Plani i qeverisë/ Cilat janë kategoritë e familjeve që do t’u rritet çmimi i energjisë

0
127

Ervin Kaduku

Matesa-te-energjise-elektrike-256x191 – Që nga viti 1990 sistemi i energjisë ka rezultuar me humbje dhe për ta rikthyer atë me një bilanc pozitiv duhet një investim i pamundur prej 1.7 miliardë eurosh

– FMN shprehet në favor të “vendimeve të vështira” në fushën e energjetikës

Duket se do të jetë e pamundur për qeverinë “Rama” të mbajë në fuqi çmimet aktuale të energjisë elektrike përballë mosarritjes kronike të objektivave për të ulur vjedhjet e humbjet dhe për shtimin e arkëtimeve për energjinë e konsumuar. Gjatë një konference për shtyp dje, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri deklaroi se janë ulur me 7% humbjet në rrjet krahasuar me një vit më parë. Kjo ka sjellë një rritje të arkëtimeve me 45 milionë dollarë më shumë në buxhetin e shtetit. Por shifra prej 38% humbje të sistemit energjetikës është ende një plagë e rëndë, që po e dëmton sistemin energjetik shqiptar dhe një shqetësim të tillë e ka shprehur dhe shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Nadeem Ilahi.

Në lidhje me diskutimet rreth rritjes së çmimit të energjisë elektrike, ministri ka siguruar që çmimi nuk do të prekë familjet shqiptare dhe çdo ndryshim i çmimit nuk do të vijë si pasojë e humbjeve në rrjet, por si rrjedhojë e çështjeve teknike. Kjo nënkupton hapur se çmimi do të preket, por ende nuk është gati formula se kush do ta pësojë nga rritja e pashmangshme e tij. Gjithashtu, Gjiknuri nuk la pa përmendur që çmimi i energjisë nuk është reflektuar dhe indeksuar për katër vitet e fundit, çka lë hapësira për një ndryshim të mundshëm të çmimit të energjisë elektrike.

I pyetur për politikat që ka në plan të marrë Ministria e Energjetikes dhe Industrisë për përmirësimin e humbjes në rrjet, ministri Gjiknuri deklaroi se që nga viti 1990 sistemi i energjisë ka rezultuar me humbje dhe për ta rikthyer atë me një bilanc pozitiv duhet një investim 1.7 miliardë euro.

Ndërsa për kohëzgjatjen e menaxhimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (ish-CEZ), Gjiknuri ka deklaruar se do të qëndrojë në pronësi të shtetit për sa kohë nuk është i gatshëm që të ecë me këmbët e veta. Në fund, ministri është zotuar se në fund të këtij mandati qeverisës sistemi i energjetikës do të ketë një bilanc pozitiv që do të vijë si rrjedhojë e investimeve, të cilat do të kryhen në bashkëpunim me Bankën Botërore.

 

Fondi Monetar

Shefi i Misionit të FMN-së është shprehur hapur këto ditë në favor të rritjes së tarifave të energjisë elektrike në Shqipëri. “Energjia është një shqetësim për ne, për disa arsye. Por në këtë rast në bisedat tona me qeverinë, për ne është shqetësim sa i kushton energjia buxhetit të shtetit. Si për faktin se sa duhet të paguajë buxheti për energjinë çdo vit, dhe sa shumë do të duhej të paguhej në një vit të keq, me mot të thatë. Sipas nesh, kompanitë prodhuese të energjisë duhet të bëhen të qëndrueshme, të kenë financa të mjaftueshme e të jenë funksionale në prodhim. Madje të investojnë për të prodhuar energji me të ardhurat e tyre. Ky sistem nuk ka funksionuar siç duhet në këtë vend”, – u shpreh ai.

Ilahi shtoi më tej: “Qëndrimi ynë është që të dyja, si rritja e vjeljes së faturave, ashtu si edhe disa rregullime të çmimeve, mund të jenë një kombinim, si pjesë e reformës për të përmirësuar situatën. Ky është një problem serioz dhe është një problem që është përkeqësuar në kohë, dhe për shumë zhvillime kjo është një fushë ku vendi po shkon në drejtimin e kundërt. Fusha e energjisë nuk ka bërë progres dhe unë mendoj që vendime të forta, të vështira, duhet të merren. Dhe nuk besoj që rritja e çmimit është përgjigja e vetme, duhet siguruar një administrim më i mirë për të mbledhur faturat”.

 

 Nuk “rilind” Shqipëria, humb dy vende në tabelën vjetore të konkurrueshmërisë

Shqipëria është renditur sivjet në vendin e 97 në botë për sa i përket konkurrueshmërisë së ekonomisë, duke humbur 2 vende krahasuar me vitin e kaluar. Raporti është publikuar nga “Forumi Ekonomik Botëror” për Konkurrencën Globale në periudhën 2014-2015. Shqipëria ka grumbulluar 3.8 pikë, por renditet e fundit edhe me një diferencë të theksuar pikësh, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Serbisë që renditet në vendin e 94-ët.

Si sektorët me performancën më të mirë “Forumi Ekonomik Botëror” rendit kujdesin shëndetësor dhe edukimin që vlerësohen me 5.8 pikë, ndërsa më problematike është kategoria “Etika dhe Korrupsioni” me 2.7 pikë. Institucionet publike dhe mjedisi makroekonomik vlerësohen me 3.4 dhe 3.8 pikë respektivisht. Kategoria tjetër që realizon performancën më të dobët është inovacioni me 2.7 pikë.

Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria ka pranë vetëm Serbinë, ndërsa shtetet e tjera janë shkëputur ndjeshëm. Maqedonia realizon performancën më të mirë, në vendin e 63 dhe pasohet nga Mali i Zi në vendin e 67. Greqia me Kroacinë renditet respektivisht në vendin e 81 dhe 77. Ndërkohë, Zvicra rikonfirmohet si ekonomia më konkurruese në botë në renditjen e përgjithshme. Për të gjashtën herë me radhë konfederata qendron në krye, edhe pse drejtuesit e Forumit akuzohen për nisma populiste.

Pas Zvicrës vijnë me radhë Singapori, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Finlanda, Gjermania dhe Japonia. Zvicra, por edhe vendet e tjera kanë si pika të forta transparencën e institucioneve, kapacitetet për inovacion e kërkime shkencore dhe bashkëpunimin shumë të mirë midis sektorit publik dhe privat.

 

Gjobiten me shifra qesharake aksionerët e kompanisë së naftës ARMO

Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur kompaninë Heaney Assets Corporation, aksionerin kryesor të sipërmarrjes së rafinimit të naftës ARMO, me 1% të xhiros, për mosdhënie informacioni. Autoriteti i Konkurrencës sqaron se me anë të shkresës nr. 316 prot., datë 3.9.2013, është njoftuar për përqendrimin me objekt shitblerjen e pjesshme të konsorciumit AMRA Oil SHA (e cila përbëhet nga aksionet e shoqërisë Anika Enterprises S.A) shoqërisë Armo SHA (indirekt) dhe shoqërisë Europetrol SHA (Europetrol) nga shoqëria Heaney Assets Corp.

Ky transaksion, i cili ndryshon cilësinë e kontrollit në shoqëritë e sipërpërmendura në formën e përftimit të kontrollit direkt dhe indirekt , përbën një përqendrim në bazë të nenit 10 pika 1) , shkronja b) e ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar.

Sjellja e shoqërisë Heaney Assets Corporation në lidhje mossigurimin e informacionit të plotë brenda afatit kohor të përcaktuar në Vendimin e Komisionit të Konkurrencës nr. 311, datë 17.4.2014, cilësohet si shkelje e lehtë në bazë te nenit 73, pika1, germa a), për rrjedhojë është e dënueshme me gjobë në masën jo më shumë se 1% të xhiros totale të vitit financiar paraardhës.

Për rrjedhojë, Autoriteti ka vendosur të gjobisë në vlerën 100.000 (njëqind mijë) lekë ndërmarrjen Heaney Assets Corporation përfituese e kontrollit të shoqërive AMRA Oil SHA, Armo SHA dhe shoqërisë Europetrol SHA, për mosdhënie të dhënash brenda afatit kohor të përcaktuar në Vendimin e Komisionit të Konkurrencës nr. 311, datë 17.4.2014. Kjo shifër qesharake është rezultat i faktit se ARMO ka rezultuar me një aktivitet tepër të dobët për vitin 2013, sipas bilanceve që ka dorëzuar tek Tatimet.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency