Krimi/ E braktisi i dashuri, nëna 29-vjeçare mbyt foshnjën e sapo lindur , e varros në oborrin e shtëpisë

0
125

Ngjarja, pasi i dashuri e braktisi dhe nuk pranoi autorësinë e fëmijës

policia ne vendngjarjeb Eriona Sirika Një krim i rëndë ka pasur për protagoniste një nënë të re dhe për viktimë foshnjën e saj të sapolindur, të cilën e ka mbytur me duar dhe më pas e ka varrosur në oborrin e shtëpisë. Shkaku i këtij akti të rëndë ka qenë një lidhje dashurie e gruas me një burrë, që nuk pati një fund të lumtur.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Borizan të rrethit të Krujës, ndërsa mësohet se në oborrin e banesës së një shtëpie u gjet një foshnjë e groposur. Nga hetimet paraprake të policisë lokale dyshohet se 29-vjeçarja Eriona Sirika i ka dhënë fund jetës së bebes, të seksit mashkull, duke e mbytur. Pas këtij akti, ndërsa u mësua dhe u zbulua foshnja e varrosur në oborr vetëm dy ditë pasi kishte lindur, u arrestua nëna vrasëse.

Trupi i të voglit i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore në morgun e spitalit rajonal, kurse në maternitet, pas ekzaminimeve që iu bënë nënës, u vërtetua se ka qenë shtatzënë dhe ka lindur dy ditë më parë një fëmijë.

 

Zbulimi

Ndërsa nëna e kishte lindur foshnjën në kushtet e shtëpisë, mësohet se zbulimi i kësaj ngjarjeje u bë rastësisht, pas disa problemeve shëndetësore që 29-vjeçarja kishte pas lindjes. Kanë qenë mjekët e spitalit që zbuluan lindjen e kryer nga nëna e re, të cilët për dyshimet e tyre për ekzistencën e foshnjës lajmëruan efektivët e policisë.

Mësohet se Eriona Sirika, e cila kishte ngelur shtatzënë nga një lidhje që kishte pasur, e ka mësuar këtë fakt shumë vonë, moment kur e kishte të pamundur të abortonte.

Pas kësaj ajo ka çuar deri në fund shtatzëninë, duke menduar që pas lindjes të mendonte për fatin e foshnjës, në mënyrë që të mos turpërohej në fshat.

Por pas procesit të lindjes dhe groposjes së djalit të saj, 29-vjeçarja është bërë keq dhe është dërguar në spital nga familjarët. Nga aty, gjatë kontrollit, mjekët kanë kuptuar se gruaja kishte lindur, duke bërë që të lajmërohej policia, pasi nuk dihej ku ndodhej foshnja.

Nga ana e uniformave blu u bë arrestimi i gruas dhe gjetja e trupit të pajetë të foshnjës, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

 

Hetimet

Burime të policisë së Krujës sqaruan se Eriona Sirika, fëmija më i madh në familjen Sirika, dyshohet se aktin e rëndë e ka kryer nën kushte të rënda depresioni. Policia ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë.

“Më datë 3.9.2014, ora 23:00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases Eriona Sirika, 29 vjeçe, banuese në rrethin Krujë, sepse rreth orës 01:00, në Borizanë, ka lindur një fëmijë të seksit mashkull, të cilin e ka mbytur e varrosur në kopshtin e banesës së saj”, – thuhet në njoftimin e policisë së Durrësit mëngjesin e djeshëm.

Jo më larg se dy ditë nga lindja, foshnja u mbyt dhe u varros prej nënës në oborrin e banesës.

Të njëjtat burime të policisë, duke iu referuar edhe ekspertizës mjekoligjore të foshnjës, bënë të ditur se nga këqyrja që iu bë trupit të vogël, u arrit në konkluzionin se bebja ka vdekur nga asfiksia, që është shkaktuar nga mbytja me duar. Autorësia është pranuar nga nëna, e cila edhe pse në kushte të rënda psikologjike, është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime rreth krimit.

Sipas policisë, mësohet se objekt hetimi ka qenë identifikimi i të atit të foshnjës.

Pas hetimeve të kryera, policia ka mundur të identifikojë të dashurin e vajzës 29-vjeçare që vrau foshnjën e saj dhe e varrosi në kopshtin e shtëpisë. Mësohet se i dashuri është shtetasi, F. D., 43 vjeç, nga fshati Thumanë.

 

Motivi

Sipas policisë, mësohet se 29-vjeçarja banore e fshatit të largët në Krujë, Borizan, ka pohuar se ka pasur një histori dashurie me një burrë në fshat. Por lidhja mbaroi dhe vajza u braktis nga i dashuri, ndërsa u mësua se ajo kishte mbetur shtatzënë. Pasi ka fshehur shtatzëninë nga familjarët për muaj me radhë, mësohet se vajza ka lindur fëmijën në kushte shtëpiake.

Duke iu referuar dëshmive të para të nënës vrasëse, burime të policisë lokale bënë të ditur se 29-vjeçarja ka deklaruar se u nxit nga i dashuri për krimin e rëndë.

“Ai nuk e donte fëmijën. Nuk e pranoi atësinë, ai më nxiti t’i jepja fund jetës së bebes”, – mësohet të ketë deklaruar 29-vjeçarja.

Vajza ka dëshmuar në polici se djali i kishte premtuar fillimisht martesën, por pasi kishte ngelur shtatzënë, ai e kishte braktisur. Vajza e kishte mësuar vonë që kishte ngelur shtatzënë dhe se fëmijën nuk mund ta abortonte, pasi kishte kaluar limiti i kohës së lejuar për abort, bën me dije policia të tjera detaje rreth ngjarjes.

Po sipas policisë, nga rrëfimet e vajzës vërtetohet se edhe pasi lindi foshnjën, djali nuk e ka pranuar atësinë dhe kjo gjë çoi në depresion të renë. Shtetasja Eriona Sirika është banore e fshatit Borizanë dhe e pamartuar.

 

 Sarandë, skandali seksual/ Agron Cane shtrohet në spital, probleme me zemrën dhe depresionin

 Agron Cane, i arrestuar për favore seksuale në Sarandë, është dërguar në spitalin e këtij qyteti, pas disa problemeve shëndetësore që ka pasur. Ish-sekretari i deputetit Koço Kokëdhima është dërguar me urgjencë në spitalin e Sarandës, pas problemeve me tensionin e lartë dhe zemrën. Avokati i tij njëkohësisht ka thënë se klienti i tij po vuan edhe nga depresioni. Agron Cane ndodhet në paraburgim, por është dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit të Sarandës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Dera e dhomës në spital për të paraburgosurit ruhet nga dy efektivë të policisë.

Agron Cane u arrestua më 16 gusht, pas publikimit të videos ku gjatë një bisede 62-vjeçari i kërkoi një nëne të ve, me 4 fëmijë, që të kryente marrëdhënie seksuale me të dhe vajzën e saj 14-vjeçare në këmbim të një vendi pune.

Ai i akuzohet për “Ngacmim seksual ndaj të miturve”, si dhe “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm për sigurimin e një vendi pune”.

 

Abuzim seksual/ Pranga 45-vjeçarit në Lezhë, përdhunonte të miturën

 Një burrë i moshës 45-vjeçare është arrestuar nga policia e Lezhës nën akuzën e ngacmimit seksual. Burime të policisë lokale bënë të ditur se M. F., 45 vjeç, me banim në Lezhë, u arrestua pas denoncimit të bërë nga një vajzë 16-vjeçare me banim në Lezhë.

Gjatë denoncimit të saj në polici, vajza ka thënë se është ngacmuar seksualisht nga i sipërpërmenduri qysh në moshën 12-vjeçare dhe në moshën 15-vjeçare, ai ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj, ngjarje e cila ka ndodhur rreth një vit më parë në ambientet e një banese private.

Vajza ka thënë se nuk e ka denoncuar më parë abuzuesin, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme prej tij, pasi jetonin në të njëjtën zonë, porse situata i ishte bërë e padurueshme, duke vendosur që ta denonconte.

Lidhur me këtë rast vijojnë ende hetimet, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprën penale të “Marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency