Ndryshimet e skemës së re/ Si do të llogariten përfitimet, shtesa që marrin pensionistët

0
193

pagesa e pensioneveKush mund të marrë pension të reduktuar pleqërie. Masa e pensionit që do të përfitojnë invalidët. Tabela si do të rritet mosha e pensionit

 Skema e re e pensioneve tashmë është botuar në “Fletoren zyrtare” dhe parashikon ndryshimin rrënjësor për mënyrën se si do të llogariten përfitimet, duke filluar nga data 1 janar 2015. Në këtë mënyrë, baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve do të llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994, si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 1.1.1994. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2015 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese, sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 1.1.1994, si edhe mbi pagat individuale, mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 1.1.1994 deri në 31.12.2014, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2014 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientët e indeksimit sipas viteve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Baza e vlerësuar neto për llogaritjen e pagesave për sëmundje e barrëlindje dhe për të ardhura të tjera afatshkurtra do të jenë pagat mbi të cilat janë paguar kontributet pasi zbritet tatimi mbi të ardhurat personale, norma e kontributit të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe suplementare që mbahet nga paga e punonjësit, sipas dispozitave në fuqi për periudhën përkatëse.

Çdo vit, pas 1.1.2015, duke filluar nga data 1 janar, baza e vlerësuar vjetore individuale indeksohet me koeficientin, që llogaritet si raport i kontributit mesatar të personave të siguruar, të mbledhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Ky koeficient caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Pensionet e invaliditetit nuk do të llogariten me një bazë të vlerësuar më të ulët se ajo e paguar më parë. Sapo të jetë përfituar një pension invaliditeti, shuma e pensionit do të merret si kufi minimal, kur llogaritet çdo pension tjetër sipas ligjit të sigurimeve shoqërore.

 

Pensioni i pleqërisë

Personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar. Nënat, që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.

 

Pension pleqërie i reduktuar

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar kur:

– kanë plotësuar vitet e sigurimit.

– nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.

Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara është 0,6 për qind në muaj.

 

Masa e pensionit

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

 

Shtesë pensioni

I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, të këtij ligji, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.

 

Invalidët

Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të këtë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi.

 

Llojet e përfitimeve

Personat e siguruar, në rastet e aksidenteve në punë ose sëmundjeve profesionale, përfitojnë të drejtën e së ardhurës, pavarësisht nga vjetërsia në punë:

– për kujdes mjekësor shtesë dhe riaftësimi

– në rast paaftësie

– për kompensim për dëme të arsyeshme

-në rast vdekjeje.

 

E ardhura për paaftësi të përkohshme

E ardhura për paaftësi të përkohshme, si pasojë e një aksidenti në punë ose sëmundjeje profesionale, e provuar nga një komision mjekësh ekspertë kompetentë (KML), do të jetë e barabartë me 100 për qind të mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës, paguar për një periudhë përfitimi deri në 12 muaj.

 

Indeksimi i përfitimeve

Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit

 

 MOSHA DHE PERIUDHA E SIGURIMIT QË KËRKOHET NGA VITI 1993 DERI NË 2014-ËN PËR SECILËN KATEGORI PËR GRATË

 

Kategoria i Kategoria II Kategoria III
Vitet Mosha Vjetërsia e punës Mosha Vjetërsia e punës Mosha Vjetërsia e punës
1993 45 15 50 20 55 20
1994 45 15 50 21 55 21
1995 46 16 51 22 55 22
1996 46 17 51 23 55 23
1997 47 18 52 24 55 24
1998 47 19 52 25 55 25
1999 48 20 53 26 55 26
2000 48 21 53 28 55 28
2001 49 22 54 30 55 30
01.07.2002 30.06.2003 49 23 54 32 55v 6m 32
01.07.2003 – 30.06.2004 50 24 55 34 56v 34
01.07.2004 – 30.06.2005 50 25 55v 6m 35 56v 6m 35
01.07.2005 – 30.06.2006 51 26 56v 35 57v 35
01.07.2006 – 30.06.2007 51 27 56v 6m 35 57v 6m 35
01.07.2007 – 30.06.2008 52 28 57v 35 58v 35
01.07.2008 – 30.06.2009 52 29 57v 6m 35 58v 6m 35
01.07.2009 – 30.06.2010 53 30 58v 35 59v 35
01.07.2010 – 30.06.2011 53 31 58v 6m 35 59v 6m 35
01.07.2011 – 30.06.2012 54 32 59v 35 60v 35
01.07.2012 – 30.06.2013 54 33 59v 6m 35 60v 35
01.07.2013 – 30.06.2014 55 34 60v 35 60v 35

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency