferimi, Eden Hazard mund të ishte dhe “i sakrifikuari” që do të shkonte drejt Realit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency