Vjedhja e Bankës/ Gjoni: Nuk dinim gjë për vjedhjen në Thesar, na informoi Fullani

0

Sonila Mesareja

Loading...

elisabeta gjoni ne prokurori shtator 2014 lsa sakteProkurori, përfundon pyetja e Këshillit Mbikëqyrës. Pas dëshmisë së guvernatores në detyrë, pritet marrja në pyetje e të arrestuarve, mes të cilëve Fullani e Golemi, si dhe ripyetja e Bitrajt

 “Nuk dinim gjë se çfarë ndodhte në departamentin e Emisionit. Faktin na e bëri të ditur guvernatori Ardian Fullani më 21 korrik, ditën që Ardian Bitraj u vetëdenoncua”. Me këto fjalë mësohet të jetë mbrojtur para akuzës guvernatorja në detyrë Elisabeta Gjoni dje në Prokurorinë e Tiranës, i njëjti justifikim me kolegët e saj të tjerë të Këshillit Mbikëqyrës. Nga burime pranë akuzës bëhet me dije se edhe anëtarët e tjerë të këtij Këshilli kanë deklaruar të njëjtën gjë për situatën në Thesar, ku për katër vite u vodhën 713 milionë lekë nga punonjësi Bitraj. Sipas akuzës, 6 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, Elisabeta Gjoni, Ela Golemi, Petraq Milo, Dhori Kule, Adrian Civici dhe Ermelinda Meksi, kanë bërë me dije se janë njoftuar nga guvernatori Fullani në datën 21 korrik, ditën që Bitraj u vetëdenoncua. Ky ishte një nga deklarimet që ka bërë gjatë shpjegimeve të saj për gati 3 orë para prokurorit Ramadan Troci dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore guvernatorja Gjoni, e cila rreth orës 11:30 la mjediset e akuzës së kryeqytetit, ndërsa refuzoi të jepte komente për gazetarët që e pritën jashtë rreth dëshmisë së saj për vjedhjen në bankë.

 

Dëshmia

Për gati tri orë, Elisabeta Gjoni ka dëshmuar para prokurorit Troci dhe dy oficerëve lidhur me marrjen dijeni për vjedhjen në departamentin e Emisionit, urdhrat e lëshuar dhe të firmosur prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës për funksionimin e këtij departamenti apo dhe krejt Bankës së Shqipërisë, roli i saj si zëvendësguvernatore e parë, aktet nënligjore, rregulloret për funksionimin e bankës dhe të tjera shkresa që janë lëshuar dhe firmosur prej saj përgjatë kësaj kohe. Gjithashtu, numri një i Bankës së Shqipërisë për momentin, pas arrestimit të Fullanit, ka argumentuar edhe inventarizimet dhe auditet e bëra nga Banka, të cilat nuk e kanë pikasur që në Thesar mungonin para. Dëshmia e Gjonit ka mbyllur marrjen në pyetje të Këshillit Mbikëqyrës, duke ia lënë radhën pyetjes së ish-guvernatorit Ardian Fullani dhe inspektores së Përgjithshme, Elivar Golemi, të dy në mjediset e paraburgimit 302 dhe 313 në Tiranë.

 

Hetimi

Grupi hetimor i njësisë task-forcë i ka lënë për në fund këto dy dëshmi, pasi donin të ishin më të qartë rreth funksionimit të Bankës së Shqipërisë dhe vetë departamentit të Emisionit, para se të nisin pyetjen e Fullanit dhe Golemit. Më pas, mësohet se grupi hetimor pritet që të marrë në pyetje 14 personat që tashmë ndodhen në qelitë e paraburgimit. Më me rëndësi parashikohet të jetë ripyetja e Ardian Bitrajt, për të cilin ka dyshime se nuk ka vepruar vetëm. Pikëpyetje e madhe e hetimit është dhe shuma e parave të vjedhura, pasi ka dyshime se janë më shumë. Në të tilla kushte, skandali i Bankës Qendrore mund të marrë përmasa akoma më të mëdha dhe mund të përfshijë të tjerë persona, të cilit mund të kenë rol në zhdukjen e parave nga Thesari. Pas dyshimeve që Bitraj mund të mos ketë vepruar vetëm, hetimet kanë filluar edhe për mënyrën se si janë nxjerrë paratë nga aty.

 

 Apel/ Avokatët dorëzojnë ankimin, kërkojnë lirimin e Fullanit e Golemit

Avokatët e ish-guvernatorit Ardian Fullani dhe inspektores së Përgjithshme në Bankën e Shqipërisë, Elivar Golemi, kanë dorëzuar dje në Gjykatën e Apelit ankimin e tyre për masat “Arrest me burg” të caktuara në mungesë dhe lëna në fuqi nga gjyqtarja Blerina Muça. Avokatët Maks Haxhia dhe Fatos Shanaj kanë depozituar ankimin në Gjykatën e Shkallës së Parë, për shkak të procedurës, pasi ajo e kalon në Gjykatën e Apelit, e cila, me t’u depozituar akti i apelit në Gjykatën e Apelit, në sekretari, brenda dhjetë ditëve do të shqyrtojë masën e sigurisë. Lidhur me këtë proces, avokati Haxhia është shprehur në media: “Ne jemi në kuadrin e një misioni dhe, natyrisht, edhe sikur të mos kisha bindjen, në mënyrën e etikës profesionale, do të thosha se janë në kushtet e personit që unë përfaqësoj në proces, se jam i bindur se do të ndryshohet dhe do të ndryshohet. Unë mund të sjell një sërë arsyesh. E para dhe më kryesorja është se masa e arrestit me burg është një masë ekstreme dhe kuptohet vetë edhe nga fjala “ekstreme”, aplikohet dhe duhet të aplikohet në raste ekstreme dhe për vepra ekstreme, që nënkupton vepra me rrezikshmëri të lartë, të theksuar shoqërore dhe që kryhen nga autorë me rrezikshmëri shoqërore të theksuar. Në rastin konkret nuk kanë asnjë nga këto dy kushte; vepra është një “Shpërdorim detyre”. Flasim për akuzën, që organi i hetimit ka ngritur ndaj z. Fullani dhe njëkohësisht, dihet tani çfarë rrezikshmërie shoqërore ka paraqitur z. Fullani, në ndryshimin e një harku njëditor. Dihet që guvernatori nuk paraqet asnjë rrezikshmëri shoqërore, përkundrazi, ai ka qenë gjithmonë në dispozicion të kësaj çështjeje, shumë i shqetësuar. Ka qenë ndër të parët që ka bërë denoncimin e kësaj vepre. Aq më tepër që masa e arrestit me burg aplikohet për vepra penale të rënda, që është e lidhur me parashikimin e marzhit të dënimit penal, vepra të tilla që parashikojnë një masë dënimi nga 5 në minimum e që shkojnë deri dënimin me burgimin e përjetshëm. Kurse, vepra konkrete është një vepër që dispozitivin e saj parashikohet deri në 7 vjet burgim. Në referim të historikut të kësaj vepre, siç është vepra e shpërdorimit të detyrës, në sistemin që lamë pas, parashikon neni 106, ishte një shprehje që “Shpërdorimi i detyrës” ishte një thes pa fund”.

Loading...