Biletë/ Për një shkencë e arsim të epokës të gurit

0

Artan FUGA

Artan_FugaCa reformatorë, edhe kërkimin shkencor po na propozojnë të na e organizojnë përsëri me institute kërkimore të ndara e të veçuara. Instituti i historisë, instituti i letërsisë, instituti i gjuhësisë, instituti i kallkanit veç, i bronzit veç, i qumështit veç. Duan të na bëjnë shkencën e epokës të gurit, mentalitete të viteve ‘60 të shekullit të kaluar. Po përse o të uruar reformatorë na ktheni dyqind vite pas në kohën e pozitivizmit ogystkontian. Po përse o të uruar e dënoni kombin me injorancë? Po kujt t’i thuash se? Po kush të dëgjon se? Po kush ta ka ngenë se? Po kush kupton se? Kujt t’i flasësh për logjikat e reja postaristoteliane në shkencë, po për epistemologjinë postogystkontiane?

Tmerr, shkenca ka gjasa të reformohet në mënyrë antishkencore, veçse nëse dikush i thotë “jo” këtij propozimi retrograd që e lë kombin pa dije, pa dritë dhe e fut në qorrsokakun e dijes. Çfarë e pengon punësimin e të diplomuarve universitarë?

E pengon formimi i tyre, sepse bëhet në format humaniste, deskriptive, thjesht rrëfyese e teorike, dhe jo pragmatiste, sikurse ishte shkolla e viteve ‘50 dhe ‘60. Dhe kryesorja, sepse fakultetet janë të ndara si me thikë prej njëri-tjetrit, edhe departamentet, si agjenci të mbyllura, sikurse janë burgjet, konservat (thoshte Sartri), shtetet totalitare…

Tani edhe ca reformatorë edhe shkencën duan të na e bëjnë përsëri si në shekullin e 19-të, me institute të ndara, si kampe përqendrimi, veç historia, veç dreqi me të birin. Po na kthejnë në epokën e gurit. Mungon formimi ndërdisiplinar, pse ndryshe martesa e shkencave klasike me teknologjitë e reja si edhe me shkencat e tjera. Si mund të gjejmë punë në shekullin XXI sipas një formimi të bërë me logjikën e shkencave të izoluara (alla ogystkontiane të shekullit 19?) E pamundur. Digjet studenti qysh ditën e parë të shkollës.