Frati i panjohur i letrave!

0
174

 Át Vitor Demaj, OFM

krujamargjokajVepra e Patër Paulin Margjokajt, OFM; dhe kontributi i tij në shkencat historike e kulturore’ Fjalë burrash e marrëveshje fisnikësh të një tjetër kohe e të një tjetër mendësie bënë të mundur që, mbas 57 vitesh të ndërrimit jetë të M. Krujës, që përkon edhe me vitin e të fundmes letër ndërmjet dy miqve e mbas 30 vitesh të largimit nga kjo botë të Atë Paulinit, falë vullnetit të mirë të fretërve e, kryesisht të të ndjerit Atë Daniel Gjeçajt, kujtimit të të cilit i shkon edhe një herë falënderimi i sinqertë yni, e të familjes Merlika, lexuesit shqiptar t’i jepet në dorë ky letërkëmbim.

Fill mbasë dekës së Pater Paulin Margjokaj OFM, françeskanët vjenezë pranë të cilëve mbylli sytë në mërgim, paraqesin në nekrolog nji biografi të shkurtë për tê. Ket biografi po e përcjelli të plotë mâ poshtë, sepse përmban të dhanat kryesore të jetës së tij:

“Dr. P. Paulin Margjokaj leu në Kçirë (nën Shkodër) me 26 shtatuer 1908. Në pagëzim i kje ngjitë emni Bib. Me 4 gusht 1925 hyni në Urdhnin e Fretënve të Vogjël të Shqipnisë. Me 26 marc 1932 kje shugurue meshtár. Prej vjetës 1938 deri më 1941, shërbeu si sekretár i Provinçës shqiptare dhe si profesor i historisë e gjeografisë në Liceun “Illyricum”. Në vjetën 1941 kje dërgue për studime të nalta në Torino (Italí), ku me 9 dhetuer 1943 mori laurën e doktoratit në histori e letërsi. Tue mos mujtë me u kthye në atdhé për shkak të rrethanave politike, zû vend në Süd Tirol: së parit në Kaltern (Caldaro), deri në vjetën 1946, mandej në Boozen, deri në vjetën 1951. Mbas kësaj vjete kaloi në Provinçën e Vjenës, në shërbim të shqiptarëve të hikun. Deri në vjetën 1962 jetoi në Graz, mandej prej 3 shtatorit 1962, deri në dekë, në Vjenë.

Kje frat besnik ndaj idealit të vet, i zellshëm, i gatshëm me i ndihmue të afërmit. Qe çka shkruejnë në revistën e njoftun Shêjzat për historianin, i cili kje edhe bashkpuntuer i ksaj reviste: ishte i gatshëm me u ardhë në ndihmë emigrantavet shqiptarë që kalojshin kah Austrija o u ndalshin për pak kohë për të bâ praktikat e nevojshme për emigrim. U siellte, andej e këndej, ndër zyrat përkatse për t’ua lehtësue bashkatdhetarvet çashtjen e mërgimit.

I rrâjosun në traditën françeskane të Provinçës së tij shqiptare, ashtu si në fminí, edhe gjatë jetës e deri në dekë i mbet besnik kësaj tradite. E desht vendin e vet e banorët e tij me gjithë shpirt. Shkroi artikuj të shumtë dhe dy vepra në gjuhë shqipe. La në dorëshkrim dokumenta të arkivit të Vjenës e një histori të Shqipnisë në gjuhën gjermanishte. Diq me 30 korrik 1975 në kuvendin e Vjenës dhe kje vorrue ndër vorret françeskane të qytetit”.

 

II. Át Paulini për historinë kombëtare

Pader Paulini âsht pak i njoftun prej studiuesve e publikut të sotëm. Ká asish që ende e kujtojnë si profesor në gjymnazin Illyricum (1938-1941) kur nepte landën e gjeografisë. Po në atëkohë, ai mbuloi zyrën e sekretarit të Provincës Françeskane Shqiptare. Tue pá squetësinë e inteligjencën e tij, kryesia e Provincës vendosi me e dergue për me krye studimet mbasuniversitare në Torino, ku dhe përfundoi doktoraturen në histori. Mbasi në Shqipni u instalue diktatura komuniste, pader Paulini, e pat të pamundun që të kthej në vend të vet. Në vjetin 1946 e 1948 Át Paulini harton dy Pro-memorie, në të cilat përshkruen gjendjen e mjerushme që gjindej Shqipnia si dhe përsekutimin e masakrat që po kryente diktatura në klerin katolik. Pro-memoria e shkrueme në maj të vjetin 1946 hartohet si pasojë e ideve që qarkullonin në shtypin e huej kryesisht italian, se Shqipnia po aneksohej prej Jugosllavisë. Në ket Pro-memorie, Át Margjokaj shpreson se në mos shtetet europiane, Vatikani do të ndërhyj e nuk do të lejojë që të ndodhë ky aneksim i Shqipnisë prej Jugosllavisë së Titos. Studimi ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë trajtohet çështja shqiptare që nga mbarimi i Perandorisë Osmane, marrëdhanjet me shtetet fqije e deri te formimi i vshtirë i shtetit shqiptar. Kësisoj trajtohet sundimi i mbretit Zog, pushtimi i Shqipnisë në luftën e dytë botnore, si dhe formimi i qeverisë fantazmë të Tiranës nën sundimit e drejtimin e oficerave serb. Në pjesën e dytë, autori paraqet gjëndjen psikologjike e etnokulturore të shqiptarve, tue veçue elementat e shëndosht prej atyne të kalbun të psikologjisë së shqiptarit, i cili duhet të gjejë forcën e vullnetit për me dal prej gjendjes së tij. Pro-memoria e dytë i përket qershorit të vjetit 1948. Në këto vite, Kleri katolik shqiptar e Kisha katolike në Shqipni po kalonte kohë shumë të vështira. U grabit, u masakrue, u vrá prej bashkëvllazënve me urdhën të Titos. Në ket Pro-memorie, Át Paulini, merret me disa çështje fort me randësi për mendësinë e formimin e shtetit shqiptar, ku ndër të tjera veçojmë: si u formue shteti modern shqiptar; Shqipnia nën regjimin zogist; situata e tre religjioneve në Shqipni. Përfundon Pro-memorie-n me disa sugjerime për rrugën që duhet të ndjek inteligjenca shqiptare nëse duem me pasë Shqipni e shtet shqiptar.

Át Paulini u muer me studime rreth historisë së përgjithshme të Shqipnisë që me ilirët, epokën mesjetare, periudhën barbare të pushtimit osman e deri te historia e kohës sonë. Shumë ndër punimet e tij historike ai i shkroi gjermanisht për me ja bâ të njoftun popullit gjerman historinë e plotë të popullit shqiptar. Në arkivin e tij në Shkodër, pranë bibliotekës françeskane, gjinden nji mori vëllimesh të daktiloshkrueme të historisë së Shqipnisë në gjuhën gjermane. Ndër studimet e tij, nji vend të randësishëm xen figura dhe personaliteti mâ i madh i kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti.

Françeskani Át Paulin Margjokaj, përtej perdes së hekurt, kreu studime rreth patriotizmit të Suliotve e barbarizmit të pashoq të Ali Pashë Tepelenës. Këto studime u botuen në revistën e famshme Shêjzat.

Âsht e domosdoshme e në interesë të popullit tonë, botimi i historisë së Shqipnisë të shkrueme gjermanisht e shqip prej Át Paulinit. Faktet e dokumentet e reja historike, interpretimi i ngjarjeve pá ndikime ideologjike, që frati historian i bâni historisë së vendit të tij, duhet të zgjojnë interesë të veçantë për botimin e kësaj vepre. Historia nuk mund të merret peng prej kerkuj. Ajo âsht nji shkencë që duhet të rishkruhet përditë në bazë të fakteve e dokumenteve të reja si dhe interpretimeve të ndryshme prej historianëve serioz e të dijshëm.

Studimet historike të Át Paulinit janë të domosdoshme për historinë e historianët shqiptar, sepse pasqyrojnë historinë të pame në kandvështrime të ndryshme e jo nën lenten e ideologjisë komuniste. Me studimet e kërkimet shkencore të Pater Paulinit, pasunohet historia jonë kombëtare. Historia, për me kenë e vërtetë nuk duhet të ndikohet prej kërkuj, duhet të merret vetëm me zbulimin e interpretimin e drejtë të ngjarjeve.

Prandej, botimi i historisë së Shqipnisë dhe i studimeve historike të kryeme prej tij, do të sjellte për né sot, faqe të reja historie, fakte e ngjarje të panjoftuna të historisë dhe të kulturës së popullit tonë.

Nji pjesë të konsiderueshme të studimeve historike, ai i botoi në revistën Shêjzat, të cilën e botote Ernest Koliqi, në Romë. Kjenë këto shkrime historike, që e bânë të njoftun në botën e lire, përsonalitetin e madh të Át Paulin Margjokaj.

Puna e tij qet në dritë shumë aspekte të jetës së tij personale e shoqnore. Në çdo vend që kaloi, rrëmote nëpër arkiva e biblioteka për me gjetë të dhana historike, etnografike e kulturore rreth popullit të vet. Në fondin e tij, janë disa dosje shënimesh a kopjimesh me dorë të kryeme nëpër arkiva të ndyshme si ato të Austrisë, Italisë, Beogradit, etj. Librat e rrallë që nuk gjindeshin fort kollaj, ai me makinën e tij të shkrimit shkote në biblioteka e kopjote pjesë prej këtyne veprave që ishin shkrue për Shqipninë ose për vendet ballkanike. Arkivi i tij personal âsht dëshmi e kësaj pune të palodhshme. Edhe pushimet e tij që si rregull i takojshin me i bâ, Át Paulini i kryete me makinën e tij të shkrimit nëpër arkiva e biblioteka të Europës. Jo vetëm u muer me kopjimin e materialeve arkivore por edhe nxuer nji mori shkrimesh në formë studimi në gjuhët gjermanisht, italisht e shqip. Këto studime e shënime janë të gjitha të ruejtuna nëpër fletore të ndryshme.

Krahas shënimeve e studimeve historike, ai ká lanë për breznitë e ardhshme kujtimet e tij personale, vetëm e vetëm që historia të mos harrohet, të mos shtrembnohet e tjetërsohet.

Nji pjesë të kërkimeve të tij historike, Át Paulini ja kushtoi Murtajës komuniste siç e quente ai vet me përbuzje, prej krimeve që po kryente ndër shqiptar e në shumë vende të botës. Në këto shkrime, spikat njohunia e sistemit komunist në pikëpamje filozofike e historike, si dhe përshkruen disa prej figurave mâ kryesore të tij. Ai parashtroi filozofinë Marksiste e shkaqet e përhapjes së saj. Át Paulini, me mprehtësinë e nji studiuesi të censhëm, paraqiti me përpikëmëni profilin psikologjik të Marksit, Engelsit, Leninit, Trocki-t e të drejtuesve të mavonshëm të sistemit komunist të Rusisë e atij shqiptar. Për qëllimin e këtij studimi Át Paulini pohon:

 

“Prá qellimi i auktorit të këtij libri nuk âsht vetem me i vû në beh njerzt prej diktaturës komuniste. Auktori, kur e dau t’a perpilojë ket liber, pati para sysh sidomos kohën e ardhshme. Sepse, mjerisht, diktaturen komuniste nuk e ka në dorë t’a ndrrojë as autori, as tanë lexuesat zbashkut. Gjâja mâ e nevojshme tash per tash âsht kjo: secili nesh, por sidomos rinija, duhet të pregatitet per kohë t’ardhshme. Shka âsht kenë, âsht kenë! Veçse duhet pasë mâ i madhi kujdes qi mos të persritet prap e njajta gjâ mâ vonë. Qellimi kryesuer i auktorit âsht prá ky: me i dhanë lexuesit në dorë armët shpirtnore per t’u mprojtë si duhet kundra tiranisë”.

Në arkivin e tij nuk mungojnë materiale e dokumente historike për çështjen e Kosovës, problemet e saj, si dhe vuejtjet që po kalojshin shqiptarët e atjeshëm nën diktatin famëkeq jugosllav.

 

III.        Át Paulin Margjokaj polemist

Në personalitetin e Át Paulinit bashkjetojnë historiani e polemisti. Ndër polemika, Pater Paulini, shfaqet dukshëm njoftunia e thellë e historisë botnore e e asaj kombëtare. Ket gjâ né e shohim në librin e tij, Kush janë Anmiqt e Shqipnís. Ai e njeh shum mirë çështjen e Shqipnisë, problemet, shkaqet si dhe mbrapaskenat e saj. Libri, Kush janë anmiqt e Shqipnís, hedh dritë në shumë elemente historike të karakterit e psikologjisë së popullit tonë. Át Paulini, bir i dejë i traditës françeskane në Shqipni, flet qartë e hapun kundër elementave të damshëm që duen me e pá Shqipninë pronë të oborreve të nji mentaliteti “orjental”. Po kështu, studimet përmbi sistemin totalitar kanë karakter të theksuem polemik, sidomos rreth mentalitetit që se si u ngjiz murtaja komuniste. Át Paulini âsht i bindun se vetëm në ato popuj që nuk janë mësue me jetue në liri e që nuk ja njohin vlerën mundet me vu rrajë komunizmi. Në Shqipni u instalue komunizmi vetëm se populli ynë nuk ká jetue kurr i lirë, ká kenë gjithmonë i pushtuem ose nën diktatura të ndryshme. Pushtimi pothuejse pesë shekullor osman ká damtue psikologjinë e mentalitetin tonë. Bash ky mentalitet nanshtrimi, përkuljeje e servilizmi ndaj tjetrit ká bâ që të sundohemi prej diktaturës zogiste e asaj komuniste. Jemi mbajt me forcë e me dhunë të nanshtruem, tue e humb lirinë e tue mos e dijt kurr vlerën e saj. Sot e kësaj dite e vuejmë ket pasojë të tmerrshme, psé tue mos e njoftë lirinë bahemi e mbahemi të robnuem shpirtinisht e në mendim, prej gjithfarë demagogësh e mashtruesish.

Nji tjetër studim i pabotuem me nota të forta polemike âsht Liri prendimore apo despotí orjentale. Ky studim, ndoshta âsht i pari i këtij lloji në letërsinë shqipe për kah qëllimi, trajtesa dhe përzgjedhja e argumenteve. Me punimin magjistral Liri prendimore apo despotí orjentale shifet qartë njohja e çështjeve filozofike e letrare e sidomos të filozofve, si Karl Jaspers, që kanë lanë gjurmë të pashlyeshme në mendimin filozofik botënor. Në ket vepër trajtohen çështje që janë shumë aktuale sot për né si popull, që po kërkojmë me ngut për me u bâ pjesë e bashksisë europiane. Çka do të thotë orjental? Çka do të thotë prendimor? Ku e ká prejardhjen Europa? Cili âsht roli i krishtënimit në formimin e identitetit europian? Ku i ká burimet kultura e përgjithshme e njerëzimit? Këtyne pyetjeve që Át Paulini, u jep përgjigje mjeshtrisht në studimin e tij, janë çështje që ende sot janë pjesë e debatit mbi rrajtë e krishtena të Europës. Tue u nisë prej pyetjeve të tilla, françeskani Margjokaj, analizon çështjen shqiptare, kulturën e psikologjinë e popullit tonë. Ai vjen po me të njëjtat pyetje: cili mentalitet, ai orjental apo ai prendimor, randon mâ shumë në mendësinë e në inteligjencën e shqiptarit? Át Paulini përfundon tue na paraqit:

 

“Në Prendim, kur permendet njeriu orjental, mendohet gati perherë si demel, qi s’don me punue, qi nuk don me e lodhë as trupin, as menden. Orjentalët kqyrin plot lakmí standardin e jetës oksidentale, qi ata e thrrasin luks. N’Oksident, kur flasin per luks të jashtzakonshem, i shtojnë substantivit luks adjektivin orjental. N’ Orjent ka asi njerzsh qi jetojnë pernjimend në nji luks krejt të panjoftun n’Oksident, mjesa shumica e popullsisë orjentale memzi siguron buken e gojës. Pa asnji dyshim, në botën prendimore standardi i jetesës për frymë âsht tejet mâ i naltë në krahasim me atë të botës lindore. E nji standard ksisoji mbërrihet kryekrejet falë zellit në punë, mjesa në vendet e quejtuna ‘të nënzhvillueme’ standardi i ultë i jetesës âsht pasojë e mungesës së ktij zelli. E pa ket zell nuk mund të naltohet kurr e kurrsesi niveli i jetesës”.

 

IV.       Letërkëmbimi

Âsht në traditën e shkrimtarëve të mëdhaj me u marrë me shkëmbime letrash e mendimesh, për gjanat që kanë mâ interesë në jetën e tyne. Ndër letërkëmbimet ndërmjet shkrimtarësh, mund të gjejmë edhe nga ato personale, të karakterit privat, përshtypje e ndiesi të ndryshme, që nuk shërbejnë për nji publik të gjanë e aq mâ shumë për studime e kahje historike. Por nji pjesë e letërkëmbimit, shpeshherë, shërben për me njoftë personalitetin e njeriut, mendimin e tij për çashtje fetare, kulturore, historike e shoqnore. Si shembull i tillë, paraqitet letërkëmbimi i Át Margjokajt me Mustafa Krujen, ku përveç miqësisë së tyne pasqyrohen e hidhet dritë në disa periudha të ndryshme të historisë shqiptare.

Letërkëmbimi i Át Paulinit ka nji vlerë të veçantë për publikun shqiptarë, pse në të, shpalosen mendime dhe çështje të ndryshme rreth kulturës shqiptare. Át Paulini ká nji letërkëmbim të pasun me Át Jak Marlekaj, Át Daniel Gjeçaj, Át Vinçenc Malaj, me Maksimilian Lambertz, përkthyesin e Lahutës gjermanisht, e me shumë personalitete të tjera të kulturës shqiptare. Në letëkëmbimin me M. Lambertz trajtohet çështja e përkthimit të Lahutës, ku talentit të albanologut gjerman i bashkangjitet vullneti e dëshira e tij, natyrisht dhe dëshira e Át Paulinit, për me ja bâ të njoftun botës gjermane kryeveprën fishtjane.

Lén shum mbresa në mendjen e lexuesit, nji letër e Át Paulinit drejtue Át Jakob Marlekaj-t, ku shprehet qartë tragjedia që po përjetonte në mërgatë. Át Paulini, në ket letër, paraqet programin e jetës së tij, dëshirën për me fillue botimin e nji reviste shkencore e rithemelimin e bibliotekes në Shkodër, mbasi atë të maparshmen e kishin shkatrrue komunistat. Po në ket letër ai tregon dhe vështirësitë ekonomike e gjëndjen e tij shpirtnore larg atdheut të tij, Shqipnisë. Shkruen Át Paulini:

“Me shendet nuk gjindem keq. Un kambët i kam shndosh, prandej mundem me e krye punen t’êm si shegert i Shqiptarve bajagì mirë. Sá per tjera sende nuk mundem me thanë se jam mirë. Nuk dij a të pata kallxue njiherë mbi gjendjen t’ême. Un e kam pasë përherë zanat qi çdo pare qi merreshem tash 30 vjet e tektej, i kam harxhue tue blé libra e revista. E mandej gjithshkafen e rueshem e kam pasë grumbullue copa gazetash e shkrimesh. Un shpresojshem se po na vjen koha me kthye ndoj herë në Shqipní. Me libra të mij e ata të t’uet mendojshem vet se do të kishim mujt me e themelue në Shqipní nji bibliotekë të vogel, mbasi komunistat na rrenuen gjithshkafen. Në rend të dytë e kishem gjithherë në mende se do të më vîte dita qi me e themelue dikund nji revistë të vogel e aty do t’ishte kenë nevoja per gjithata libra qi vetë i kishem bashkue me copa gazetash e me revista etj. Por me kohë filloi me m’u ulë uzdaja e un fillova kadalë-kadalë me mendue se si do t’i a bâj me gjetë vend per gjithkto sende të grumbullueme. Vjet në vjeshtë u fol ktu se po merret nji pjesë e kuvendit e po siellet e bâhet casa degli studenti. Në ket mndyrë do t’u merrshin kund mâ se 20 oda e do t’u perpunojshin per oda studentash. Atëherë e pash vetë se nuk po jét mâ shpresë per mue, se po mund e gjêjë ndonji odë tjetër per teshat e mija. Per baft ktu kemi edhe camere oscure. Nuk me mbet tjeter veç me i çue librat e mij në nji kso dhomash të terrshme e aty me i shti nder rafta mbarë e mbrapshtë, sa me i hjekë prej odës s’eme e me lânë ktê per sende mâ të nevojshme. Vaji i êm prà njekshtu ká fillue. Âsht kenë nji e shtunde. Ká ardhë sherbtori i ktushem (nji plak fort i mirë, qi më shinë e më pastron oden e vetë i fali përherë ká 20 ose 30 shiliga për punë qi bân). Kemi fillue punën. Un i dorëzojshem librat në dorë ndimtarit e ai i vnonte në nji kosh të madh e mandej i çojshem në camera oscura e i vêshim në raft. Ai plaku nuk e dij a m vete oroe, por un kishem në njanen dorë facoleten e bardhë e shishem me tê lott e me tjetren i epshem librat”.

Të gjitha këto dëshira mbetën anderr e të shkrueme në nji letër sepse Át Paulini, nuk mbrrini me e pá kurr të realizuem njetin e tij, që të kthehej në Shqipni bashkë me bibliotekën e vet. Biblioteka personale e Át Paulin Margjokaj-t, si dhe arkivi i tij personal me dorëshkrimet e përmenduna, gjinden në bibliotekën françeskane Át Gjergj Fishta, Shkodër. Natyrisht, Át Paulini do të ishte i gëzuem pamasë po të dijte se, biblioteka me arkivin e tij personal, ka mbrrijt mbas shumë kohësh e sidomos për vullnet të sivëllazenve të tij, Át Jakob Marlekaj e Át Daniel Gjeçaj, në vendin e duhun, aty ku deshi ai vet, në Shkodrën e traditës së lumnueshme françeskane. Sigurisht biblioteka e Át Paulinit nuk âsht nji bibliotekë dosido, por në tê gjinden librat e revistat mâ të randësishme të studimeve shqiptare. Aty, gjinden botimet e para mbi figuren e personalitetin e Gjergj Kastriotit, botimet origjinale të rilindasve e të albanologëve të shquem, etj.

Letërkëmbimi i P. Paulinit, pasqyron dimensionin e tij krijues e kërkues shkencor si dhe punën e palodhshme në shërbim të kulturës shqiptare. Bash në ket drejtim si kontribut për historinë e kulturës sonë hyn dhe letërkëmbimi me Mustafa Krujen që po ribotohet si vëllimi i katërt në kolanën me titull Kuvend letrash me miqtë. Me botimin e letërkëmbimit në nji vëllim më vete, kemi me njoftë shpirtin e madh të Fratit, të Mustafa Krujës e të shumë bashkatdhetarëve të tjerë. Edhe pse të detyruem me jetue larg vendit të tyne e me dekë jashtë Shqipnisë, punuen pá hile, e me fisnikí zemre për rimkambjen morale e shoqnore të popullit tonë që gjindej i ndryem përdhuni nën thundrat e komunizmit.

 

Kuvend me fratin

Eugjen Merlika  

Vëllimi i katërt i serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga OMSCA-1. Është edhe më i ploti e, ndoshta, më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.

Letra e fratit pukjan e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. Ajo kërkesë e fratit është një rreze drite, një spirancë që mund të ankorojë anijen e një shpirti të plagosur, që provon dhimbjet e zhgënjimet më të ndryshme, që nga humbja e betejës politike, jo vetëm vetjake, por edhe asaj të përgjithshme të një populli që ka bjerrë lirinë, deri në ndarjen nga jeta të një djali në moshën 19-vjeçare në tokën e huaj, të familjes së braktisur nën rrebeshin e “luftës së klasave” në atdhe, të një jete të vështirë, pa asnjë mbështetje, pa asnjë perspektivë. “…Kam mbetun vetëm filli në shpraztí e kotní të kësaj bote ku tash Ti, si nji engjëll i dërguem prej Mëshirëmadhit e pa pritë e pa kujtue ke ardhun me më gjetë me letrën t’Ȃnde. Qofsh bekue e Zoti të ruejtë!” Është përgjigjja atërore e veteranit të vetmuar që e fton mikun e ri: “Të pres pra bash me nj’ato ndiesí qi të shfaqa kurdo qi të kesh rasë me ardhun në vetmitoren t’eme. Mirë se ardhsh!..”.

Kështu fillon ky letërkëmbim që do të vazhdonte për 11 vjet, nga vende e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij.

Letërkëmbimi sendërtohet, kryesisht, nëpërmjet pyetjeve të fratit e përgjigjeve të bashkëbiseduesit, që gjen në interesin e historianit të ri një motiv kënaqësie e një stimul për të gërmuar thellë në kujtesë, duke i besuar atij “të vërtetat e veta”, jo rrallë të shoqëruara nga brenga e dhimbje. Bashkëbisedimi merr gjithnjë e më tepër trajta miqësore, të cilat nuk zbehin asnjëherë qëllimin kryesor, zbulimin e të vërtetave historike. Në këtë vështrim, disa letra janë të veçanta, “letra traktate”, siç i përkufizon Margjokaj, ku Kruja shtjellon gjerësisht qëndrimin e tij politik në çaste të ndryshme të rëndësishme historike. Në këtë mënyrë, bashkëbisedimi kthehet në një “rrëfim”, që zëvendëson kujtimet, të cilat Kruja, me gjithë ngulmimin e miqve e të bashkëpunëtorëve, madje edhe të ndonjë kundërshtari, nuk mendoi kurrë t’i hidhte sistematikisht në letër, duke bërë përjashtim për ato të vegjëlisë e të rinisë së parë.

Edhe se letrat, kur u shkruan, nuk kishin si objekt botimin e tyre, Kruja, me largpamësinë e tij karakteristike, nuk ia mbylli derën asaj mundësie. Madje, më shumë se një herë, në letrat e tij, i kërkoi Margjokajt një gjest bujar: nëse ndonjë nga familjarët e tij do të dëshironte ndonjëherë t’i kishte ato letra nëpër duar, për t’i botuar, të mos haste kundërshtim nga frati historian. “Mundet qi n’atë Shqipní të vogël t’onën dikur mund të shkruhen edhe bijografí gjindsh të vogjël. Korrespondenca private âsht nji burim i madh për jetën e nji njeriu publik, se âsht nji burim intim. Po t’a lâ pra me fjalë e me lutë qi po të vijë ndonji ditë qi nji im bir a nji im nip – se tjerë s’besoj të ketë kush mallë për to – t’i kërkojë mbas dekës s’eme, ke me i a falë letrat e mija qi të keshë ruejtun”. Kështu shkruante Kruja në një letër të gushtit 1956.

Fjalë burrash e marrëveshje fisnikësh të një tjetër kohe e të një tjetër mendësie bënë të mundur që, mbas 57 vitesh të ndërrimit jetë të M. Krujës, që përkon edhe me vitin e të fundmes letër ndërmjet dy miqve e mbas 30 vitesh të largimit nga kjo botë të Atë Paulinit, falë vullnetit të mirë të fretërve e, kryesisht të të ndjerit Atë Daniel Gjeçajt, kujtimit të të cilit i shkon edhe një herë falënderimi i sinqertë yni, e të familjes Merlika, lexuesit shqiptar t’i jepet në dorë ky letërkëmbim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency