Shkarkimi i Guvernatorit/ Parlamenti duhet të vendosë brenda 1 muaji, parashikimet e ligjit në rast mos pezullimi

0
126

Gëzim Saliu

votim parlamentiBraçe: Komisioni nuk ka ndryshuar axhendë, sot dëgjesë me Ermelinda Meksin dhe Adrian Civicin. Presim propozimin e KM për shkarkimin e Fullanit dhe nisim procedurat për Golemin

Ligji për Bankën e Shqipërisë ka të përcaktuar qartë procedurat që duhet të ndjekë Kuvendi pas shkarkimit të Guvernatorit nga Këshilli Mbikëqyrës.  Në ligjin nr.8269, datë 23.12.1997 për Bankën e Shqipërisë në kapitullin për funksionimin dhe organizimin e Bankës, janë të përcaktuar të gjitha rastet kur Guvernatori, zëvëndësguvernatori si edhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës mund të shkarkohet nga Kuvendi. Ndërsa në nenin 47 pika 3 të këtij ligji theksohet se pas shkarkimit të Guvernatorit nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, Parlamentit do të duhet të vendosë brenda një muaj për shkarkimin nga detyra, në rast se kjo nuk ndodh vendimi cilësohet i pavlefshëm dhe titullari rikthehet në detyrë. “Në rast se anëtari i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët, është pezulluar prej detyrës nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi Popullor nuk e ka shkarkuar brenda 30 ditëve nga pezullimi, atëherë ky pezullim shfuqizohet dhe anëtari i pezulluar rifiton të drejtat dhe detyrimet menjëherë”, thuhet në këtë nen. Sipas ligjit të Bankës, çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkohet nga Kuvendi Popullor, në qoftë se ai ose ajo: a) është në pamundësi për të shërbyer në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, sipas nenit 46; b) është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim; c) është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar I falimentuar dhe nuk është rehabilituar; ç) është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë dhe d) gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike. Sa i përket numrave për shkarkimin e Guvernatorit, Kushtetuta në nenin 78 pika 2 sanksionon se ai mund të bëhet me shumicë të thjeshtë të deputeteve. “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar”, thuhet në nen. Ndërkaq pasi Parlamenti merr vendimin, Kushtetuta mandaton kryeministrin,  për t’i propozuar Presidentit të Republikës,  një emër të ri për drejtimin e Bankës së Shqipërisë, i cili sërish duhet të kalojë në Parlament për të marrë mbështetjen po me shumicë të thjeshtë.

 

Komisioni i Ekonomisë

Nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe deklaroi dje se axhenda nuk ka ndryshuar. Sipas tij, ditën e sotme do të pritet proppozimi i KM-së për shkarkimin e Fullanit, do të nisë procedura për shkarkimin e kryeinspektores Golemi si edhe do të zhvillohet dëgjesa me dy anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, Meksi dhe Civici. “Komisioni i Ekonomisë së Kuvendit nuk ka ndryshuar axhendë. Të hënën (sot) pret të mbërrijë propozimi i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkarkimin e Guvernatorit Fullani. Pret të nisë procedurën për shkarkimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë Golemi. Do të dëgjojë në seancën dëgjimore të lajmëruar një javë më parë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi dhe Adrian Civici. Dëgjesa ka në thelb përmbushjen e dëtyrës së anëtarit të Këshillit Mbikqyrës sipas përcaktimeve të bëra në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, theksoi deputeti socialist Erjon Braçe.

 

Martesa e ministrit Veliaj/ PD: Shpenzimet, një provokim për shoqërinë. Akt mëndjemadhësie

Duke i uruar jetë të lumtur ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliajt për martesën, Partia Demokratike e cilësoi dje këtë event një akt mendjemadhësie. Nga selia blu, koordinatorja për mediat, Silvi Bardhi bëri të ditur se qindra mijëra euro të shpenzuara nga ministri për dasmën e tij, treguan indiferencën e tij për qytetarët shqiptarë. “Partia Demokratike e ka familjen në themelin e vlerave ku ngrihet si forcë politike, dhe si për çdo qytetar tjetër të vendit që martohet, ne i urojmë sot Erion Veliajt të trashëgohet. Krijimi i familjes i bën të rinjtë më të përgjegjshëm, dhe kur ata kanë edhe detyra të larta për të ushtruar, pjekuria dhe maturia janë të mirëpritura. Për fat të keq, Ministri i Mirëqenies Sociale, që prej kohësh, po cilësohet nga gjithkush, si ministri i Mirëqenies Personale, me dasmën e tij, ka dështuar të japë mesazhet e përgjegjshmërisë , maturisë dhe pjekurisë.  Shpenzimet faraonike, paraja lumë rrugëve të Gjirokastrës, përfshirja e strukturave qeveritare dhe e bashkisë atje në organizimin e aktivitetit është një abuzim me pushtetin, është një provokim që i bëhet shoqërisë në ditët më të këqija të ekonomisë dhe gjendjes sociale”, tha ajo. Më tej, koordinatorja për mediat e PD-së theksoi se ministri mund të ketë ftuar një mijë vetë në dasëm e të ketë shpenzuar qindrja mijë euro, por se sipas saj, janë mijëra qytetarë që mezi mbyllin muajin dhe që kanë humbur vendet e punës.  “Ne nuk do të merreshim me dasmën e një ministri, por ishte zgjedhja e tij për ta kthyer këtë event privat, në një akt të pashembullt publik arrogance e mendjemadhësie e shpenzimit të pafre, në ditën kur të gjithë parametrat e ekonomisë së vendit janë përkeqësuar. Teprimit financiar i bashkohet dhe keqpërdorimi i simboleve historike. As bedenat heroike, as Argjiroja nuk i japin dot fisnikëri një dasme të kamur qeveritare”, përfundoi deklaratën e saj Bardhi.  Ministri Erion Veliaj, lidhi kurorë dy netë më parë me Ajola Xoxën, në kalanë e Gjirokastrës, ku kishin organizuar një ceremoni të kuruar deri në detaje. Në ceremoninë martesore morën pjesë rreth 460 të ftuar, ndërsa nuk mungonin ministra, deputetë e ambasadorë të akredituar në vend.

 

 Kreu i LSI-së/ Meta: Mbetemi të hapur për të bashkëpunuar me opozitën, presim rikthimin në Parlament

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta vizitoi dje Shtëpinë e Fëmijëve “Vatra e Ngrohtë” në Gjirokastër dhe mori pjesë në aktivitetet e organizuara nga LRI për pastrimin e disa rrugëve në kuadër të veprimtarive të ndryshme sociale të organizuara në ditën e 10-vjetorit të themelimit të partisë që drejton. I pyetur nga gazetarët në kuadër të nisjes së sesionit të ri parlamentar, se cili do të ishte mesazhi juaj për opozitën, Meta iu përgjigj duke pohuar se mazhoranca mbetet e hapur për bashkëpunim.  “Për opozitën padyshim mbetemi gjithmonë të hapur për të bashkëpunuar për përfshirjen e saj aktive në gjithë axhendën e reformave të vendit dhe mezi presim që ajo të rikthehet në jetën normale parlamentare. Kjo është në të mirë të parlamentarizmit në vend, por është në të mirë do të thosha dhe të afirmimit të opozitës sonë si një opozitë demokratike dhe konstruktive”, tha kreu i Kuvendit. Sa i përket vizitës në shtëpinë e fëmijëve, Meta theksoi se forca e tij poltike do të vazhdojë të mbështesë këtë shtresë të prekur nga problemet e shumta. “Një vëmendje të veçantë është drejtuar drejt përkrahjes së këtyre qendrave të fëmijëve jetimë për të ndihmuar edhe në rehabilitimin e këndeve apo të ambjenteve sportive për të krijuar disa ambjente të reja edukative dhe natyrisht që ne do të ndikojmë jo vetëm përmes veprimeve dhe aksioneve tona të solidaritetit, por edhe përmes një vëmendjeje më të madhe për politikat sociale të qeverisë, të shtetit dhe të institucioneve qendrore dhe vendore ndaj kësaj shtrese”, u shpreh kreu i LSI-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency