Skandali i BSH-së/ Dorëhiqet Civici. Guvernatorja Gjoni në Prokurori: Si e zbuluam vjedhjen

0
129

Gëzim Saliu

opinion_adrian_civici Civici jep dorëheqjen si anëtar i KM-së së Bankës, dy arsyet. Kule e Milo: Vendim personal

 Kule: S’ka vendim për dorëheqje në grup. Milo: Vendim personal i Civicit, nuk jam kopja e askujt

 Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Adrian Civici, jep dorëheqjen nga detyra. Përmes një letre dërguar Kuvendit të Shqipërisë si edhe guvernatores në detyrë, Elisabeta Gjoni, Civici bëri të ditura dy arsye lidhur me vendimin e tij. Sipas tij, dorëheqja vjen së pari për t’i hapur rrugë rikonstruktimit e forcimit të Bankës dhe, së dyti, për shkak të arsyeve personale shëndetësore. “Në kuadrin e frymës dhe nevojës për t’i hapur rrugën ristrukturimit dhe forcimit të Bankës së Shqipërisë në detyrat dhe misionin e saj të rëndësishëm si dhe arsye shëndetësore personale, ju njoftoj kërkesën time për të dhënë dorëheqjen nga Këshilli Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Uroj dhe besoj se Banka e Shqipërisë ta rrisë akoma më shumë performancën dhe imazhin në përmbushje të detyrave të saj të rëndësishme”, – shkruante ai në letrën dërguar Kuvendit. Dorëheqja e Civicit vjen pasi ai u paraqit dy ditë më parë në Prokurori së bashku me dy anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës, Petraq Milo dhe Dhori Kule, ku iu përgjigj pyetjeve lidhur me skandalin e vjedhjes në Thesarin e Shtetit të 713 milionë lekëve.

 

Reagimet

Pas kërkesës për dorëheqje të Civicit, nuk munguan dje edhe reagimet e anëtarëve të tjerë të Këshillit Mbikëqyrës, të cilët e cilësuan aktin si vendim personal. Kështu, Dhori Kule bëri të ditur se nuk ka asnjë vendim për dorëheqje në grup të anëtarëve të KM-së së Bankës. “Nuk ka vendim për dorëheqje në grup të anëtarëve. Tashmë është situatë tjetër dhe nuk është problem dorëheqja, por mbajtja e sistemit nën kontroll, që të mos ketë probleme. Ne kemi përgjegjësi për Bankën dhe sistemin. Jemi në proces hetimi, kemi dhënë deklarimet në Prokurori”, – tha ai për “News 24”. Ndërsa sa i përket çështjes së zgjedhjes së guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, Kule thekson se ai do zgjidhet siç e parashikon ligji dhe Kushtetuta. Në të njëjtën linjë me Kulen ishte edhe anëtari tjetër i KM-së, Petraq Milo, i cili theksoi: “Ai është një vendim personal i Civicit. S’mund të jap asnjë koment. Unë nuk jam kopja e askujt”. Dy ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës dhanë dëshminë për skandalin e vjedhjes nga departamenti i Thesarit, tre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Petraq Milo, Dhori Kule dhe Adrian Civici. Të tre anëtarët kanë dhënë deponimet e tyre të pyetur lidhur me nismat ligjore të marra për funksionimin e departamentit të Emisionit, për aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e këtij departamenti apo urdhrat dhe udhëzimet e nxjerra nga Banka e Shqipërisë në përmbushje të vendimit numër 13 datë 22 shkurt 2006 për funksionimin normal të tij. Gjithashtu, ata janë pyetur edhe për aktet e procedurat në lidhje me sigurinë e mjediseve të seksionit, por edhe për rrethana të tjera që rezultojnë nga dinamika e hetimit. Po ashtu, tre anëtarët u dhanë përgjigje pyetjeve edhe për mënyrën se si merreshin vendimet në Bankën e Shqipërisë dhe nëse këta të fundit si kontrollorë të Bankës dhe guvernatorit a kanë pasur ndonjëherë informacion në lidhje me shkeljet e konstatuara në Bankë.

 

 Konferenca e Berlinit/ Bushati, sot seancë dëgjimore në Komisionin e Politikës së Jashtme

Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme zhvillon sot një seancë dëgjimore me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, lidhur me punimet e Konferencës për Ballkanin Perëndimor të organizuar në Berlin më 28 gusht. Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se sot në orë 09:30 ministri Bushati është thirrur për të raportuar para deputetëve rreth rezultateve të këtij forumi dhe perspektivës që ai ofroi për vendet e rajonit. Konferenca e Berlinit, e iniciuar nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel, mblodhi kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me synimin për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit evropian të rajonit përmes projekteve ekonomike që i kontribuojnë zhvillimit të shpejtë të tij. Në deklaratën e përbashkët të nënshkruar në Konferencën e Berlinit theksohej se Ballkani Perëndimor do të hyjë në një proces katërvjeçar të bashkëpunimit dhe asistencës së ngushtë nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian. Gjermania, Austria dhe Franca janë shtetet që do ta menaxhojnë dhe monitorojnë këtë proces. Nga viti 2014 deri në vitin 2018, do të kërkohet progresi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ku do të zhvillohet konferencë e përfundimeve të rezultateve të bashkëpunimit për çdo vit.

 

 Konferenca në Bukuresht/ Kryetarja e KQZ-së: Duhen ndryshime në Kodin Zgjedhor

Kur duhen më pak se 9 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi, kërkon ndryshime të Kodit Zgjedhor. Pjesëmarrëse në Konferencën e 23-të Vjetore dhe Takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Zyrtarëve Zgjedhore Evropianë (ACEEEO), e cila zhvilloi punimet në datat 4-6 shtator në Bukuresht të Rumanisë, ajo prezantoi për pjesëmarrësit angazhimin e KQZ-së për trajtimin së bashku me të gjithë aktorët e fushës, përfshirë dhe përfaqësuesit e partive politike, të dobësive të dëshmuara të sistemit, “të cilat zbehin përfaqësimin e grave në çdo etapë të procesit zgjedhor, si dhe gjetjet për përmirësimeve të mundshme të Kodit Zgjedhor, implementimi i të cilave garanton përfaqësimin e grave barazisht me burrat jo vetëm si kandidate, por dhe si e zgjedhur në organet legjislative dhe ato të qeverisjes vendore”. Në këtë kuadër, pjesëmarrësit në konferencë theksuan se e drejta e për të votuar e grave duhet të sigurohet pa asnjë lloj diskriminimi dhe trupat e menaxhimit të zgjedhjeve luajnë një rol të rëndësishëm në këtë aspekt. Nga ana tjetër në fjalën e saj kryetarja e KQZ-së evidentoi arritjet që solli ligji për barazinë gjinore si dhe përfshirjen e kuotave në kodin zgjedhor, kuadër ligjor i cili dyfishoi përfaqësimin e grave në organet e zgjedhura, si dhe analizoi sjelljen e aktorëve të ndryshëm ndaj këtyre ndryshimeve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency