Nëntor-dhjetor/ Rinisin provimet e shtetit, datat për profesionet e lira

0
153

provimi matura“Kandidati ka të drejtë të japë provimin e shtetit jo më shumë se pesë herë. Kur provimi është kryer me sukses, nuk lejohet të përsëritet”

 Nga data 15 nëntor deri në 20 dhjetor, të gjitha profesionet e lira do të testohen në provimin e shtetit. Provimi për profesionin e farmacistit do të zhvillohet nga data 17 nëntor deri në 15 dhjetor. Urdhri i Farmacistit bën me dije se dorëzimi i dosjeve të praktikantit duhet të bëhet deri në 14 tetor. Provimi i aftësimit praktik (VAP) do të organizohet nga data 15 – 19 tetor 2014.

 

Dokumentet

Dorëzimi i dokumenteve për provim shteti, për studentët të cilët e kalojnë me sukses provimin e aftësimit praktik, do të bëhet ditën e provimit të aftësimit praktik. Për personat përsëritës afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve për provim është data 25 tetor 2014. Dokumentet që duhet të dorëzoni, nëse hyni për herë të parë ne provim shteti, janë: Formular aplikimi, fotokopje e kartës së identitetit, fotokopje e noterizuar e diplomës universitare dhe listë notash, fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës, dëshmi e pjesëmarrjes në praktikën profesionale (lëshuar nga UFSH në momentin e kalimit me sukses të provimit të VAP), dëshmi e kursit të ndihmës së shpejtë (lëshuar nga Kryqi Kuq Shqiptar), raport mjeko ligjor, dëshmi penaliteti, vërtetim nga Prokuroria e rrethit qe nuk është në ndjekje penale, fatura e pagesës për provimin e shtetit (në nr. e llogarisë dhënë nga AKP), 2 fotografi. Personat përsëritës që dëshirojnë të hyjnë në provimin e shtetit për sezonin nëntor 2014 duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë: raporti mjeko-ligjor, dëshmi penaliteti, vërtetim nga Prokuroria që nuk është për ndjekje penale, fatura e pagesës për provimin e shtetit, dy fotografi të formatit të pasaportës.

 

Kriteret

Pjesëmarrja në provimin e shtetit lejohet vetëm nëse kandidati ka marrë provimin e diplomës universitare, të parashikuar në ligjin nr. 9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Për paraqitjen në qendrat e provimit, kandidatët duhet të kenë parasysh: të jenë të pajisur me letërnjoftim ose pasaportë në provimin e shtetit, të jenë të pajisur me vërtetim regjistrimi, të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit, të jenë të pajisur me mjetet e nevojshme për zhvillimin e provimit si dhe ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit. Kandidati ka të drejtë të japë provimin e shtetit jo më shumë se pesë herë. Kur provimi është kryer me sukses, nuk lejohet të përsëritet.

 

Datat e praktikës

Data 15.10.2014 do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 1379 – 1418

Data 16.10.2014 do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 1419 – 1458

Data 17.10.2014 do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 1459 – 1498

Data 18.10.2014 do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 1499 – 1538

Data 19.10.2014 do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 1539 – 1578

Data 20.10.2014 do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 1579 – 1585 si dhe praktikantët e prapambetur.

 

Barnat/ Shtrenjtohet çmimi për njësi pas heqjes së TVSH-së në prill!

Importet e produkteve farmaceutike kanë shënuar një rritje në gjashtë muajt e parë të këtij viti, për herë të parë që nga 2011-ta, sipas statistikave të detajuara nga INSTAT-i. Për periudhën janar – qershor 2014, produktet farmaceutike të importuara arritën në 10.1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 18% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje vjen pas një periudhe dy vjeçare, ku tregu i importeve të barnave kishte shënuar një periudhë staniacioni. Sipas muajve, importet e produkteve farmaceutike janë rritur me ritme të shpejta në periudhën prill-qershor, që përkon me kohën e heqjes së TVSH-së prej 10% të barnave. Bie në sy, që rritja e importit të vlerën totale ka ardhur në pjesën më të madhe nga shtrenjtimi i çmimit për njësi të barnave të importuara (vlera totale/kg) sesa nga rritja e sasisë së barnave të importuara, duke mos reflektuar ndonjë shtim të ndjeshëm të konsumit. Në sasi, importet për gjashtë mujorin janë rritur me vetëm 6%. Nga të dhënat e detajuara rezulton se pas muajit prill barnat e importuara kanë qenë më të shtrenjta për [do njësi të importuar.

 

INSTAT/ Rritet inflacioni, arrin në 2%, shtrenjtohen ushqimet

Inflacioni me bazë vjetore ka arritur në muajin gusht nivelin më të lartë që nga shkurti i këtij viti, duke rezultuar në kufirin e poshtëm të objektivit minimal të Bankës së Shqipërisë prej 2-4%. Që nga muaji mars, norma vjetore e ndryshimit të çmimeve kishte qëndruar nën 2%. INSTAT raportoi se Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin gusht 2014, arriti 116,0% kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 2007=100). Në muajin gusht 2014 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,0%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,2%. Krahasuar me muajin gusht 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 7,8%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 7,1%,“Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,9% etj. Ndërsa ulja me e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shëndeti” me 5,6% pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 2,3%, “Komunikimi” me 0,8% etj. Rritja vjetore në muajin gusht është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,25 pikë përqindje. Në këtë grup çmimet e nëngrupit “Zarzavate” janë rritur me 25,6% dhe nëngrupit “Fruta” me 7,0%. Çmimet e nëngrupit “Vajra dhe yndyra” u ulën me 6,2%, pasuar nga nëngrupi “Sheqer e ëmbëlsira” me 3,3%, “Kafe, çaj e kakao” me 2,9% etj. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me 0,38 pikë përqindje. Rritja e çmimeve të grupit “Pije alkoolike dhe duhan” ka kontribuar me 0,26 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Krahasuar me një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 12,1%. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me 0,18 pikë përqindje. Në muajin gusht 2014 ndryshimi mujor i indeksit është 0,1%. Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike me 0,07 pikë përqindje. Çmimet e nëngrupit “Peshk” u rritën me 1,9% dhe nëngrupit “qumësht djath e vezë” me 1,0%. Nga ana tjetër çmimet e zarzavateve u ulën me 0,6% dhe frutave me 0,1%. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” ndikuan me – 0,01 pikë përqindje në ndryshimin mujor.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency