Shpëtim Ziza tenton përsëri të varë veten në qeli

0
125

Rreth tre muaj më parë, u vra vëllai i të dënuarit për përdhunimin e një të mituri

shpetim zizaShpëtim Ziza, i dënuar për përdhunimin e një të mituri, ka tentuar në mënyrë të përsëritur t’i japë fund jetës, duke u varur në qelitë e burgut të Zaharisë. Burime nga policia bënë të ditur se 26-vjeçari Ziza tentoi të varej me çarçaf, por është shpëtuar nga roja i burgut.

Shpëtim Ziza ka tentuar të paktën dy herë të vrasë veten në burg. Dy vjet pas krimit për të cilin akuzohet, ai ka prerë damarët në qeli dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e burgut të Krujës, ndërsa vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë të këtij rrethi.

Nëna e tij, e cila ka konfirmuar lajmin, u shpreh se kërkon të zbardhen autorët e vërtetë të ngjarjes, duke pretenduar se i biri është i pafajshëm.

“Ai vazhdimisht ka tentuar të vrasë veten në burg dhe thotë ‘jam i pafajshëm’. Ai është në gjendje të rëndë, në depresion, me ilaçe. Atë po e le kështu, o do varë veten, o do pritet me brisk. Kam kontaktuar me drejtorin e burgut dhe ai më ka thënë ‘a ka mundësi të vish përditë që ta qetësosh’”, – është shprehur nëna e Zizës.

Shpëtim Ziza është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 10-vjeçarit Besim Çenga, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 2007. Ai e ka pranuar krimin, duke pohuar se e kishte përdhunuar vogëlushin dhe më pas e kishte mbytur me lidhëse këpucësh. Policia tha se Shpëtim Ziza, në atë kohë 19 vjeç, është një i sëmurë psikik me kartelë mjekësore. Trupi pa jetë i 10-vjeçarit Besim Çenga u gjet në një përrua afër fshatit Tomin të rrethit të Dibrës, 7 km larg Peshkopisë, 5 ditë pas zhdukjes më 23 tetor 2007. Ai ishte fëmija i madh i shtetasit Ylli Cenga, banor i lagjes ‘Kamen’ të qytetit të Peshkopisë. Sipas vendimit të gjykatës, Shpëtim Ziza kishte mashtruar 10-vjeçarin duke e ftuar të shkonte me të për të luajtur, ndërsa prej 5 ditësh fëmija nuk ishte thyer në shtëpi.

Rreth tre muaj më parë, u vra në Tiranë Saimir Ziza, vëllai i të dënuarit Shpëtim Ziza. Ngjarja ndodhi në rrugën “5 Maji”, në zonën e tregut të Medresesë, ku Saimir Ziza është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë. Lidhur me këtë ngjarje burime policore bënë të ditur ka shoqëruar disa persona për të grumbulluar informacione rreth këtij krimi, e cila ende nuk ka një autor.

 

Prangosen dy persona, merrnin nga 40 mijë lekë për një patentë

Dy persona, të cilët akuzohen se kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme për t’u siguruar klientëve të tyre shpalljen fitues në provimin teorik për lejen e drejtimit, janë prangosur mbrëmjen e së hënës, nga sektori i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës. Burime të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës bënë të ditur se operacioni policor i koduar “Lejet e drejtimit”, nga sektori kundër Krimit Ekonomik Financiar u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve, Ilia Brahim Ameti, 64 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, me detyrë instruktor pranë një autoshkolle, si dhe Astrit Hamit Hima, 44 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie pranë Policisë Ushtarake në Tiranë. Instruktori i autoshkollës dhe punonjësi i Policisë Ushtarake në Tiranë kanë rënë në pranga për akuzën “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Të njëjtat burime saktësuan se arrestimi i tyre u krye, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se u kërkonin dhe merrnin përfitim të paligjshëm në vlerën 40.000 lekë kursantëve të ndryshëm, me qëllim ndërhyrjen pranë anëtarëve të komisionit dhe shpalljen fitues në provimin teorik për lejen e drejtimit. Në momentin ndalimit, atyre iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dosje të ndryshme kursantësh, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash. Materialet ju kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

 

Korçë/ Var veten në rrethana misterioze 52-vjeçari

Një burrë i moshës 52-vjeçare është gjetur i varur në banesën e tij në qytetin e Korçës, në rrethana misterioze. Trupi i pajetë i viktimës, i cili është identifikuar me inicialet N. M., është gjetur dy ditë më parë nga familjarët në garazhin e makinës në banesën e tij, në lagjen 4. Janë ende të paqarta arsyet e një veprimi të tillë. Trupi i 52-vjeçarit u transportua për në morgun e spitalit të Korçës, ku u kryen veprimet e para hetimore. Policia bëri të ditur se po punon për zbardhjen e çështjes.

 

Tiranë/ Zjarr në banesë, një i lënduar lehtë

Një zjarr i fuqishëm ka rënë në një banesë në kryeqytet, në zonën e Unazës së Re. Si pasojë e flakëve të zjarrit një person ka mbetur i lënduar, për shkak të asfiksisë. Nga të dhënat paraprake mësohet se i dëmtuari ishte brenda banesës në kohën që ka rënë zjarri, krejt befasisht. Drejt vendit të ngjarjes kanë mbërritur efektivët e policisë si dhe forcat zjarrfikëse të cilat kanë vënë nën kontroll zjarrin si dhe për të zbuluar shkaqet e rënies së tij. Ndërsa i dëmtuari ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency