Standard.al

Nuk bien dakord/ Fondi Monetar “ngrin” paratë hua për Shqipërinë

Ervin Kaduku

 nadeem llahi–  Misioni i radhës i FMN-së është larguar pa rënë dakord me autoritetet shqiptare për konkluzionet e vizitës

–  U shmang prania e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në konferencën tradicionale me pjesëmarrje të ministrave dhe BSH

–  Qeveria duhet të ketë dështuar në plotësimin e angazhimeve

 Fondi Monetar ka bllokuar disbursimin e këstit të tretë të huasë së premtuar 330 milionë eurosh për Shqipërinë. Ndryshe nga vizitat e tjera, të përcjella me një pompozitet të dukshëm nga qeveria, ekipi i misionit të FMN-së, i udhëhequr si gjithnjë nga drejtori për vendin tonë pranë këtij institucioni në Uashington, Nadeem Ilahi, që ishte në Tiranë që prej fundit të gushtit, u largua pa dhënë konferencën e përbashkët për shtyp me autoritetet shqiptare në ditën e fundit të qëndrimit, me justifikimin “për shkak të axhendës së ngjeshur”. Në një njoftim zyrtar për shtyp, dje FMN ka sqaruar shkurtimisht se ekipi i stafit të Fondit Monetar Ndërkombëtar ishte në Tiranë gjatë periudhës 26 gusht deri në 9 shtator 2014, për të zhvilluar diskutime në kuadër të shqyrtimit të dytë nën marrëveshjen Fondi i Zgjeruar (EFF).

Sipas deklaratës së FMN-së, “ekipi diskutoi një sërë çështjesh me autoritetet, përfshirë buxhetin e vitit 2015, reformat strukturore, si dhe qeverisjen e Bankës së Shqipërisë dhe kuadrin e politikave. Diskutimet dhe përfundimi i shqyrtimit do të vazhdojnë nga Uashingtoni dhe misioni do të kthehet për të përfunduar punën e tij në një datë të mëvonshme”, – përfundon deklarata e FMN-së.

Por, sipas marrëveshjes së rënë dakord midis Shqipërisë dhe FMN-së, data 15 shtator duhej të ishte ajo e disbursimit të transhit të tretë të huasë, në masën prej 23.55 milionë SDR, rreth 26 milionë euro. Dy të tjerat janë marrë tashmë nga qeveria shqiptare. Në rast se deri pas 5 ditësh FMN nuk ka bërë publik rishikimin e kritereve të performancës për periudhën tremujore deri në fund të qershorit, mbi bazën e të cilit Fondi merr vendimin nëse do të lëvrojë apo jo këstin e radhës, ky këst mund të shtyhet. Në fakt, lënia përgjysmë e negociatave shtyn automatikisht dhe disbursimin e transhit të tretë të kredisë, sepse disbursimi bëhet vetëm pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Por, edhe po të mos kishte ndodhur skandali i Bankës së Shqipërisë, në kushte normale afati i vendosur fillimisht në program ishte shumë i hershëm për t’u arritur. Pas zhvillimeve të fundit, marrja e tij duket se është shtyrë në një afat të papërcaktuar, duke e detyruar qeverinë që të kërkojë financime në tregun e brendshëm, me anë të letrave me vlerë, duke rritur presionin mbi tregun e tyre dhe, rrjedhimisht, edhe koston e borxhit.

 

Huatë

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi më 28 shkurt marrëveshjen 36-mujore prej rreth 330.9 milionë eurosh, ose 457.1 milionë dollarësh me Shqipërinë për të mbështetur programin e reformave. Miratimi mundësoi disbursimin e menjëhershëm të 23.55 milionë SDR (rreth 26.4 milionë euro ose rreth 36.4 milionë dollarë). Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian ka gjithashtu mundësi që të ofrojnë asistencë për programin e reformave të autoriteteve.

Qeveria ka premtuar që ta përdorë këtë fond për shlyerjen e detyrimeve ndaj bizneseve. Në total janë parashikuar 35 miliardë lekë (rreth 250 milionë euro) për të paguar bizneset në 2014, nga të cilat 100 milionë euro u siguruan nga FMN dhe në qershor pritet të miratohet fondi nga Banka Botërore për të mbuluar pjesën tjetër. Pjesa e mbetur e totalit të detyrimit të llogaritur në 72 miliardë euro do të ndahet në dy vitet e mëpasshme, 2015-2016.

 

Problemet

Fondi Monetar Ndërkombëtare, në raportin e fundit të tij për Shqipërinë, tërhiqte vëmendjen që të bëhet kujdes në moskrijimin e detyrimeve të reja të prapambetura ndaj biznesit, plus atyre për të cilat është marrë huaja nga FMN. Sipas një vëzhgimi që FMN ka bërë për muajin mars ka treguar se janë krijuar 360 milionë lekë (rreth 0.03 % të PBB-së) detyrime të reja gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, sipas FMN-së kjo reflekton gjerësisht vonesa nga një pjesë e këtyre institucioneve për të regjistruar bonot në Thesar në kohë të mjaftueshme për të marrë pagesën. FMN pohon se ka dhënë instruksione që do të shmangnin këto vonesa në ët ardhmen. Institucioni pret që qeveria shqiptare të qartësojë në mënyrën e duhur çdo detyrim të prapambetur që do të zbulohet përgjatë këtij procesi.

FMN thekson se do të vazhdojë të forcojë aftësinë raportuese për të dhënat financiare të agjencive qeveritare.

Raporti tremujor i grumbullimit të detyrimeve të prapambetura, i kryer për herë të parë në prill 2014, që synonte të mblidhte informacion mbi detyrimet e papaguara të pesë ministrive qendrore do të vazhdojë në gusht dhe do të zgjerohet që të përfshijë dhe objektivat e vazhdueshme strukturore, theksohet në raportin e FMN-së. FMN do të vazhdojë të japë një raport të konsoliduar, 75 ditë pas mbarimit të çdo tremujori.

 

Akuzat

Partia Demokratike ka akuzuar tashmë qeverinë se për shkak të paaftësisë, klientelizmit dhe korrupsionit ka pranuar kushtet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritjen e taksave, rritjen e moshës së pensioneve dhe rritjen çmimit të energjisë deri në vitin 2016. “Në fakt përgënjeshtrimi i Ramës është i turpshëm për qytetarët e këtij vendi, pasi në faqe 29 të raportit, paragrafi i 3, janë propozuar si mundësi: Vendosja e TVSH në arsim; Rritjen me 50% të taksës mbi tregtimin e makinave të përdorura; Vendosja e taksës mbi pronën (shtëpi, tokë) sipas vlerës;futja e një takse vjetore për përdorimin e makinave bazuar në vlerën e tyre; rritjen e tatimit mbi të ardhurat e individëve, përfshi dhe interesat e depozitave dhe dividendin nga 10 në 12% (rritje 20%)”, – tha ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Ish-ministri i Financave iu referua memorandumit të qeverisë me FMN-së për të treguar, sipas tij, se edhe angazhimi për rritjen e çmimit të energjisë është i vërtetë dhe është pjesë e memorandumit. “Shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare se në qershor të këtij viti çmimi i energjisë për popullatën do të afrohet me çmimet e tregut ndërkombëtar, që do të thotë një rritje e shqetësuese për qytetarët. Dhe kjo ndodh kur paguhet më pak se 50% e energjisë dhe ata që paguajnë duhet të paguajnë një çmim dy herë më të lartë”, – tha Bode.

Partia Demokratike iu referua memorandumit për të treguar angazhimin e qeverisë edhe për ndërmarrjen e reformës së pensioneve, e cila, siç thotë ish-ministri i Financave, nuk do të kufizohet vetëm në rritjen e moshës së pensioneve, por edhe me rritjen e masës së kontributeve.

“Memorandumi i bashkëpunimit të qeverisë “Rama” me FMN është dëshmia më e qartë e pasojave të rënda dhe kostove të papërballueshme që solli për vendin një qeverisje diletante, klienteliste dhe e papërgjegjshme. Ky është shpërblimi që po marrin qytetarët shqiptarë në këmbim të besimit që i dhanë dyshes Rama-Meta: rritje taksash, rritje çmimesh, rritje të papunësisë, varfërisë dhe mjerimit”, – tha Bode.

 

Kushtet

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vendosur kushte shumë të rënda për akordimin e huasë, nga moszbatimi i të cilave rrezikohet ecuria e saj.

Në një raport lidhur me marrëveshjen theksohet se çdo tre muaj do të ketë një rishikim të situatës për të vlerësuar nëse Shqipëria i ka plotësuar kushtet e vëna apo jo. Raporti theksonte se paketa e ndihmave ka një kushtëzim me disa reforma që duken se janë të panegociueshme. Kushtëzimet kryesore lidhen me reformën e pensioneve, deficitin buxhetor dhe zgjidhjen e krizës së sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri.

Lidhur me pensionet, katër janë ndërhyrjet e propozuara nga FMN: 1. Rritja e moshës së daljes në pension në 65 vjeç për gratë dhe 67 vjeç për burrat. 2. Kufizimin e rritjes së pensioneve aktuale me masën e inflacionit, pra jo më shumë sesa 2 për qind në vit. 3. Heqjen e kufizimeve të pensionit minimal, për të nxitur shqiptarët e punësuar të deklarojnë dhe paguajnë kontribute për pagat e tyre reale përkundrejt premtimeve për pensione më të larta. 4. Ndarjen e pensioneve të pleqërisë nga pensionet sociale, të cilat duhet të mbulohen nga buxheti i shtetit (taksimi direkt) dhe jo nga kontributet aktuale.

Mbledhja e faturave të papaguara të dritave dhe reduktimi drastik i vjedhjeve dhe humbjeve teknike në rrjet janë masa gjithashtu të kërkuara nga FMN si kusht për paketën e ndihmës.

Përveç taksave shtesë të prezantuara me paketën fiskale në dhjetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka propozuar edhe një listë tjetër masash në drejtim të rritjes së taksave për efekt të ruajtjes së stabilitetit fiskal. Këto masa janë klasifikuar si “të mundshme” për t’u ndërmarrë në të ardhmen, në rast se rritja aktuale e taksave nuk mjafton për të vënë nën kontroll deficitin buxhetor dhe borxhin publik të vendit.

Të shënuara si “masa për t’u ndërmarrë në terma afatshkurtër”, d.m.th brenda këtij viti, si të mundshme janë renditur këto rritje taksash: 1. Reduktimi i statusit të biznesit të përjashtuar nga TVSH për shërbimet arsimore. 2. Vendosjen e një takse 2 për qind për të ardhurat e kompanisë koncesionare të autostradës Durrës-Kukës. 3. Rritje të pagesës vjetore për makinat e përdorura me 50 për qind. 4. Vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi ndërtesat e reja, përfshirë vlerën e tokës për ndërtimet me përqindje. 6. Zbatimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për telefonatat që vijnë nga jashtë vendit. Duke qenë se Shqipëria ka një popullatë të madhe emigrantësh që zakonisht merr në telefon familjarët në Shqipëri, propozimi është që këta emigrantë të paguajnë përveç TVSH-së për telefonatat që kryejnë nga vendet ku janë, edhe TVSH kur telefonata e tyre mbërrin në territorin e Shqipërisë. 7. Një taksë e sheshtë mbi të gjithë banorët që udhëtojnë jashtë vendit. 8. Rritje të taksave mbi të ardhurat nga interesat, aksionet, dividendët, qiratë apo pagesat për pronësi intelektuale nga 10 në 12 për qind.

Ndërsa për pensionet FMN sugjeron rritjen e tyre vetëm me të njëjtën masë që rritet inflacioni, për pagat e sektorit publik propozohet që të mos ketë rritje fare. D.m.th që pagat e sektorit publik në terma reale, të mund të reduktohen në krahasim me vitet e shkuara për shkak se gërryhen nga inflacioni dhe se inflacioni nuk do të kompensohet nga qeveria.

 

Qetësohet leku, rikthehet normaliteti te këmbimet

Monedha vendase duket se “ka marrë pak frymë” të mërkurën, pas dy ditësh radhazi që ishte nënçmuar ndjeshëm si ndaj euros ashtu dhe dollarit. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 140.31 lekë, 0.02 lekë më shumë se një ditë më parë. Dollari ka shënuar një rënie të ndjeshme, duke zbritur në 108.34 lekë, 0.56 lekë më pak se një ditë më parë. Të hënën, euro shënoi kërcimin më të madh ditor të këtij viti, me 0.4 lekë. Në bursat ndërkombëtare, gjatë ditës së djeshme, dollari ndryshoi pak në $1.2931 për euro, pasi arriti $1.2860 nje ditë më parë, niveli më i lartë që nga korriku 2013.

 

Maqedonia, e gatshme për projektin TAP

Maqedonia është e interesuar të marrë pjesë në Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP) si partnere, deklaroi për gazetarët zëvendës-kryeministri dhe ministri i financave Zoran Stavreski. “Pasi projekti të jetë gati, ne do të shprehim synimin tonë për të marrë pjesë në të si një partner dhe do të zhvillojmë diskutime”, – tha ai. “Kompanitë e Azerbajxhanit, që kanë ndërtuar bizneset e tyre në Maqedoni, do të jenë në gjendje të ofrojnë prodhimet e tyre në tregun evropian, i cili ka 650 milionë konsumatorë”, – tha Stavreski.

TAP është një projekt i zgjedhur nga konsorciumi, i cili zhvillon fushën azerbajxhanase “Shah Deniz”, si një rrugë për transportin e gazit drejt tregjeve evropiane. Tubacioni ka për qëllim të transportojë gaz nga deti Kaspik drejt Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të arrijë në brigjet e Italisë së Jugut, dhe më pas ti drejtohet Evropës Perëndimore. Gjatësia totale e TAP do të jetë 870 kilometra. Ndërtimi i tubacionit pritet të fillojë në vitin 2016.

 

Comments are closed.