Këshilli Kombëtar i Integrimit/ Opozita, qeverisë: Të drejtohet nga PD-ja dhe të jetë parlamentar

0
96

Gëzim Saliu

bregu integrimi “Kërkojmë zbatimin e standardit evropian, ku KKIE është organizëm që i lihet Parlamentit. Të mos shpikin modele të paqena, që kanë sigurinë e dështimit të plotë”

 Partia Demokratike shprehet kundër modelit të propozuar nga qeveria për ngritjen e Këshillit Kombëtar për Integrimit Evropian. Përmes një shkrese zyrtare drejtuar Ministrisë së Integrimit si edhe Këshillit të Ministrave, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, e cila është propozuar si bashkëkryetare, bëri të ditur se në draftin e propozuar nuk kuptohet nëse struktura e propozuar është qeveritare apo është parlamentare. Duke mbështetur standardet evropiane si edhe modelin kroat, deputetja demokrate kërkoi në emër të opozitës që kjo strukturë të jetë parlamentare si edhe të drejtohet nga opozita. Sipas saj, vetëm në këtë formë kjo strukturë do të ishte funksionale dhe do të mundësonte pjesëmarrjen e opozitës.

 

Qëndrimi

Sipas Bregut, kërkesat e opozitës nuk përbëjnë një refuzim ndaj propozimit të qeverisë, porse, theksoi ajo, ato janë të mbështetura në zbatimin e standardit dhe modelit evropian për të tillë mekanizma. “Të mos bëjnë asnjë shpikje, të mos shpikin modele të paqena, eksperienca të patestuara dhe për më tepër qysh në fillimin e tyre dhe në konceptim kanë sigurimin e dështimit të plotë; që do të thotë që i vetmi standard i zbatuar, e përsëris në Estoni, në Slloveni, në Kroaci, në Mal të Zi, në Maqedoni, ku ky proces është drejtuar nga Parlamenti. I kërkojmë qeverisë të zbatohet edhe në këtë rast në Shqipëri; që do të thotë se Këshilli Kombëtar i Integrimit ka për kryetar përfaqësuesin e opozitës”, – tha Bregu. Më tej, deputetja demokrate tha se modeli me bashkëkryetarë i propozuar nga qeveria dhe disa teknikalitete të tjera të propozuara prej Ministrisë së Integrimit e kthejnë ekzekutivin në një sekretariat të Kuvendit. “Që do të thotë që Këshilli Kombëtar i Integrimit ka për kryetar përfaqësuesin e opozitës, nënkryetar nga mazhoranca dhe anëtar me numër të barabartë votash, duke qenë një Këshill Konsultativ, nga forcat politike në Parlament, përfshirë shoqërinë civile dhe përfaqësues nga zyra e Presidentit, përfaqësues nga qeveria dhe nga institucionet e pavarura”, – u shpreh Bregu. Lidhur me këtë qëndrim, opozita ka vënë në dijeni delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë si edhe Komisionin Evropian në Bruksel, përfaqësuesit e të cilit do të jenë në Tiranë në fund të shtatorit për takimin e radhës së dialogut të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. “Në një Parlament ku roli kontrollues i opozitës është dhunuar, është cunguar, ku të gjitha zhvillimet nuk kanë lënë hapësirë për bashkëjetesë politike, nuk kam shpresë se do të ketë ndonjë tërheqje nga mendimi i qeverisë. Do të kishte qenë shumë mirë mos e kishin sjellë këtë mendim, por për aq kohë sa e kanë sjellë, më lejoni ta them të cungët teknikisht, tejet të dobët nga pikëpamja e artikulimit, me gafa”, – theksoi ligjvënësja e PD-së. Ndërkaq, e pyetur lidhur me deklaratën e Kryeministrit Rama dy ditë më parë, i cili e cilësoi si qëndrim provincial të opozitës vendimin e bojkotit si edhe shansin që ky qëndrim i radhës i PD-së për KKIE të cilësohet sërish si provincial nga ana e qeverisë, Bregu iu përgjigj duke pohuar: “Ky është një qëndrim dhe standard evropian. Në rast se Kryeministri e sheh Evropën si provincë, po, ne jemi me standardin evropian”.

 

Ç’është KKIE?

Ministria e Integrimit ka propozuar pak ditë më parë në Komisionin Parlamentar përkatës ngritjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian. Sipas projektpropozimit në shtator do të krijohet një mekanizëm institucional i konsultimit për çështje të BE-së me të gjithë aktorët e interesuar, i cili do të quhet KKIE. Ky i fundit pritet të jetë një strukturë që do të japë udhëzime strategjike në lidhje me procesin e integrimit evropian si edhe të rrisë bashkëpunimin mes partive politike, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile në këtë proces. Po ashtu, është parashikuar që Këshilli të mblidhet të paktën dy herë në vit për të diskutuar dhe për të miratuar rezultatin që rrjedh nga axhenda e Bashkimit Evropian. Në përbërje të tij do të jenë Kryeministri, krerët e grupeve parlamentare, përfaqësues nga kabineti i Presidentit, akademikë, komunitetet fetare, përfaqësues të biznesit, të shoqërisë civile dhe medias.

 

 PD: Inkriminimi i administratës, i vetmi sukses i dyshes Rama-Meta

Partia Demokratike deklaroi dje se inkriminimi i administratës është i vetmi sukses i dyshes qeverisës Rama-Meta në vitin e parë të legjislaturës. Përmes një deklarate për mediat, forca më e madhe opozitare theksoi se qeveria e nisi vitin e dytë të legjislaturës pa asnjë reflektim për kapjen e shtetit nga krimi dhe për vendosjen e zyrave nën kontrollin e të dënuarve për vepra të rënda penale. “Edi Rama dhe Ilir Meta lanë pas vitin e parë të legjislaturës me një rekord të papërsëritshëm të inkriminimit të administratës. Për një vit, ata ia dolën të ndanin pushtetin në të gjitha nivelet me përfaqësuesit e botës së krimit. Rama dhe Meta krijuan modelin e përmbysur, antimodelin më saktë, duke bërë deputet të dënuarin për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, duke emëruar drejtorë zyrash e shefa shërbimesh në pikat kyçe, trafikantë drogë të kapur me sasi të mëdha lëndësh narkotike apo të dënuar deri në 16 vite burg. Në Vlorë promovuan personin e arrestuar në Itali për organizimin e rrëmbimit të fëmijës. Nuk është hiç më pak kriminal caktimi në krye të këshillit të qarkut të Korçës, të gruas që çoi në vetëvrasje një punonjëse që shërbente prej 24 vitesh”, – theksoi PD. Më tej, në deklaratë theksohet se Partia Demokratike do të vazhdojë çdo ditë të denoncojë e të bëjë transparencë për emërimet kriminale të mazhorancës qeverisëse. “Ata mund të heshtin, e të emërojnë të tjerë banditë, por qytetarët nuk do të lihen të errësirën që do oligarkia. Ne nuk do të lejojmë që bashkë me oligarkinë, Edi Rama të instalojë dhe standardin e inkriminimit. Shqiptarët meritojnë të përfaqësohen dhe të shërbehen nga më të zotët e më të ndershmit, jo nga kriminelët e banditët”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency