Vjedhja e Thesarit të BSH-së/ Arrestohet guvernatori Ardian Fullani dhe kryeinspektorja Golemi

0
239

Artur Bego

fullani dhe golemi Dyshimet për implikimet në vjedhjen e 713 milionë lekëve mbërrijnë në kupolën e Bankës së Shqipërisë

 Arrestimet për vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë arrijnë në kupolën drejtuese të kësaj banke. Guvernatori Ardian Fullani dhe inspektorja e Përgjithshme Elivar Golemi u janë bashkuar dje të arrestuarve të tjerë, të dyshuar për vjedhjen e 713 milionë lekëve, nga thesari i Bankës së Shqipërisë.

Arrestimi i Ardian Fullanit dhe Elivar Golemit është bërë mbrëmjen e kaluar nga ana e policisë së Tiranës. Akuza që rëndon mbi këta dy drejtues të lartë të Bankës së Shqipërisë, është bërë nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Pas prangosjes, Fullani dhe Golemi u shoqëruan në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës bënë të ditur se prangosja e dy drejtuesve të bankës qendrore është bërë pas një urdhri të Prokurorisë. Të njëjtat burime saktësuan se guvernatori u prangos në zyrën e tij të punës pranë sheshit “Avni Rustemi”.

Prangosja e guvernatorit është rreth orës 20:00 të mbrëmjes së kaluar.

Ndërkohë, mësohet se nga ana e Gjykatës është firmosur masa e “Arrestit me burg”, ndërsa pritet që dy të arrestuarit të njihen së shpejti me këtë masë.

 

Akuzat sipas Prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi dje zyrtarisht se policia e Tiranës arrestoi në mbrëmje guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dhe inspektoren e Përgjithshme, Elivar Golemi.

Nëpërmjet një njoftimi të saj zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur: “Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykata ka vendosur masën e ‘Arrestit me burg’ për shtetasin Adrian Fullani, me detyrë guvernator i Bankës së Shqipërisë, si edhe për shtetasen Elivar Golemi, me funksion inspektor i Përgjithshëm në Bankën e Shqipërisë, të dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë pasditen e së Premtes, datë 5.9.2014. Në vijim të hetimeve për vjedhjen e një shumë të konsiderueshme parash në Bankën e Shqipërisë, të filluar në muajin korrik 2014, Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se dy zyrtarët e lartë të këtij institucioni, për shkak të mosveprime të tyre, kanë krijuar kushtet që të cenohet siguria e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë”.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon me hetimin e kësaj çështje, ku fokusi kryesor vijon të mbetet destinacioni i shumës së vjedhur.

Më herët gjatë ditës së djeshme, në Prokurorinë e Tiranës dëshmuan me radhë dy anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi, së bashku me ish-inspektoren e Bankës Së Shqipërisë, Teuta Baleta dhe drejtorin juridik Altin Naçi.

Drejtuesi i Prokurorisë së kryeqytetit, Petrit Fusha, ka sqaruar se hetimet janë drejt fundit dhe të gjithë personat që kanë dijeni për vjedhjen do të thirren në Prokurori.

Të hënën në Prokurori pritet të paraqiten dhe 4 anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës, Ardian Civici, Petraq Milo, Elisabeta Gjoni dhe Dhori Kule.

 

Shkeljet e Ardian Fullanit

Në mënyrë të përmbledhur, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur shkeljet e Ardian Adrian Fullanit, në cilësinë e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili është njëkohësisht kryetar i Këshillit Mbikëqyrës dhe drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i saj.

Sipas Prokurorisë, mësohet se “së pari: Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtpërdrejtë administrimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve procedurale për përdorimin e mjeteve financiare. Së dyti: Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës nr. 13 datë 22.2.2006. Pra, me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikëqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cenimin e parave. Së treti: Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Së katërti: Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar. Së pesti: Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.

 

Shkeljet e Elivar Golemit

Po ashtu, në mënyrë të përmbledhur, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur shkeljet, nga hetimet e deritanishme, edhe shkeljet e Elivar Golemi, me funksion inspektor i Përgjithshëm i Sipas Prokurorisë, mësohet se “së pari: Nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores se departamentit të kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm. Së dyti: Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikëqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë. Së treti: Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që Departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim finaciar periodik në departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore ku dyshohet se është kryer vjedhja. Së katërti: Në bazë të komunikimit shkresor, në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se Inspektori i Përgjithshëm nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projekt-raportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në arkën për veprim dhe në arkën stok, pikërisht në arkat ku i dyshuari kryesor për vjedhjen ka deklaruar se ka marrë shumën e madhe të parave”.

 

 Shkeljet e Ardian Fullanit

Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni.

Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës nr. 13 datë 22.2.2006.

Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës.

Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar.

Në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “Shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.

 

Shkeljet e Elivar Golemit

Nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores se departamentit të kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm.

Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë.

Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që Departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim finaciar periodik në Departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014.

Nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projekt-raportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në arkën për veprim dhe në arkën stok.

 

Arrin në 15 numri i të arrestuarve

Me dy arrestimet e djeshme, arrin në 20 numri i të akuzuarve për vjedhjen e thesarit, ndërsa 15 prej tyre janë nën arrest.

Hetimet për vjedhjen e 713 milionë lekëve, nisën më 21 korrik kur Banka e Shqipërisë kallëzoi dy punonjësit e saj, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia. Fillimisht shuma e vjedhur u tha se ishte 600 milionë lekë por pas inventarizimit, zyrtarisht Banka e Shqipërisë më 29 korrik deklaroi se mungonin 713 milionë lekë ose 7.13 milionë dollarë.

Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i arkës në veprim, Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim, Lavdim Cani, specialist i arkës stok, Myzejen Belba, specialiste e arkës stok, Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues-operator dhe Bashkim Xhilaga, përgjegjës i të dyja arkave, akuzohen nga prokuroria që me veprimet e mosveprimet e tyre kanë shkaktuar vjedhjen e bankës nga kolegët e tyre, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia. Ndërkohë disa ditë më vonë, Policia e Tiranës arrestoi edhe shtetasin Dorian Çollaku, ish-Drejtor i Drejtorisë së Qendrës së Emisionit në Bankën e Shqipërisë, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Në qeli ndodhet edhe Klevis Bejtaj, i cili akuzohet për “Moskallëzim krimi”. Ai është nipi i të akuzuarit kryesor për vjedhjen në Bankës e Shqipërisë, Ardian Bitraj. Sipas prokurorisë, mësohet se, Bejtaj kishte dijeni për vjedhjen e thesarit të shtetit, por nuk e ka denoncuar këtë gjë.

Ndërkohë,jo më lar se një javë më parë, u arrestuan edhe Gentian Jahjadhe Bahri Allushi, ish-kryetarë të komisioneve inventarizuese në vitet 2012 dhe 2013, si dhe hetohen në “Arrest shtëpie” e “Gjendje të lirë” edhe Ilir Dedja, Fatbardha Gurthi, Emiliano Lamçe, Mehdi Molla dhe Mehdi Marku, si anëtarë të këtyre komisioneve. Sipas burimeve të Prokurorisë së Tiranës, mësohet se anëtarë të Komisionit të Inventarizimit të Bankës në vitet 2012, 2013, nuk e kanë kryer me korrektësi detyrën e tyre. Të akuzuarit, kanë qenë inventarizues të bankës në vitet 2012, 2013, të cilët kanë thënë se nuk mungojnë lekë nga inventarët që kanë bërë në Bankën e Shqipërisë. Në deklarimet e këtyre personave, për inventarizimin e viteve të fundit, mësohet se ata kanë thënë se s’ka mangësi në arkën stok dhe në veprim.

 

Të ndaluar

  1. Gentian Jahja, lindur në 1970
  2. Ilir Dedja, lindur në 1954
  3. Emiljano Lamçe, lindur në 1982
  4. Mehdi Marku, lindur në 1970
  5. Bahri Allushi, lindur në 1954
  6. Mehdi Molla, lindur në 1950
  7. Fatbardha Gurthi, lindur në 1961

 

Të arrestuar

  1. Ardian Fullani, guvernatori i Bankës së Shqipërisë
  2. Elivar Golemi, inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë
  3. Ardian Bitraj, përgjegjës i zyrës së stokut të Thesarit
  4. Mimoza Bruzia, punonjëse në Departamentin e Emisionit
  5. Petrit Ramohitaj, përgjegjës i arkës në veprim
  6. Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim
  7. Lavdim Cani, specialist i arkës stok (transit)
  8. Myzejen Belba, specialiste e arkës stok (transit)
  9. Dhimitër Davidi, vëzhgues-operator
  10. Bashkim Xhilaga, shef i arkës stok dhe në veprim
  11. Dorian Çollaku, drejtor i Thesarit
  12. Klevis Bejtja, nipi i Ardian Bitrajt
  13. Gentian Jahja, kryetar i Komisionit Inventarizues, 2012
  14. Bahri Allushi, kryetar i Komisionit Inventarizues, 2013

 

Arrest shtëpie

  1. Mehdi Marku, anëtar i Komisioneve Inventarizuese
  2. Mehdi Molla, anëtar i Komisioneve Inventarizuese
  3. Ilir Dedja, anëtar i Komisioneve Inventarizuese
  4. Fatbardha Gurthi, anëtar i Komisioneve Inventarizuese

 

Detyrim paraqitje

  1. Emiljano Lamce, Anëtar i Komisioneve Inventarizuese

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency