Skandali i BSH-së/ Dërgohen fletëthirrjet, Meksi e Golemi në Prokurori

0
158

Sonila Mesareja

banka e thesarit Akuza, katër anëtarët e tjerë, Gjoni, Civici, Kule e Milo, do të pyeten të hënën

 Paralajmërimi, shoqërim i detyruar, nëse nuk i përgjigjen thirrjes

E paralajmëruar gjatë gjithë muajit gusht, pritet që këtë javë të fillojë pyetja e dy prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe javën e ardhshme edhe e katër anëtarëve të tjerë. Deri tani, nga njësia task-forcë nuk flitet për një datë kur pritet të merret në pyetje guvernatori i Bankës, Ardian Fullani, njëkohësisht edhe kreu i Këshillit Mbikëqyrës. Dje, prokurori i çështjes, Ramadan Troci, u ka dërguar kërkesat zyrtare për t’u paraqitur në Prokurorinë e Tiranës gjashtë anëtarëve, ndërsa bëhet me dije se e para që do të hapë siparin e marrjes në pyetje është pikërisht Ermelinda Meksi, ajo që dy herë radhazi i ka kërkuar guvernatorit Fullani të dorëhiqet pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në departamentin e Emisionit, ndërsa në dy mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës ka kërkuar shkarkimin e tij. Pas saj, po në të njëjtën ditë, por në orën 11:00 të së premtes do të pyetet edhe anëtarja tjetër e Këshillit, Elvira Golemi. Të dy këto anëtare do të pyeten si persona që kanë dijeni për çështjen dhe mënyrën e funksionimit të thesarit në Linzë, nga ku u vodhën paratë. Ndërkohë që, katër të tjerët, mes të cilëve zv.guvernatorja e parë, njëkohësisht nënkryetare e Këshillit Mbikëqyrës, Elisabeta Gjoni, si edhe anëtarët Dhori Kule, Petraq Milo dhe Ardian Civici do t’u duhet të japin deklaratat e tyre ditën e hënë lidhur me urdhrat e firmosur prej tyre.

 

Seancat

Gjashtë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë mësohet se do të pyeten lidhur me nismat ligjore të marra prej tyre për funksionimin e departamentit të Emisionit për aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e këtij departamenti apo urdhrat dhe udhëzimet e nxjerra nga Banka e Shqipërisë në përmbushje të vendimit numër 13 datë 22 shkurt 2006 për funksionimin normal të tij. Gjithashtu, sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, anëtarët e Këshillit do të pyeten edhe mbi aktet e procedurat në lidhje me sigurinë e ambienteve të seksionit, por edhe për rrethana të tjera që rezultojnë nga dinamika e hetimit. Në fletëthirrjet e saj, Prokuroria paralajmëron anëtarët se në rast mosparaqitjeje në ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesë të ligjshme, në bazë të nenit 308/C të Kodit të Procedurës Penale mund të urdhërohet edhe shoqërimi i detyrueshëm i tyre.

 

Arrestimet

Pas shpërthimit të skandalit të madh për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, Prokuroria ka lëshuar urdhër arrestet dhe janë vënë në pranga 17 persona, punonjës, përgjegjës, inventarizues dhe një drejtues të Departamentit të Emisionit, nga të cilët vetëm 12 ndodhen aktualisht pas hekurave, pasi pesë të tjerë u liruan nga gjykata. Por, ndërkohë paralajmërohet se arrestimet nuk kanë përfunduar. Në javët në vijim pritet të tjera ndalime dhe arrestime për këtë skandal, pasi organi i akuzës së kryeqytetit është duke pritur përgjigje nga institucionet e tjera për pasuritë e gjithë të afërmve të të dyshuarve. Ndërkohë që, një element i rëndësishëm para se të firmosen urdhrat e ndalimit janë edhe shpjegimet që do japin para akuzës gjashtë ekonomistët e kupolës drejtuese të Bankës së Shqipërisë.

 

Reagimi/ KLD: Dhuna ndaj Yllka Tafilajt, Gjykata vendosi çfarë kërkoi Prokuroria

Rasti i lirimit të autorit që dhunoi gruan 26-vjeçare Yllka Tafilaj nga Tepelena, për të cilën pati edhe deklarata nga politika, është trajtuar edhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas të cilit kërkesa për lirimin e Myrto Tafilajt u bë nga Prokuroria e Gjirokastrës. Në një deklaratë për mediat, KLD deklaron se shtetasi Tafilaj është akuzuar nga Prokuroria e Gjirokastrës për veprën penale të “Dhunës në familje”, dhe për këtë gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurie më të lartë se kjo. Këshilli bën me dije se u vu në dijeni për rastin nëpërmjet mediave, ku ka mësuar se 26 vjeçarja Yllka Tafilaj, nga Tepelena, ka qenë viktimë e dhunës së ushtruar nga shtetasi Myrto Tafilaj dhe me pretendimet se Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, në mënyrë të padrejtë ka liruar dhunuesin, ka filluar menjëherë verifikimin e rastit. “Duke mbajtur parasysh sensibilitetin e opinionit publik ndaj ngjarjeve të kësaj natyre, Inspektorati i KLD-së, si kurdoherë në punën e tij, trajtoi me shpejtësi dhe në mënyrë profesionale rastin në fjalë. Nga verifikimi paraprak rezultoi se Gjykata për shtetasin Tafilaj ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje në Policinë Gjyqësore”. Ky shtetas është akuzuar nga Prokuroria Gjirokastër për kryerjen e veprës penale të “Dhunës në familje”. Në këtë rast gjyqtari i çështjes, pasi ka vlerësuar rrethanat e faktit, ka caktuar të njëjtën masë sigurimi të kërkuar nga organi i akuzës. Në bazë të nenit 244/3 të Kodit të Procedurës Penale, gjyqtari nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të lartë nga ajo që ka kërkuar prokurori. Vendimi i dhënë nga gjyqtari nuk është kundërshtuar në gjykatat më të larta. Këshilli i Lartë i Drejtësisë me këtë rast, dëshiron të informojë se jo vetëm për çështjen në fjalë, por çdo ankesë të ardhur nga publiku i vlerëson me seriozitetin maksimal, duke verifikuar çdo rast, duke ushtruar inspektime dhe kurdoherë duke sqaruar zyrtarisht ankuesit. Në politikën e Këshillit, bashkëpunimi me qytetarët dhe mediat konsiderohet si një ndër elementët e domosdoshëm për kontrollin e sistemit gjyqësor”, – përfundon reagimin KLD.

 

Prokurori e Tiranës/ Krimet e pazbardhura dhe vrasja e Santos, Çipa takon Fushën

Vrasja e bankierit Artan Santo, supervjedhja në Thesarin e Bankës së Shqipërisë apo dhe krime të tjera të pazbardhura në kryeqytet mësohet të kenë qenë fokusi i bisedimeve kokë më kokë mes kreut të Policisë së Tiranës dhe kreut të Prokurorisë së Tiranës. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, ka zhvilluar dje një takim me drejtuesin e Prokurorisë së kryeqytetit Petrit Fusha në zyrën e këtij të fundit. Mësohet se diskutimet mes dy titullarëve të institucioneve janë fokusuar tek ngjarjet e rënda të ndodhura në kryeqytet, ende të pazbardhura. Vrasja e bankierit Artan Santo ka qenë kryefjalë e takimit, pasi kur kanë kaluar tre muaj nga ngjarja e rëndë nuk ka ende një të dyshuar për krimin, ndërsa pistat e hetimit janë të shumta nga organi i hetimit. Numri një i Policisë së Tiranës ka qëndruar mbi një orë në Prokurori dhe ku është kërkuar më shumë bashkëpunim mes institucioneve, për të pasur një luftë me efikase ndaj krimit dhe sigurisht rezultate më të mira në hetimin e ngjarjeve të rënda në Tiranë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency