Denoncimi/ PD: Shefi i komisariatit në Malësinë e Madhe ka marrë pjesë në pushkatim. MB: I padënuar

0
117

Gëzim Saliu

Flamur-Noka700 Noka: Në vitin 1996, Rifat Çoku u dënua me burg për krimin e gjenocidit nga Gjykata e Shkodrës, por doli pas trazirave të vitit 1997. MB: Ka qenë në punë edhe në kohën e PD-së

 Partia Demokratike denoncoi dje një tjetër emërim në radhët e Policisë së Shtetit të një personi, i cili, sipas opozitës, ka shërbyer në kohën e regjimit komunist. Deputeti Flamur Noka pohoi nga selia blu se shefi i komisariatit në Malësinë e Madhe jo vetëm ka shërbyer në këtë kohë, porse, sipas tij, ai ka marrë pjesë edhe në një pushkatim. “Rifat Çoku është emëruar shef komisariati në Malësinë e Madhe, ndërsa qeveria është përpjekur që këtë emërim ta kalojë në heshtje. Rifat Çoku ka shërbyer si komisar në zonën kufitare gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe në datën 2 tetor të vitit 1986, ai ka qenë pjesëmarrës në pushkatimin e të riut Sokol Veshti, të cilin e kishin ndaluar fillimisht në tentativën për të kaluar kufirin e më pas e ekzekutuan barbarisht. Në vitin 1996, Rifat Çoku u dënua me burg për krimin e gjenocidit nga Gjykata e Shkodrës, por pas trazirave të vitit 1997 doli shpejt nga burgu. Sot, Rifat Çoku ka rilindur nga oligarkia në pushtet, e cila komisarin e terrorit dhe vrasjeve e ka emëruar shef komisariati në Malësinë e Madhe”, – tha deputeti demokrat. Më tej, Noka theksoi se ky emërim tregon më së miri inkriminimin e policisë dhe shtetit: “Teksa sigurinë publike të qytetarëve të Malësisë së Madhe do ta ketë në dorë një xhelat i diktaturës me bekimin e Ramës dhe Metës. Ky akt shpjegon më së miri se dyshja Rama-Meta qëndron pas vandalizimit të monumentit kundër dhunës së diktaturës komuniste në qendër të Tiranës dhe prapa çdo akti tjetër që frymëzon e frymëzohet nga e kaluara gjakatare e diktaturës komuniste në Shqipëri”. Në përfundim të reagimit të tij, Noka tha se Partia Demokratike e dënon ashpër këtë vendim duke e cilësuar si përdhosje të shoqërisë shqiptare dhe vlerave të saj të arritura në këto 23 vite. “Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të shoqërisë, ish-të përndjekurve politikë, por edhe elitës intelektuale në vend, të reagojnë ndaj këtij akti monstruoz të dyshes Rama-Meta”, – u shpreh deputeti i PD-së.

 

Reagimi i MB-së

Ndaj denoncimit të Partisë Demokratike reagoi dje Ministria e Punëve të Brendshme, e cila hodhi poshtë të gjitha akuzat e bëra nga forca më e madhe opozitare në lidhje me drejtuesin e ri të komisariatit të policisë së Malësisë së Madhe. Sipas MB-së, komisar Rifat Çoku ka një karrierë të gjatë dhe të vlerësuar në strukturat e Policisë së Shtetit. “Ai ka punuar në Policinë e Shtetit edhe gjatë viteve të drejtimit të PD, 2005-2006. Është larguar nga Policia e Shtetit me kërkesën e tij, më datë 16.9.2006, kur mbante detyrën e specialistit të Drejtimit në Seksionin e Qendrës Operative dhe të Emergjencave. Çoku është ripranuar në strukturat e Policisë së Shtetit, më 19.11.2013, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër. Bazuar në dëshminë e penalitetit, Rifat Jakup Çoku rezulton i padënuar”, – theksoi në sqarimin e saj ministria e Brendshme.

 

Reagimi i PD-së/ Energjia, Tabaku: Çmimi do të rritet ashtu siç paralajmëruam. MEI: E latë vendin në kolaps

Çmimi i energjisë elektrike do të rritet, siç paralajmëruam. Kështu deklaroi dje deputetja e Partisë Demokratike Jordia Tabaku, duke theksuar se lajmi i dhënë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë përbën një të vërtetë që PD e denoncoi kohë më parë. “Çmimi i energjisë do të rritet! Është saktësisht ajo që Partia Demokratike ka paralajmëruar prej muajsh. Çmimi do të rritet paçka shakasë së hidhur të Gjiknurit se do të ketë rritje, por konsumatori familjar do të mbrohet. Sesi i mbron kjo qeveri konsumatorët në Shqipëri, tashmë e di i madh e i vogël”, – tha ajo. Po ashtu deputetja e PD-së akuzoi ministrin e Energjisë për huanë që po merret për sistemin energjetik. “Përse një shumë pothuaj të njëjtë me këtë hua ia pagoi CEZ-it dhe një tjetër të paktën 4-fishi i saj, me detyrime të papaguara ia fali kompanisë çeke? Gjiknuri me dashje ngatërroi privatizimin e 4 hidrocentraleve, të cilat jepnin me pak se 3% të prodhimit të vendit, me gjoja një nga shkaqet për rritjen e çmimit të energjisë sot (dje)”. Pas këtyre akuzave, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Energjetikës ku hidheshin poshtë të gjitha ato që u cilësuan si tentative të opozitës për të keqinformuar opinionin publik mbi gjendjen në të cilën ndodhet sistemi energjetik. “Qytetarët shqiptarë nuk duhet të bien pre e propagandës së atyre që për tetë vite nuk bënë asnjë investim dhe shkatërruan sistemin energjetik, duke lënë pas një kolaps të plotë, një privatizim të dështuar të shpërndarjes dhe një konflikt të hapur ligjor që jo vetëm do tu kushtonte shtrenjtë xhepave të shqiptarëve, por edhe do të mbante larg vendit tonë çdo investitor të huaj serioz”, – thuhej në deklaratën e MEI-së.

 

 Deputetja e PD-së/ Topalli: Marsh skandalesh në Kuvend, nga votimet pa kuorum tek botimet në “Fletoren zyrtare”

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli reagoi dje lidhur me situatën në Kuvendin e Shqipërisë, duke pohuar se në vendin e parlamentarizmit po ndodhin një marsh skandalesh. Sipas deputetes demokrate, në mbledhjet e komisioneve parlamentare janë votuar ligje pa kuorum e ndërsa janë botuar në “Fletoren zyrtare” ligje që nuk janë votuar ende në Kuvend. “Marshi i skandaleve në Kuvend. Qeveria dhe mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë janë i njëjti person, Udhëheqësi! Mjafton që ky të japë urdhra dhe fshihet edhe Kushtetuta edhe rregullorja e Kuvendit. Për rrjedhojë në Kuvendin e Shqipërisë ndodhin gjëra për të qeshë e për të qarë! Vendimet e Kuvendit dërgohen për t’u botuar në “Fletoren zyrtare” para se ato të votohen në Kuvend dhe para se të firmosen nga Kryetari i Kuvendit (siç ndodhi të hënën me dekretet e Presidentit); në komisionet parlamentare hidhen në votim ligje pa patur kuorum; Komisionet parlamentare bëjnë kalendarë pune pa qenë të inkluduara në kalendarin e punës së Kuvendit (si edhe sot (dje) në Komisionin e Ekonomisë); komisionet më parë zbatojnë urdhrin pastaj bëjnë edhe kalendarin për të zbatuar urdhrin! Kryetari i Kuvendit, që duhej të ishte garanti i zbatimit të rregullores së Kuvendit, tani që është bërë “konstruktiv dhe gjithëpërfshirës” po rilind avash-avash në shëmbëlltyrën e Haxhi Lleshit”, – tha Topalli, duke shtuar se nga ana tjetër familjet shqiptare po luftojnë me varfërinë, papunësinë dhe pasigurinë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency