Standard.al

LEGALIZIMET/ Ndryshojnë kriteret për  regjistrimin e ndërtimeve  pa leje dhe shtesat

Florenc Drizari

 zone informale 2Vendim qeverie për përcaktimin e procedurave të evidentimit në terren, të ndërtimeve pa leje dhe shtesave, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale

 Këshilli i Ministrave vendosi ndryshimin e procedurave për regjistrimin e ndërtimeve informale. Mbledhja e djeshme e qeverisë u zhvillua nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, ndërkohë që Kryeministri Rama bashkë me delegacionin që e shoqëron, ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë me rastin e Forumit Ekonomik Botëror. Vendimi i qeverisë për përcaktimin e procedurave të evidentimit në terren të ndërtimeve pa leje, shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale kërkon nga ALUIZNI që të kryejë evidentimin në terren dhe hartimin e dokumentacionit në bazë të gjendjes faktike të ndërtimeve të ndërtimeve informale, sipas njësive strukturore të përcaktuara prej tyre, rast pas rasti.

Për ndërtimet informale, që përfshihen për herë të parë në procedurat e legalizimit, referuar ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, plotësohet deklarata për përfshirje në këtë proces nga subjektet poseduese.

Qeveria argumenton se forma, mënyra e administrimit dhe afati kohor i plotësimit të deklaratës përcaktohen me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm ALUIZNI-it, ndërsa verifikimi i ndërtimeve informale, brenda periudhave kohore të përcaktuara në ligjin për legalizimet, bëhet nëpërmjet përdorimit të produktit të fotografimit ajror të territorit të Republikës së Shqipërisë, për periudhën kohore që ai mbulon, ose imazheve satelitore ose ajrore të përdorimit të përgjithshëm, sipas kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara nga subjektet disponuese.

Për kryerjen e procedurave të regjistrimit të ndërtimeve informale, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) mund të autorizojë subjekte private, të licencuara, në fushat përkatëse.

 

Dokumentacioni për zonat informale

Vendimi i qeverisë përcakton se ALUIZNI duhet të kryejë procedurat e evidentimit në terren, të përgatitë dokumentacionin e gjendjes faktike të ndërtimeve informale, si dhe të hartojë dokumentacionin teknik e ligjor për zonën informale. Zonë informale, sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, do të konsiderohet territori me sipërfaqe mbi 2 hektarë, i zënë nga ndërtime informale, procesi i legalizimit të të cilave nuk u nënshtrohet kushteve të instrumenteve të planifikimit të territorit. Propozimi për zonën informale dhe dokumentacioni i hartuar depozitohet për shqyrtim në këshillin teknik, organ kolegjial pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë së Legalizimit.

“Këshilli teknik ushtron përgjegjësitë e përcaktuara në këtë vendim dhe në aktet e tjera nënligjore. Përbërja dhe organizimi i tij përcaktohen me urdhër të Kryeministrit. Kontrolli dhe vlerësimi i dokumentacionit sipas pikës 7, të këtij vendimi, kryhen nga këshilli teknik brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e depozitimit të tij. Dokumentacioni i përpunuar nga këshilli teknik paraqitet për shqyrtim dhe miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit, sipas përcaktimeve të nenit 11, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”, – thuhet në vendimin e qeverisë.

Gjithashtu, qeveria vendosi dje edhe shfuqizimin e vendimit të marrë në qeverisjen e djathtë, “vendimin nr. 515, datë 13.5.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afateve, të mënyrës dhe kohës së ushtrimit nga ALUIZNI të përgjegjësive të zyrave të urbanistikës dhe këshillave të qarqeve gjatë procedurave të legalizimit të objekteve informale”, të ndryshuar, dhe udhëzimi nr. 6 datë 8.11.2006, i ministrit të Punëve Publike dhe Transportit. Për zbatimin e këtij vendimi ekzekutiv ngarkohen ALUIZNI- dhe Këshilli Kombëtar i Territorit.

 

Propozimi i zonës informale përbëhet nga dokumentacioni, si më poshtë vijon:

  1. a) Harta e zonës informale e përditësuar në shkallën 1:1000 deri 1:2500 ku të pasqyrohet:
  2. vija kufizuese e re e propozuar;
  3. vija kufizuese e rishikuar e zonës informale në lidhje me atë të mëparshme;

iii. vija kufizuese administrative e njësisë/ve së/të qeverisjes vendore;

  1. kufiri i zonave kadastrale;
  2. kufiri i territoreve dhe objekteve që gëzojnë cilësi juridike të veçanta.
  3. b) Tabela përmbledhëse, ku pasqyrohen të dhënat për ndërtimet informale;
  4. c) Harta e shkallës 1:2500 deri në 1:25000, ku paraqitet zona e propozuar në raport me kufijtë administrativë.

ç) Relacioni përshkrues dhe argumentues i propozimit me të dhëna statistikore për zonën informale.

 

Vizita e Papës në Shqipëri, qeveria bën ndryshime në buxhetin e 2014-ës

Qeveria miratoi në mbledhjen e djeshme një shtesë fondesh në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Kulturës për përballimin e shpenzimeve në kuadër të organizimit të punëve në vijim të ardhjes së Papa Françeskut në Shqipëri. Këshilli i Ministrave vendosi që Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi prej 29 400 000 (njëzet e nëntë milionë e katërqind mijë) lekësh. Në vendim thuhet se fondet ndahen në: a) 8 748 128 (tetë milionë e shtatëqind e dyzet e tetë mijë e njëqind e njëzet e tetë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve të shtesës së punimeve në zbatim të projektit “Për ndërhyrje rehabilituese në sheshin “Nënë Tereza””; b) 10 578 262 (dhjetë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë, për mbulimin e shpenzimeve për shtesë fondi në zbatim të projektit “Për realizimin e dekorit të qytetit të Tiranës në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri” si dhe aspektet organizative e protokollare të ceremonialit të vizitës së Papa Franceskut; c) 1 673 610 (një milion e gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e dhjetë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve “Për realizimin e altarit të meshës që do të mbajë Papa Françesku”; ç) 8 400 000 lekë (tetë milionë e katërqind mijë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen për realizimin ekspozitës në Muzeun Historik Kombëtar, në kuadër të ardhjes në Shqipëri të Papa Françeskut.

 

Comments are closed.