“Guvernatori i ri”/ Diskutimet në grupin e PS, Rama – deputetëve: Jo sulm Këshillit Mbikqyrës

0
136

Florenc Drizari

grupi i socialisteveKryeministri takohet me Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së

 “Asnjë figurë politike, e sotme, e djeshme apo e pardjeshme, nuk është pjesë e këtij procesi”

 Një ditë pas takimeve me Presidentin e Republikës dhe përfaqësuesve të FMN-së, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim edhe me përfaqësuesit e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë.

Duke u dhënë këtyre të fundit mbështetjen e plotë të qeverisë që ai përfaqëson, Rama tha se pas ngjarjeve të ndodhur në Bankën e Shqipërisë, Këshilli “nuk meriton të vuajë asnjë lloj presioni dhe të ndihet në asnjë lloj trysnie, por meriton të mbështetet, të inkurajohet”. Gjatë konferencës që zhvilloi dje në mjediset e Kryeministrisë, Rama përjashtoi që guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë të vijë nga radhët e politikës apo që të ketë qenë pjesë e saj. “Asnjë figurë politike, e sotme, e djeshme apo e pardjeshme, nuk është pjesë e këtij procesi”, – theksoi Rama.

 

Këshilli Mbikëqyrës

Edhe pse nuk foli për emra konkretë, Kryeministri Rama tha se shumica parlamentare nuk do të nxitohet në zgjedhjen e emrit të ri të guvernatorit, ndërsa dha edhe mesazhin “që nuk janë hapur vende pune në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe që nuk është hapur një vend i ri pune për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”. Në fjalën e tij Kryeministri la të kuptohej se ka pasur nxitje dhe shtytje të natyrshme për të shkuar drejt atyre pozicioneve, por: “Ne jemi tërësisht në një mendje se politizimi i këtij procesi dhe profile politike të avancuara në këtë proces do të ishin mungesë vizioni dhe përgjegjshmërie në raport me këtë situatë”, – tha ai.

 

Për Lulzim Bashën

Pyetjes se a do të bashkëpunojë me kreun e opozitës për zgjedhjen e guvernatorit të ri të BSH-së, Rama u shpreh i gatshëm të takohet me Lulzim Bashën, ndërsa shtoi se këtë herë nuk i bën ftesë atij, sepse disa ftesa i janë refuzuar.

“Nëse opozita do ta shohë këtë moment si moment të rëndësishëm për t’iu rikthyer detyrës, sigurisht që ne i mirëpresim dhe unë jam gati të takohem me kryetarin e opozitës apo të Partisë Demokratike, më saktë, për të këmbyer pikëpamje lidhur me këtë. Por s’kam ftesë për të bërë, sepse boll ftesa më janë refuzuar. Ndërkohë, jam i hapur për çdo ftesë dhe çdo komunikim, nëse kanë diçka për të komunikuar dhe për të thënë”, – deklaroi Kryeministri.

 

Shkarkimi i Fullanit

Pas arrestimit të guvernatorit Fullani ditën e premte dhe pas vendimit që mori Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë një ditë më pas, Kryeministri Rama tha se mazhoranca do ta zbatojë vendimin e Këshillit, duke nënkuptuar se Kuvendi i Shqipërisë do të votojë së shpejti shkarkimin e guvernatorit.

“Sot (dje), shumica qeverisëse ka një detyrim që t’i përgjigjet një kërkese që vjen nga Këshilli Mbikëqyrës dhe do t’i përgjigjemi kërkesës që vjen nga Këshilli Mbikëqyrës. Patjetër që do të votojmë kërkesën e Këshillit Mbikëqyrës, vendimin e Këshillit Mbikëqyrës. Sot, është koha, ndaj ne po flasim sot”, – tha Rama. Gjithashtu, Kryeministri shtoi se stabiliteti financiar i vendit është tërësisht i pacenuar dhe i garantuar dhe se BSH do të vijojë të jetë një institucion i pavarur. “Depozitat e shqiptarëve janë 100% të sigurta. Sistemi financiar është 100% solid”, – deklaroi Rama.

 

 Fitorja e kombëtares në Portugali/ Rama: Është e qartë që 11 tetori në Elbasan do të jetë shumë i nxehtë

Pas takimit që zhvilloi në ndërtesën e Bankës së Shqipërisë, Kryeministri Rama konferencën e djeshme me gazetarët e nisi me komentin për fitoren e kombëtares shqiptare në futboll me Portugalinë.

“E di që shumëkush mund të thotë se fitoren e merituan portugezët dhe jo ne, por unë kam mësuar nga një trajner që admiroj, që quhet Jose Mourinho, që është portugez, i cili thotë se “fitoren e meriton kush di ta dojë më shumë”. E, dje, ishin djemtë e veshur me të bardha që kishin vënë mishin dhe shpirtin në fushë, që ia rrëmbyen fitoren Portugalisë dhe na dëshmuan të gjithëve se asgjë nuk është e pamundur, kur japim të gjithë bashkë gjithçka për ta arritur. Tani është e qartë që 11 tetori në Elbasan do të jetë shumë i nxehtë. Pavarësisht rezultatit, cilido qoftë ai, unë dua të uroj me gjithë zemër që kuqezinjtë do të lënë shpirtin në fushë nga minuta e parë deri tek e fundit dhe do të vazhdojnë ta frymëzojnë kombin tonë me përkushtimin e tyre ndaj fanellës. Ne kemi për detyrë sidoqoftë që shtëpia e re kombëtare të jetë plotësisht gati dhe të përçojë atë ditë një imazh të bukur të Shqipërisë mikpritëse”, – theksoi Rama.

 

PS me dyer të mbyllura/ Rama mbledh grupin e PS-së:  Mos sulmoni Këshillin e Bankës

 Braçe: Elizabeta Gjoni, po aq përgjegjëse sa edhe Fullani

 Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, mblodhi dje pasdite grupin parlamentar. Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura pati në fokus të diskutimeve çështjen e Bankës së Shqipërisë. Burime nga PS-ja konfirmojnë se kryesocialisti u ka bërë thirrje deputetëve të majtë që të mos sulmojnë guvernatoren e re apo Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Mësohet se për rreth tre muaj BSH do të jetë nën drejtimin e guvernatores së detyrë, Elizabeta Gjoni, periudhë në të cilën qeveria gjykon se do të bëjë gati zëvendësimin e emrit të ri në krye të Bankës së Shqipërisë. Burime nga mbledhja e grupit kuvendor socialist bëjnë të ditur se është hedhur ideja e një Guvernatori me profil të lartë ndërkombëtar. Mësohet gjithashtu se kryetari i qeverisë të ketë rënë dakord edhe me bashkaleatin e tij të koalicionit qeverisës, ndërkohë që propozimi i tij ka gjetur mbështetjen e gjithë grupit. Një ditë më parë Kryeministri Edi Rama përjashtoi në mënyrë të prerë që guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë të jetë nga radhët e politikës apo të ketë qenë pjesë e saj. Gjatë konferencës së djeshme për mediat Rama tha se asnjë nga figurat e përfolura gjatë këtyre ditëve të fundit në publik, nuk është ndër kandidaturat për kreun e ri të BSH-së.

 

Braçe

Emërimi nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i zonjës Elizabeta Gjoni si guvernatore në detyrë e BSH-së duket se nuk është pritur mirë në radhët e socialistëve. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se Elizabeta Gjoni është përgjegjëse po aq sa guvernatori Fullani për keqadministrimin me pasojë dem të rëndë ekonomik për Bankën. Duke iu referuar dhe takimit që kreu i shtetit Nishani pati dje me zonjën Gjoni, deputeti Braçe thekson se Presidenti i Republikës nuk mund të japë imunitet nga hetimet apo të cenojë hetimet për të. “Po lexoj qe, paska patur nje mori takimesh te nivelit te larte dje, ku shkelqen takimi i Presidentit te Republikes me zevendes.guvernatoren e Bankes se Shqiperise qe kryen detyren e Guvernatorit, Elisabeta Gjoni! E vleresoj shqetesimin e Presidentit per stabilitetin e sistemit financiar ne vend, ne fund duhet te ndodhte dhe kjo.Por ka nje shqetesim edhe me te madh; Ndikimi mbi prokurorine per vijimin e hetimeve dhe çuarjen deri ne fund te nxjerrjes se pergjegjesise penale per cilindo qe ka drejtuar ne banke dhe ka bere faj.Shqip;Elisabeta Gjoni, ne cilesine e zevendesguvernatorit (detyrat e te cilit jane te qarta ne ligj), ne kushtet e mungeses se zevendesguvernatorit pergjegjes per administrimin e Bankes, me pergjegjesi te plote edhe per kete (sipas ligjit), Eshte pergjegjese po aq sa guvernatori per keqadministrimin me pasoje dem te rende ekonmik per banken.Nuk mundet qe Presidenti i Republikes te jape imunitet nga hetimet apo te cenoje hetimet per te!”, – shkruan Braçe në “Facebook”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency