Seanca e të enjtes/ “Skandali në Bankën e Shqipërisë”, Kuvendi gati plotësimin e vakancave

0
121

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së u vendos që Kuvendit t’i propozohet shkarkimi i guvernatorit Fullani

seanceparlamentKuvendi i Shqipërisë pritet të nisë këtë të enjte procedurat për plotësimin e vendeve vakante në Bankën e Shqipërisë. Dy ditë më parë kjo çështje u trajtua në mbledhjen e grupit parlamentar socialit ku nuk munguan dhe debatet mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të PS-së, lidhur me procedurat që do të ndiqen për situatën e krijuar në Bankën e Shqipërisë pas vjedhjes që u konstatua në fillim të muajit gusht. Pas arrestimit të ish-guvernatorit Ardian Fullani dhe inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi pak ditë më parë, Kuvendi pritet të nisë procedurat për zbatimin e vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës u mor vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e guvernatorit Fullani, ndërkohë që me vota unanime u zgjodh si guvernatore në detyrë Elisabeta Gjoni. Pas emërimit të Gjonit në krye të Bankës së Shqipërisë nga Këshilli Mbikëqyrës, kjo e fundit ka zhvilluar një sërë takimesh me krerët e shtetit si Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin. Ndërkaq, një ditë më parë dha dorëheqjen edhe anëtari i këtij Këshilli, Ardian Civici, duke krijuar një tjetër vakuum në kupolën e Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë, edhe pse ligji për Bankën e Shqipërisë ka të përcaktuar qartë procedurat që duhet të ndjekë Kuvendi pas shkarkimit të guvernatorit nga Këshilli Mbikëqyrës, Prokuroria nga ana tjetër po vazhdon hetimet ku pas arrestimeve të bujshme të guvernatorit Fullani dhe inspektores Golemi, janë marrë në pyetje edhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së. Në ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, në kapitullin për funksionimin dhe organizimin e Bankës, janë të përcaktuara të gjitha rastet kur guvernatori, zëvendësguvernatori si edhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës mund të shkarkohen nga Kuvendi. Ndërsa në nenin 47, pika 3, e këtij ligji theksohet se pas shkarkimit të guvernatorit nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, Parlamenti do të duhet të vendosë brenda një muaj për shkarkimin nga detyra, në rast se kjo nuk ndodh, vendimi cilësohet i pavlefshëm dhe titullari rikthehet në detyrë. “Në rast se anëtari i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët, është pezulluar prej detyrës nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi Popullor nuk e ka shkarkuar brenda 30 ditëve nga pezullimi, atëherë ky pezullim shfuqizohet dhe anëtari i pezulluar rifiton të drejtat dhe detyrimet menjëherë”, – thuhet në këtë nen. Sipas ligjit të Bankës, çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkohet nga Kuvendi, në qoftë se ai ose ajo: a) është në pamundësi për të shërbyer në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, sipas nenit 46; b) është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim; c) është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar I falimentuar dhe nuk është rehabilituar; ç) është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë dhe d) gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency