Deklarata në Berlin/ Kryeprokurori LLalla: “Zyrtarë të nivelit të lartë, nën hetim për korrupsion”

0
134

Adriatik Llalla ne RumaniProkurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla merr pjesë në konferencën “Mbi korrupsionin dhe shoqërinë”, të zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë, në kuadër të 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit

 “Krahas çështjeve që janë në gjykim, autoritetet hetimore shqiptare kanë nën hetim një numër të konsiderueshëm zyrtarësh, kryesisht të nivelit të lartë, që dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës”.

Këtë deklaratë ka bërë prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në fjalën e mbajtur në konferencën “Mbi korrupsionin dhe shoqërinë”, të zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë, në kuadër të 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Duke prezantuar kontributin e institucionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, vuri në dukje se Shqipëria ka bërë hapa shumë të mëdhenj në sistemin e drejtësisë 25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri.

Sipas zyrës së shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se Llalla u ka bërë të ditur të pranishmëve dy nga prioritetet aktuale të Prokurorisë Shqiptare:luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai ka folur për rezultatet konkrete, kryesisht në nivele të mesme dhe të larta të administratës, publike dhe shtetërore.

 

Lufta kundër korrupsionit

Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë u shpreh para të pranishmëve për rezultatet konkrete, kryesisht në nivele të mesme dhe të larta të administratës publike dhe shtetërore.

“Aktualisht, krahas çështjeve që janë në gjykim, autoritetet hetimore shqiptare kanë nën hetim një numër të konsiderueshëm zyrtarësh, kryesisht të nivelit të lartë, që dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës”, – theksoi z. Llalla.

Prokurori i Përgjithshëm, duke u bërë të ditur të pranishmëve se legjislacioni shqiptar tashmë e konsideron korrupsionin krim të rëndë, i cili hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda, deklaroi se kjo strukturë e posaçme po përballet me një fluks gjithnjë e në rritje të investigimit në këtë drejtim. “Ka pak më shumë se tre muaj që korrupsioni i zyrtarëve të lartë është kompetencë e hetimit nga Prokuroria për Krime të Rënda në Shqipëri. Nga volumi i deritanishëm i punës, vlerësohet se është e nevojshëm shtimi i kapaciteteve njerëzore, pasi numri i hetimeve për korrupsionin në nivele të larta po pëson një rritje të ndjeshme”.

Më tej, Llalla, vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin ndërinstitucional në luftën kundër korrupsionit.

“Kam rreth dy vjet në pozicionin e prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë dhe konstatohet se po konsolidohet ndjeshëm komunikimi ndërmjet institucioneve ligjzbatuese. Shqipëria tashmë ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe lufta kundër korrupsionit konsiderohet prioritet kombëtar”, – u shpreh prokurori i Përgjithshëm.

 

Krimi i organizuar

Nga ana tjetër, fokusi i prezantimit të Prokurorisë Shqiptare në takim ishte edhe tek lufta kundër krimit të organizuar. Për të përballuar këtë sfidë që i kalon kufijtë e një shteti, prokurori i Përgjithshëm vuri theksin te bashkëpunimi ndërkombëtar.

“Në bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria po punon për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore. Këto struktura janë një mënyrë efikase e komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet shteteve të ndryshme për luftën kundër trafiqeve dhe krimit ndërkufitar”.

Konferenca e Bukureshtit është organizuar nga Komisioni Parlamentar i Rumanisë për Aksesin në Zonën Shengen, në bashkëpunim me Institutin “Aspen” të Rumanisë, Lëvizja “Noastra” në Rumani, Shoqëria Akademike, Fondacioni për Zhvillim Partneriteti, si dhe me mbështetjen e qeverisë së Rumanisë, Ministrisë së Drejtësisë, Komisioni Evropian në Bukuresht, Ambasada Italiane në Bukuresht si dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Rumani.

Konferenca kishte në fokus transparencën dhe antikorrupsionin në vendet post-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore. Në këtë aktivitet, ku përshëndetën zyrtarët më të lartë të Rumanisë, morën pjesë personalitete të vendeve të ndryshme, titullarë të institucioneve në vendet e Evropës, gjyqtarë, prokurorë, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë si Komisioni i Bashkimit Evropian, Departamenti i Shtetit, OECD, Banka Botërore, Këshillit i Evropës etj.

 

 Katër muaj më parë/ Llalla: Dosjet që po hetojmë do të ndryshojnë të ardhmen e vendit”

Dosjet që ka nën hetim Prokuroria Shqiptare do të ndryshojnë të ardhmen evropiane të vendit. Deklarata “bombë” u bë rreth katër muaj më parë nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla gjatë një takimi të zhvilluar me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, si dhe me drejtues të prokurorive të rretheve gjyqësore dhe drejtorëve të policisë së qarqeve. Sipas tij, këto janë dosje të rëndësishme që do të sjellin rezultate të mëdha.

“Kemi në proces hetimi mjaft raste të rëndësishme, të cilat nëse do të rezultojnë të suksesshme, mund të kenë ndikim të rëndësishëm në të ardhmen evropiane të vendit”, – pati thënë Llalla gjatë takimit.

“Falë bashkëpunimit tonë janë vendosur para përgjegjësisë penale gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të niveleve të ndryshme, grupe kriminale e shumë të tjerë”, – theksoi Llalla në fjalën e tij.

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në fjalën e tij në këtë takim bëri të ditur gjithashtu: “Janë në zhvillim disa hetime, të cilat nëse do të rezultojnë sipas parashikimeve, do të dëshmojnë për forcën reale goditëse të strukturave ligjzbatuese në Shqipëri”.

Duke e cilësuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit si prioritet kryesor, prokurori i Përgjithshëm vlerësoi bashkëpunimin me policinë për sukses në këtë lutë.

“Prokuroria dhe Policia e Shtetit janë në linjën e parë të përballjes me persona që priren nga veprimet antiligjore. Prokurorët në të gjithë Shqipërinë po dëshmojnë se vetëm falë bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe orientimit në veprimtarinë tuaj, mund të kemi sukses në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Luftë e cila mbetet një ndër prioritet kryesore për integrimin evropian të vendit”, – theksoi Prokurori i Përgjithshëm.

 

Raport, vendi ynë i treti në listë, pas Vietnamit dhe Nigerisë/  Rritet trafikimi i qenieve njerëzore nga Shqipëria drejt Anglisë

Trafikimi i qenieve njerëzore drejt Anglisë sa vjen dhe rritet nga viti në vit. Në një raport të fundit i përgatitur nga 50 ekspertë që merren më këtë çështje ka treguar se në Cardiff trafiku i qenieve njerëzor është duke u rritur nga viti në vit, me gratë që shfrytëzohen për prostitucion dhe fëmijët që detyrohen të punojë. Sipas shifrave që jep raporti, pas Vietnamit dhe Nigerisë në listë është Shqipëria, ku janë regjistruar 25 raste të trafikimit. Nga Vietnami janë zbuluar 96 raste të trafikimit, e ndërsa nga Nigeria 67 raste. Raporti thekson se numri i fëmijëve në rrezik është dyfishuar. Raporti flet për grupe të organizuara, banda kriminale që merren me trafikimin e qenieve njerëzore drejt Anglisë. Fëmijët punësohen në “fabrika” për të pastruar kanabisin thekson raporti. Sa i përket femrave ato në të shumtat e rasteve përdoren për prostitucion. Një tjetër problem është dhe vazhdimi i seancave gjyqësore të cilat zgjasin me vite dhe në shumë raste viktimat e dhunuara nuk fshehin tutorët e tyre nga frika.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency