Projektligji i ri/ Rriten azilkërkuesit për Shqipërinë, komision kombëtar për refugjatët

0
114

Florenc Drizari

komisioni i ligjeveTahiri: Shqipëria, tendencë rritjeje për azil, kostoja 33 mln lekë

Komisioni i Ligjeve miratoi dje projektligjin “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”. Drafti u prezantua para Komisionit nga ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ndërkohë që, sipas zyrtarëve të kësaj Ministrie, shteti shqiptar po ndeshet me një tendencë në rritje për azilkërkuesit e huaj. Edhe pse në projektligj nuk jepen shifra konkrete se sa është numri i atyre që kërkojnë azil në Shqipëri, mësohet se shteti harxhon rreth 33 milionë lekë në vit. Qendra pritëse e azilkërkuesve ka një kosto vjetore prej 10 milionë lekësh, ndërsa shërbime për mallra apo shërbime të tjera shkojnë deri në 22 milionë lekë.

Projektligji “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, i hartuar nga Ministria e Brendshme dhe i miratuar nga qeveria, thuhet se ka për qëllim parashikimin e kushteve e të procedurave për dhënien dhe heqjen e azilit, të drejtat dhe detyrimet e refugjatëve dhe të personave nën mbrojtje të përkohshme e plotësuese. Gjithashtu, në ligj është rishikuar përmbajtje e statusit të refugjatit, e drejta e tyre për bashkim familjar, si dhe parashikimin e kushteve për integrimin e refugjatëve e të personave nën mbrojtje plotësuese në Republikën e Shqipërisë. ministria e Brendshme argumenton se risitë e projektligjit, janë edhe “Përjashtimi nga moskthimi”, në rastet kur ka arsye për ta konsideruar si një rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë ose është dënuar me një vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi të rëndë, për të cilin parashikohet një dënim minimal prej 7 vjetësh me heqje lirie.

 

Tahiri

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë prezantimit të ligjit në Komision, tha se nisma ligjore për azilin në Republikën e Shqipërisë, vjen si rrjedhojë e analizimit të mangësive të kuadrit ligjor ekzistues si dhe konstatimit të disa problematikave të veçanta, të cilat lidhen jo vetëm me procedurën e fitimit të statusit të refugjatit, por edhe me parashikimin e formave të tjera të mbrojtjes ndërkombëtare. Sipas tij, gjatë procesit të përafrimit të ligjit ekzistues mbi bashkimin familjar të personave që kanë përfituar azil, janë konstatuar problematika të cilat nuk mund të gjenin drejtim ose trajtesë të plotë të ndara nga ligji për azilin.
“Zanafillë ose një element tjetër i rëndësishëm që konsiderohet si pjesë e zanafillës për hartimin e këtij projektligji është detyrimi i Republikën e Shqipërisë për të përafruar kuadrin ligjor me legjislacionin e BE-së. Projektligji për Azilin në Republikën e Shqipërisë përmbledh në mënyrë të harmonizuar dy ligje ekzistuese në fushën e azilit, ligji për Azilin në Republikën e Shqipërisë dhe ligji për Integrimin dhe bashkimin familjar të personave që kanë përfituar azil në Republikën e Shqipërisë, duke konsoliduar rregullat në fushën e azilit dhe të mbrojtjes ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë.
Risitë kryesore të këtij p/ligji, përveç, siç e thashë, përafrimit me legjislacionin e BE-së, në konsultim të vazhdueshëm edhe me partnerët ndërkombëtarë, përveçse integron të dy p/ligjet që përmenda më sipër, fut edhe një sërë nocionesh të reja, të cilët i shërbejnë me mirë mbrojtjes ndërkombëtare për personat të cilët vijnë në Republikën e Shqipërisë”, – deklaroi ministri Tahiri.

Duke konsideruar dhe tendencën në rritje për të huaj që vijnë në Shqipëri, qoftë për azil, qoftë për të fituar statusin e refugjatit, Tahiri tha se projektligji që i është dorëzuar Kuvendit plotëson nevojat për të garantuar mbrojtje të plotë ndërkombëtare për këta shtetas.
Projektligji ngre komisionin kombëtar për azilin dhe refugjatët, i cili pritet të shërbejë si autoriteti i vetëm kompentent vendimmarrës mbi ankimimet kundër vendimeve të autoritetit përgjegjës për azilkërkuesit dhe refugjatët.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, zyrtarët e Ministrisë u treguan të rezervuar për shifrat e azilkërkuesve, ndërsa mësohet se deri në maj të 2013-ës, Shqipëria u ka dhënë azil 89 personave dhe në listën e pritjes kanë qenë rreth 150 vetë.

 “Kryengritja e Postribës”/ Nishani kujton lëvizjen e parë antikomuniste: Diktatura u hakmor, burgosi 1200 shqiptarë

 Me rastin e përkujtimit të 68-vjetorit të Kryengritjes së Postribës, e cilësuar si e para kryengritje antikomuniste në mbarë Evropën Juglindore, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi dje një vizitë në Komunën e Postribës. Kreu i shtetit u prit nga kryetari i Komunës, Faz Shabaj, nga deputetë të zonës dhe përfaqësues të pushtetit vendor: kryetari i Qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, si dhe nga drejtues të Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Pasi u përshëndet ngrohtësisht me banorët e zonës, Presidenti Nishani nderoi kujtimin dhe sakrificat e martirëve dhe qëndrestarëve ndaj diktaturës komuniste duke vendosur një kurorë me lule në memorialin kushtuar të rënëve në Kryengritjen Antikomuniste të Postribës. “Gjatë dhjetëra viteve, propaganda dhe historiografia komuniste bënë çmos ta manipulonin, mundësisht t’ia zhduknin gjurmët dhe ta varrosnin atë që ndodhi këtu në Postribë 68 vite të shkuara në shtatorin e vitit të largët 1946. Diktatura u hakmor ndaj Kryengritjes së Postribës me zjarr dhe hekur në mënyrën më kriminale, më rrëqethëse, më shtazarake; duke pushkatuar dhjetëra burra e gra, dhe duke internuar e burgosur mbi 1200 shqiptarë të mirë të tjerë. Por Kryengritja e Postribës e konceptuar nga një grup intelektualësh patriotë për t’u shtrirë përveç Postribës dhe Shkodrës, edhe në Dibër, edhe në Mirditë, edhe në Kosovë, i dha diktaturës një goditje shumë të madhe”, – deklaroi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

 

Takimi me biznesin, Arvizu: Rimëkëmbja ekonomike nuk është aq e shpejtë sa pritej

 Ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, dhe drejtorja ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit të Korçës. Arvizu ka theksuar se për të nxitur bizneset e huaja që të investojnë në Shqipëri, nevojitet më shumë transparencë. “Korça është një qendër e rëndësishme e kulturës, traditës dhe tregtisë. Edhe biznesi ka pasur një zhvillim të madh, dhe prandaj ne duam të përqendrohemi sërish në këtë zonë. Për këtë arsye, dëshiroj që të zhvillojmë së bashku një diskutim lidhur me tendencën e zgjerimit të biznesit në kohët e fundit, duke parë që rimëkëmbja ekonomike nuk është aq e shpejtë sa pritej, por që duket se ka nisur. Veçanërisht jam i interesuar për të folur mbi çështjen e decentralizimit dhe temat që lidhen me reformën territoriale administrative”, – deklaroi Arvizu.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency