Bllokimi i investimeve në Tiranë/ Basha sfidon Ramën: I gatshëm për debat në çdo arenë, të ballafaqojmë të vërtetat

0
132

Gëzim Saliu

lulzim Basha sfidon Ramen sakte me gishta “Diskriminimi i zonave të Tiranës mori fund, së bashku me kohën e vajmedetit. Në qoftë se është burrë, të mos hedhë gurin e të fshehë dorën, të dalë në debat dhe të ballafaqohemi”

Kryebashkiaku i Tiranës, njëkohësisht kreu i opozitës, Lulzim Basha, ftoi dje në një debat publik Kryeministrin Rama, duke e akuzuar për bllokimin e projekteve të Bashkisë më të madhe në vend në vitin e parë të qeverisjes së majtë. Duke e cilësuar këtë një ballafaqim të të vërtetave, pasi kreu i qeverisë i cilëson si të pavërteta akuzat e kreut të Bashkisë së kryeqytetit, Basha tha se Rama duhet të pranojë sfidën. “Edi Rama thotë ‘jo, nuk i pengoj unë’. Unë e sfidoj sot, të dalim ballë për ballë para qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve shqiptarë, të flasë me fakte dhe dokumente. Faktet dhe dokumentet provojnë përtej çdo dyshimi se Edi Rama është arkitekt i bllokimit të këtyre veprave dhe veprave të tjera të qytetarëve të Tiranës. Faktet tregojnë se nuk ka asnjë arsye për këtë bllokim, se këto vepra nuk i kushtojnë asnjë kacidhe qeverisë shqiptare, përveç verbërisë politike, kllapisë së Edi Ramës për të goditur qytetin për inat të kryebashkiakut. Këto janë faktet, në qoftë se është burrë, të mos hedhë gurin e të fshehë dorën, të dalë në debat dhe të ballafaqojmë të vërtetat tona!Në çdo arenë që do ai”, – i bëri thirrje Basha kreut të qeverisë, Edi Rama, pasi përuroi rindërtimin e plotë të kopshtit nr. 14.

 

Përgjigje Kryeministrit

Në reagimin e tij për mediat, kryebashkiaku Basha u ndal edhe në deklaratën e dy ditëve më parë të Kryeministrit Rama, i cili pohonte se buxheti i Bashkisë së Tiranës nuk është bllokuar, fakt i cili, sipas Bashës, është botërisht i njohur dhe që zhbllokimi i tij u krye vetëm me vendim gjykate. “Dje, doli para shqiptarëve me një veti tjetër, të cilën tiranasit ia njohin shumë mirë, hedh gurin dhe fsheh dorën. Po, është e vërtetë, Këshilli Bashkiak e miratoi buxhetin, se s’kishte si të mos e miratonte, se ishte buxheti i qytetarëve të Tiranës dhe Tirana nuk i përket vetëm Lulzim Bashës, nuk i përket vetëm Partisë Demokratike, por të gjithë qytetarëve. Pasi buxheti kaloi në Këshillin Bashkiak, Edi Rama urdhëroi bllokimin e tij tek prefekti dhe buxheti u çlirua vetëm me një vendim gjykate në korrik të këtij viti. Këto janë faktet, sikundër është fakt që bulevardi i ri i Tiranës, vepra më madhore në 80 vite, që u shërben gjeneratave të tëra, që u shërben sot qytetarëve të Tiranës dhe fëmijëve, sepse krijon 300 mijë metra katrorë gjelbërim, vuan bllokimin e Edi Ramës, i cili refuzon të bëjë një hap që ka detyrë qeveria, të depozitojë firmat e zyrtarëve të Bashkisë tek Fondi i Zhvillimit”, – theksoi Basha. Më tej, kryebashkiaku përmendi edhe bllokimin e projektit të tramit nga ana e qeverisë, duke pohuar: “Këto projekte nuk do t’i shërbejnë Partisë Demokratike, nuk do t’i shërbejnë Lulzim Bashës, do t’u shërbejnë qytetarëve të Tiranës, por Edi Rama i bllokon. Pse?! Sepse ka një axhendë politike, e cila është kundër interesit të qytetarëve të Tiranës”.

 

Rindërtimi i kopshtit

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka rindërtuar plotësisht kopshtin nr. 14, me një shumë prej 39 milionë lekësh, ku përmes këtij investimi rreth 150 fëmijëve të njësinë bashkiake nr. 11 do t’u ofrohen standardet më të larta. Kryebashkiaku Basha shprehu dje kënaqësinë që rikthehej me një tjetër investim në njësinë bashkiake nr. 11, e cila për 11 vite u la sipas tij në harresë nga ish-kryebashkiaku Rama. “Kthehemi brenda disa ditëve prapë në njësinë bashkiake nr. 11, jo për ta mbajtur me hatër, por sepse për 11 vite ish-kryebashkiaku e ka diskriminuar këtë zonë, në të gjitha kuptimet e fjalës. Marrim këtë kopsht, i cili deri para se Bashkia e Tiranës të ndërhynte, mund t’u shërbente vetëm 50 fëmijëve, ndërkohë që kërkesat janë mesatarisht 120, 130, 150 fëmijë çdo vit. Kushtet ishin mizerabël dhe askush nuk vinte dorë. A thua sikur nuk ishin në Tiranë, në hyrjen më të madhe të Tiranës?! Po sikur jemi në Kandahar! Kjo përqasje, kjo mendësi mori fund, bashkë me kohën e vajmedetit”, deklaroi Basha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency