Me dyer të mbyllura/ Basha mbledh kryesinë e PD-së, diskutimet për Bankën. Grupet e punës për referendumet

0
85

Gëzim Saliu

 grupi i pdKreu i PD-së takon Nishanin: Pavarësia e BSH-së dhe qëndrueshmëria e politikës monetare, jetike

 Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mblodhi dje në selinë blu kryesinë e grupit parlamentar të forcës më të madhe në opozitë, ku në qendër të diskutimit ishte situata në Bankën e Shqipërisë si edhe ngritja e grupeve të punës për kundërshtinë ndaj projektligjeve të mazhorancës qeverisëse si edhe për zhvillimin e referendumeve lokale. Në këtë mbledhje të zhvilluar me dyer të mbyllura, ku merrte pjesë edhe kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, mësohet se është rikthyer edhe diskutimi për bojkotin parlamentar, ku është nënvizuar domosdoshmëria e reagimit të mazhorancës për aktet e rënda të paligjshmërisë në Kuvend. Lidhur me çështjen e Bankës, duket se demokratët janë të vendosur tek qëndrimi i tyre parimor për ruajtjen e pavarësisë së institucionit si edhe qëndrueshmërinë e politikës monetare. Ndërkaq, sa u përket grupeve të punës, të cilat janë ndarë sipas komisioneve parlamentare përkatëse, pritet që secili prej tyre të shqyrtojë çdo ligj dhe vendim të qeverisë, duke dhënë njëkohësisht edhe argumentet e kundërshtimit të nismave të shumicës. Edhe pse opozita jashtë parlamentit duket se do të ketë vështirësi sa i përket mos pjesëmarrjes direkte në komisione, duket se forma alternative e përzgjedhur do të mund të paktën të bëjë që pakica të jetë e pranishme në jetën politike parlamentare, duke shprehur mendimin e qëndrimin për çdo ligj. Po ashtu mësohet se pjesë e diskutimit në mbledhjen e kryesisë ishte edhe ngritja e grupeve të punës për referendumet lokale që do të zhvillohen në qytetet e ndryshme të vendit kundër hartës së re të ndarjes së territorit. Partia Demokratike ka bërë të ditur se do të jetë në krye të të gjitha referendumeve lokale që do të zhvillohen në njësitë e ndryshme administrative që kanë shprehur kundërshti të hapura ndaj ndarjes së re, duke nënvizuar kritikat e tyre për mungesën e konsulencës me qytetarët, aspektet diskriminuese si edhe mungesën e transparencës. Po ashtu, krahas referendumeve lokale, PD ka vendosur ta dërgojë reformën administrative territoriale në Gjykatën Kushtetuese, pasi, sipas demokratëve, me këtë ndarje mazhoranca ka shkelur disa nga nenet e ligjit themeltar të vendit.

 

Takimi me Nishanin

Pas mbledhjes së kryesisë, kreu i PD-së, rreth orës 12:30, iu drejtua Presidencës, ku zhvilloi dje një takim me kreun e shtetit Bujar Nishani. Në qendër të takimit mes kreut të opozitës dhe Presidentit të vendit ishte situata në Bankën e Shqipërisë pas arrestimit të ish-guvernatorit Fullani. Sipas njoftimit të selisë blu, Basha ka vlerësuar rolin e Nishanit në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend. Nga ana tjetër, ai theksoi qëndrimin e opozitës se garantimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin dhe qëndrueshmëria e politikës monetare janë të një rëndësie jetike për ekonominë e vendit dhe të qytetarëve. Ndërkaq, dy ditë më parë, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me kreun e shtetit, ku në pikëpamjet e tyre, si Rama ashtu edhe Nishani, kanë qenë konvergjentë lidhur me domosdoshmërinë e sigurimit të një vijimi sa më të qëndrueshëm të punës së Bankës së Shqipërisë.

 

Reagimi/ PD: Rama flet për drejtësinë, kur ka inkriminuar Kuvendin dhe administratën

Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Rama se po e nis vitin e dytë të qeverisjes me një mazhorancë të inkriminuar. Duke marrë shkas nga deklarata e kreut të qeverisë për situatën në Bankën e Shqipërisë dhe drejtësinë, PD theksoi se Rama nuk mund të flasë për një mazhorancë dinjitoze, kur shqiptarët, sipas demokratëve, kanë parë prova dhe fakte për të kundërtën. “Edi Rama po nis vitin e dytë të legjislaturës me një mazhorancë të inkriminuar. Teksa ka në krah deputetë të dënuar për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, Rama po rrit ekspansionin në kapjen e institucioneve dhe të drejtësisë. Ai e quan mazhorancën dinjitoze, por ndërkohë të gjithë shqiptarët e kanë parë malin e provave dhe të dokumenteve zyrtare, që dëshmojnë të kundërtën. Dosje tronditëse, për krime ngjethëse të kryera nga deputetë, që vetë Rama me firmën dhe vulën e vet i dha mandat e imunitet parlamentar”, – theksoi PD. Më tej, forca më e madhe në opozitë theksoi se nuk mund të flasë për drejtësinë Kryeministri që i hapi rrugë deputetit të dënuar me 7 vite burg nga drejtësia italiane për krime të rënda. “Flet për drejtësinë një Kryeministër që ka bërë drejtorë, shefa, kryetarë të këshillit të qarkut, persona me të shkuar kriminale, të njohur nga drejtësia dhe të njohur mirë dhe nga qytetarët për bëmat e tyre. Dhe është gjëja më e papranueshme se pikërisht ky Kryeministër që themeloi dhe ndau më pas pushtetin me aleancën e krimit, të flasë e të predikojë drejtësinë”, – theksohej në deklaratë, duke shtuar se PD do të bëjë transparencë për interesat e qytetarëve dhe të vendit mbi inkriminimin dhe kapjen e posteve kyçe në administratë nga personat me precedentë penalë.

 

 Armët për Irakun/ Britania e Madhe falënderon Shqipërinë. Cannon: Shembull i solidaritetit me NATO-n

Britania e Madhe falënderoi dje Shqipërinë për kontributin që qeveria po jep për të luftuar terrorizmin në Irak. Ambasadori britanik në Tiranë, Nikolas Cannon, ka theksuar se dhënia e armëve dhe municioneve për forcat kurde në Irak nga Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit me NATO-n. “Britania dhe partnerët e tjerë në NATO, mirënjohje Shqipërisë për dhurimin e shpejtë të armëve. Mirënjohje për kontributin e Shqipërisë për Irakun. Ky është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit të NATO-s”, – tha ai. Shqipëria është një nga 7 vendet që do të ndihmojë me armë Irakun, duke u rreshtuar hapur në krah të vendeve ndërkombëtare që luftojnë të ashtuquajturin Shtet Islamik i Irakut dhe Levantit dhe praktikat e tij barbare e terroriste. Në një deklaratë për mediat pak kohë më parë, qeveria shqiptare bëri të ditur se do të mbështesë edhe me municione qeverinë e Irakut, me qëllim luftimin e kësaj organizate terroriste. “Si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka dhënë që prej orës së parë kontributin e vet në luftën kundër terrorizmit dhe ka qenë e do të jetë pjesë e koalicioneve ndërkombëtare, në Afganistan, Irak e më gjerë, bashkë me vende të tjera aleate dhe partnere”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency