Testimi për Maturën/ Vjeshta, rijapin provimin 33 mijë mbetës

0

Provime1“Hartimi i testeve, shpërndarja, administrimi, monitorimi dhe vlerësimi do të bëhet si në sesionin e parë të Maturës Shtetërore, duke ruajtur të njëjtat standarde, bazuar në rregulloren e MSH-së”

Në provimet e vjeshtës do të rijapin provimet e maturës rreth 33 mijë mbetës. Numri më i lartë i atyre maturantëve që nuk morën dot notë kaluese, është në lëndën e Matematikës, 14 360. Në Gjuhë shqipe numri i mbetësve është 650, ndërsa në provimet me zgjedhe do të ritestohen 10.864 maturantë. Numri i kandidatëve që do të rijapin provimet e huaja është rreth 2250 kandidatë. Konkretisht në Gjuhë angleze 1.546 nxënës, Gjuhë frënge 376 nxënës dhe në Gjuhë italiane 328 nxënës. Të gjithë këta kandidatë do të ritestohen duke filluar nga dita e sotme deri në 22 shtator kur është provimi i fundit, ai i lëndëve me zgjedhje.

 

Provimet

Provimet do të fillojnë në orën 10:00. Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta, ndërsa provimet me zgjedhje do të zgjasin 4 orë. Maturantët që kanë vetëm një provim me zgjedhje do të hyjnë në provim në orën 11:30. Provimet e detyruara do të kenë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje do të jenë me alternativa që do të vlerësohen me 13 pikë dhe 12 pyetje do të jenë me zgjidhje që do të vlerësohen me 37 pikë. Provimet me zgjedhje do të kenë 20 pyetje nga të cilat 10 pyetje me alternativa që do vlerësohen me 10 pikë dhe 10 pyetje me zhvillim që do vlerësohen me 30 pikë. “Provimet do të zhvillohen të përqendruara në drejtoritë arsimore rajonale. Vetëm ZA Tropojë, ZA Lushnjë dhe ZA Sarandë do t’i zhvillojnë provimet në qytetet e tyre. Hartimi i testeve, shpërndarja, administrimi, monitorimi dhe vlerësimi do të bëhet si në sesionin e parë të Maturës Shtetërore, duke ruajtur të njëjtat standarde, bazuar në rregulloren e MSH-së, udhëzimet dhe urdhrat e dala nga Ministria e Arsimit dhe Sportit”, – thuhet në një njoftim të Ministrisë së Arsimit.

 

Do të marrin pjesë:

Maturantët/kandidatët që nuk rezultojnë kalues në një ose më shumë provime të Maturës Shtetërore 2014-të, sesioni i parë. Maturantët që kanë qenë pakalues në një ose dy lëndë, në vitin shkollor 2013-2014 dhe i kanë shlyer ato në sesionin e vjeshtës. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njësuar dokumentet shkollore në komisionin e posaçëm të ngritur me urdhrin e MAS, nr. 108, datë 31.3.2014, por që duhet të japin një apo dy provim me zgjedhje.

 

Datat e provimeve janë si më poshtë:

Gjuhë e huaj – Sot

Gjuhë shqipe dhe letërsi – 13 shtator 2014

Matematikë – 16 shtator 2014

Lëndë me zgjedhje – 22 shtator 2014

 

Numri i nxënësve për provimin gjuhëve të huaja është:

Gjuhë angleze 1.546 nxënës

Gjuhë frënge 376 nxënës

Gjuhë italiane 328 nxënës

Gjuhë gjermane (nuk ka)

 

Numri i nxënësve për provimet e tjera është:

Gjuhë shqipe dhe letërsi 6.500 nxënës

Matematikë 14.360 nxënës

Provimet me zgjedhje 10.864 nxënës

 

 Situata/ Pa mjekë specialistë në rrethe, pacientët shtrohen në korridoret e QSUT-së

Mungesa e mjekëve specialistë nëpër rrethe detyron çdo ditë shqiptarët që të vijnë për vizita në Qendrën Universitare “Nënë Tereza” Tiranë. Sipas deputetëve në Komisionin e Shëndetësisë, në QSUT ka pasur raste kur pacientët janë shtruar nëpër korridore, për shkak të mbingarkesës. “Spitalet rajonale duhet të jenë objekte të rëndësisë së veçantë me mbrojtje policore të themi drejt duhet të mbrojmë mjeket nga dhuna verbale dhe fizike”, – deklaroi Eduart Bejko. “Çfarë ndodh ne QSUT sot që ka sherre të mëdha, ka sherre për vende, pa vrarë trurin pa mbaruar te gjitha ato niset për Tirane, në reanimacion ke dhe korridoret plotë”, – deklaroi Ylli Ziçishti. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka pranuar mungesën në mjekë specialistë, por ai shpjegoi se hapja e specializimeve pas 5 viteve do ta zbusë këtë ngërç. “Është e vërtetë që kemi një mungesë të trupës së specialistëve, përgjithësisht jashtë Tiranës ju konfirmoj që do të hapen këtë vit, del vendimi i qeverisë brenda muajit, në tetor Universiteti Mjekësor sipas të gjitha rregullave do të bëjë konkurrimet”, – përmendi Beqaj. Këto deklarata janë bërë gjatë diskutimeve në Komisionin e Shëndetësisë, ku janë paraqitur disa kundërshtime me draftin e paraqitur nga Ministria për Urdhrin e Stomatologëve, kryesisht me kufizimin e moshës së drejtuesve. Sipas Petrit Vasilit, nuk është e drejtë që mosha të jetë kriter penalizues për ata që duan të garojnë në postin drejtues të urdhrit, por personi ta ndërpresë mandatin kur mbush moshën për të dalë në pension, që është 68 vjeç.

 

 Transferimet/ Studentët e privatëve, pa kredite humbasin vitet

Studentët e universiteteve private që do të transferohen në institucionet publike, duhet të kenë të njëjtat programe dhe sasinë e nevojshme të krediteve për të vazhduar në vitin pasardhës, aty ku kanë lënë studimet, në të kundërt ata rrezikojnë të kthehen vite mbrapa. Kjo ka qenë deklarata e rektorit të Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani, i cili thotë se studentët do t’u nënshtrohen edhe provimeve, nëse nuk kanë numrin e nevojshëm të krediteve. “Nëse atje është në vit të tretë ose vit të dytë, nuk do të thotë që kur bëhet transferimi ai do të vijë këtu në vit të tretë ose në vit të dytë. Nëse atje është në vit të dytë dhe nga ekuivalentimi i rezulton se numri i krediteve është më i madh sesa 30 kredite, atëherë do të regjistrohet në vit të dytë. Nëse ai është në vit të tretë dhe numri i krediteve është më i madh se 80 kredite, që është në përputhje me rregulloren e Universitetit Politeknik, që do të thotë mbi 80 kredite kalon në vit të tretë, ai do të kalojë në vit të tretë. Në të kundërt nëse numri i krediteve është më i vogël se 80, ai nuk do të regjistrohet në vit të tretë, po në vit të dytë. Dhe nëse numri është më i vogël se 30, nuk do të regjistrohet në vit të dytë, po në vit të parë”, – thotë Jorgaq Kaçani, rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës. Një kriter tjetër për studentët që do të vinë nga universitetet private drejt publikut, është se këta të rinj do të kenë tarifa më të larta shkollimi, se studentët që aktualisht janë pjesë e institucioneve publike. “Tarifat e shkollimit nuk do të jenë të njëjta me tarifat e shkollimit të studentëve të cilët kanë fituar që nga matura shtetërore në universitetin politeknik, por tarifat do të jenë të tilla që studenti që do të ketë dëshirë të vijë të regjistrohet do të përballoj me tarifën e vet të gjitha shpenzimet që do të jenë të nevojshme për të plotësuar atë investim që universiteti bën për shkollim”, – tha Kaçani. Këta filtra do të përdoren vetëm për të mos cenuar cilësinë, pasi edhe mënyra e pranimeve në universitete për studentët ka qenë e ndryshme.